- Higjena emocionale si kurë për shëndetin mendor
- A po rilind dashuria për librin?
- Fëmijët e rrugës
- Google pushton klasat edhe në Shqipëri
- Historia e familjes Veizi
- Qendra Mamicare
- Mësuese me leje, a mund të flasim për seksin?
- Dhelpra dhe rrushtë- një nismë e vogël me qëllime të mëdha
- Të rinjtë që shkëlqejnë pa Instagram
Sa tërheqës ju duken këto tituj artikujsh? Cilin do të lexonit më parë? Sa rëndësi do t’u jepni këtyre artikujve krahasuar me ato të kronikës, politikës? Media shqiptare është e tejmbushur me lajme, që nuk na lënë një shije të mirë, madje na rrisin gjendjen e ankthit. Ndërkohë në fakt, në Shqipëri ashtu si edhe në të gjitha vendet e botës, ndodhin edhe zhvillime pozitive, që vijnë nga përpjekja njerëzore për t’u zhvilluar, për të frymëzuar. Ne si Businessmag.al, po e bëjmë prej 5 vitesh këtë, por sot duam të flasim dhe t’ju prezantojmë një nismë interesante e të vlefshme për shoqërinë. Quhet gazetaria konstruktive constructive-journalism-albania.com. Nje projekt i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta synon të sjellë anën tjetër të medaljes rreth asaj çfarë ndodh, të na edukojë dhe frymëzojë përmes temave të saj.
Lexo: Top Startup-et më premtuese për 2020, sipas BM
Dhjetëra të rinj janë bërë pjesë e këtij projekti, të mbështetur e zhvilluar nga mentorja dhe trajnerja e tyre Valbona Sulçe. Ajo ka zhvilluar me ta disa seanca trajnimesh në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan, për të siguruar orientimin e duhur të tyre drejt gazetarisë konstruktive.
Për të mësuar më shumë, lexoni intervistën që kemi bërë me Valbona Sulçen .
Si lindi ky projekt? Kaq i “toksikuar” është tregu mediatik saqë nevojitej një qasje si “gazeteria konstruktive”, pra me një dallim të qartë që në emër?
Tregu mediatik është ai që shohim të gjithë përditë dhe që na e thonë edhe studimet, që bëhen për natyrën e lajmeve në Shqipëri: shumë politikë, shumë kronikë të zezë, pak hapësirë për të rinjtë, zero hapësirë për njerëzit e thjeshtë apo ekspertët që duan të dalin nga rutina e ditës. Në një kuptim, media shqiptare shumicën e kohës është e orientuar nga krizat. Qindra portale online janë të fokusuara tek sensacioni dhe me këtë prirje, e vërteta, llogaridhënia dhe integriteti i raportimit është vënë në pikëpyetje. Në këtë kontekst, Qendra për Studime të Avancuara dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila përbëhet nga kërkues të shkencave shoqërore, barazisë gjinore e ekonomisë, ndërmori nismën për të ofruar një model tjetër, atë të gazetarisë konstruktive, e cila fokusohet tek besimi në aftësinë e përbashkët të gazetarëve dhe shoqërisë për të arritur sukses në një situatë të veçantë dhe për të zgjidhur çështjet sociale. Në vende të tjera, kjo lloj gazetarie ka dhënë prova se është një metodë efektive e aktivizmit social, ku media luan një rol kyç, që e shtyn shoqërinë jo drejt polarizimit, po drejt kërkimit të zgjidhjeve të përbashkëta. Gazetaria konstruktive është e njohur për ndihmën që ka dhënë në trajtimin e çështjeve sociale si të pastrehët, uljen e trafikimit, garantimin e të drejtave të njeriut, etj. Ky propozim u mbështet me bujari nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta dhe ja ku jemi sot të flasim për rezultatet e tij.
Cila është përbërja e grupit që ka marrë pjesë në trajnime? Studentë nga shkencat e komunikimit? Apo mund të bëheshin pjesë të rinj që e kanë pasion gazetarinë?
Trajnimet përfshinë kryesisht studentë të gazetarisë dhe shkencave të komunikimit, të shkencave politike dhe thirrja ishte e hapur për të gjithë ata që donin të përfshiheshin në shkrimin e artikujve. Kemi patur edhe studentë të mjekësisë. Përzgjedhja u bë bazuar në motivimin dhe aftësitë e pjesëmarrësve për të prodhuar produkte mediatike në një kohë të shkurtër, rreth 2 muaj. Megjithatë çdokush që mendon se gazetaria konstruktive është rruga e duhur për të treguar histori, paraqitur realitetin, interpretuar ngjarjet dhe faktet, mund të bëhet pjesë e projektit, duke dërguar shkrime në faqen e internetit që është hapur për këtë qëllim.
Lexo: Businessmag.al, vjen me një platformë të re, më praktike për ju
Lidhur me këtë projekt, ju keni bërë trajnime edhe nëpër rrethe. A mund të na thoni sa është e shpërndarë gjeografikisht pjesa e mbuluar nga reporterë apo korrespondentë? Pra, sa u është dhënë mundësi edhe të rinjve nëpër rrethe të bëhen pjesë e këtij projekti?
Projekti zhvilloi dy sesione trajnimi në Elbasan dhe Shkodër, meqë këto qytete kanë degë gazetarie përveç Tiranës, por edhe sepse janë qendra të mëdha banimi dhe me një zhvillim relativisht të mirë të mediave lokale. Duhet të kemi parasysh se ky është një projekt pilot, i menduar si hap i parë në prezantimin e kësaj qasjeje dhe faqja e internetit që ne kemi ndërtuar është menduar pikërisht për të arritur sa më shumë njerëz dhe të rinj e të reja që dëshirojnë të mësojnë rreth gazetarisë konstruktive dhe të bëhen pjesë e saj. Nga ana tjetër, bota online na jep mundësi të arijmë më shumë njerëz se ballë për ballë dhe në një kohë më të shkurtër. Në faqen e internetit constructive-journalism-albania.com, ju mund te gjeni të gjitha materialet e trajnimit që janë përdorur në takimet ballë për ballë, standardet dhe parimet e gazetarisë konstruktive, mundësi trajnimi jashtë vendit si dhe shembuj të shumtë të redaksive me emër si De Correspondent në Hollandë apo BBC në Angli, që e praktikojnë gazetarinë konstruktive. Faqja është në përditësim të vazhdueshëm dhe me ndihmën e Ambasadës, ekspertiza hollandeze do ta plotësojë me materiale të tjera ndihmëse, përfshirë edhe temat ku jemi fokusuar këtë vit që janë papunësia, problemet sociale dhe ri-integrimi i emigrantëve të kthyer.
Ju jeni mentorja e ekipit të Gazetaria Konstruktive. A mund të më thoni cilat janë mesazhet kryesore që u keni mëshuar më shumë?
Mesazhi i parë ka të bëjë me faktin që gazetaria është një profesion në zhvillim. Ashtu siç ndryshon shoqëria, ndryshon dhe gazetaria. Gazetari në shekullin XXI nuk është më një kronikan që vetëm regjistron ngjarje, por i shpjegon ato, duke shfrytëzuar të gjitha burimet që ka në dispozicion. Gazetari sot më shumë sesa informues i vetëm, është lehtësues i informacionit që qarkullon, duke verifikuar faktet dhe duke krijuar debat për ato që ndodhin. Të bësh gazetari konstruktive sot do të thotë të mos ndjekësh axhendën e politikës që është e interesuar të qëndrojë tek konflikti dhe polarizimi i qëndrimeve, por ta hapësh këndvështrimin për të parë se ç’ndodh në shoqëri, cilat janë përpjekjet e njerëzve për ta përmirësuar shoqërinë, pse diku funksionojnë e diku jo. Në këtë mënyrë gazetari e plotëson misionin e vet, edhe duke informuar, edhe duke frymëzuar, sepse natyra njerëzore është e tillë që ndryshimi ndodh më shpejt kur e sheh që edhe të tjerët kanë bërë dicka.
Një gazetar konstruktiv nuk informon për hir të të informuarit. Gazetarët konstruktivë informojnë për të fuqizuar audiencat e tyre, në mënyrë që publiku ta përdorë informacionin që merr për të bërë një veprim, për të kërkuar më shumë llogari, për të nxitur një lëvizje, për të ndryshuar jetën e vet dhe të komunitetit që jeton. Në këtë kuptim gazetaria konstruktive është një gazetari me qëllim.
Mesazhi i dytë shumë i rëndësishëm që i mëshoj është të mos harrojnë kurrë kujt i shërbejnë. Pavarësisht se punojnë në ndërmarrje me pronar, një gazetar i shërben publikut. Gazetaria konstruktive është një mënyrë, që e mban parasysh këtë dimension të qenësishëm të profesionit, pasi lidhja me audiencën është zbehur shumë kohët e fundit. Po të shikoni dhe raportin e fundit të Freedom House, ka rënë besueshmëria e njerëzve në media. Nuk mund të jesh një gazetar konstruktiv nëse nuk të bëhet vonë për audiencën tënde, por vetëm për klikimet e tyre. Njerëzit që na lexojnë janë ata që i japin kuptim punës tonë, kini gjithmonë parasysh fytyrën e një shikuesi/lexuesi, kur shkruani një artikull a përgatisni një kronikë. Si doni që të ndihet ai/ajo pas kësaj? Unë nuk do ta harroj asnjëherë fytyrën e një gruaje që më ndaloi në rrugë pasi kishte parë në televizior kronikën ku flitej për një rast dhune në familje dhe kishte brenda edhe numrin e telefonit për ndihmë. Më tha “faleminderit”, se unë tani di ku të drejtohem…
A ka një plan që ky projekt të kthehet në media të qëndrueshme? Pra, të mund të mbijetojë edhe pas përfundimit të mbështetjes nga Ambasada?
Po, plani ështe që faqja e internetit të shërbejë si një hub- qendër burimore ku të gjithë ata, që duan të shkruajnë bazuar në këto parime të kenë një platformë për botimin e tyre. Në fazën e parë ne kemi orientuar shkrime që lidhen me papunësinë, ri-integrimin e emigrantëve të kthyer dhe problemet sociale. Megjithatë, projekti do të quhet i suksesshëm nëse mediat klasike tradicionale do të fillojnë të kenë rubrika të ndryshme brenda tyre për ta zbatuar gazetarinë konstruktive.
Përtej këtij projekti dhe si njohëse e mirë e tregut mediatik, a ka hapësira të tjera ku po zhvillohet gazetari konstruktive?
Siç e thashë edhe më lart, gazetaria konstruktive nuk është një shpikje. Nëse shikoni me kujdes parimet e saj, do të zbuloni që ka gazetarë që e praktikojnë atë, pa e ditur se po bëjnë gazetari konstruktive. Sa herë që ndeshni shkrime, artikuj, kronika që kanë kontekst brenda, kanë më shumë se dy burime, kanë ekspertë, shkrime që ballafaqojnë modelet e vendeve të ndryshme në trajtimin e një problemi, përshkruajnë edhe zgjidhje, ju keni parë një gazetar konstruktiv. Çështja është, kjo të bëhet një praktikë pune, më shumë sesa një histori që ndiqet një herë në vit. Unë e ndjek me vëmendje median dhe kam gjetur plot raste kur gazetarët kanë treguar histori konstruktive për një temë të caktuar. Ju tek Businessmag bëni gazetari konstruktive, sepse u jepni hapësirë sipërmarrësve, por edhe i edukoni audiencat nëpërmjet trajnimeve të ndryshme. Në këtë kuptim, gazetaria konstruktive i ngjan gazetarisë publike që propozonte dikur Bill Kovac. Edhe tani në rastin e Covid-19, p.sh. kam parë që gazetarët në vende të ndryshme të botës, që kanë treguar për nisma të ndryshme sesi njerëzit i janë përgjigjur pandemisë duke nxjerrë në pah kreativitetin dhe solidaritetin. Edhe në Shqipëri kishte të tilla nisma. Për ta thënë shkurt, në vend që të shohim cili është qyteti me numrin më të madh të vrasjeve, një gazetar konstruktiv sheh cili është qyteti me numrin më të vogël. Ose qyteti më i pastër në Shqipëri, ose qyteti me numrin më të vogël të të pastrehëve ose të rasteve të dhunës në familje. Bëjmë një analizë pse ndodh kështu, cilat janë ato politika, që kanë çuar në këtë rezultat. Ose shkollat që kanë numrin më të vogël të braktisjes, ose numrin më të vogël të aborteve. Tema ka pafund dhe gazetarët që bien në kontakt me këtë lloj qasjeje, janë të destinuar të bien në dashuri me të, sepse në fund të fundit gazetaria konstruktive është thjesht gazetari e mirë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.