Fuqia e besimeve - Business Magazine Albania

Fuqia e besimeve

Ky shkrim nuk është për këdo, por për ata individë që duan të “krijojnë” besime që i shërbejnë rritjes dhe zhvillimit të tyre, i cili është një proçes dinamik dhe kërkon angazhim.

Temën mbi fuqinë e besimeve e kam dëgjuar që në fillimet e mia të para dhe interesi në fushën e zhvillimit personal. Por ka shumë vite, rreth 18 vjet më parë. Atëherë përpiqesha të gjeja përgjigje për pyetjet e mia ekzistencialiste[1].

Më duhet t’ju jap shkurtimisht pak informacion mbi ekzistencializmin, spiritualizmin dhe vetë-zhvillimin. Shumë studiues i “shkrijnë” në një konceptet mbi ekzistencializmin dhe spiritualizmin. Bob Edelstein, terapist ekzistencialist, kur u pyet mbi dallimin e tyre u përgjigj:

“Pyetjes nëse dikush duhet

të jetë ekzistencialist apo spiritualist

do i përgjigjesha që është esenciale

t’i njohim të dyja”.

Lexo: Nëse doni të pleqëroni mirë duhet t’i jepni përparësi miqësisë

I përmenda si koncepte pasi ka një konfuzion të konsiderueshëm mbi ekzistencializmin, spiritualizmin dhe besimin fetar. Pa u futur në filozofi do përshkruaj konceptin tim mbi spiritualizmin dhe pikat e takimit me ekzistencializmin dhe besimin fetar. Për mua, spiritualizëm do të thotë:

  • Të njohësh dhe kuptosh veten dhe 4 dimensionet tona si qënie njerëzore: dimensioni fizik, mental, emocional dhe shpirtëror;
  • Të identifikosh qëllimin tënd në jetë dhe të ndjekësh dinamikën e tij. Shumë njerëz janë në kërkim të qëllimit si piratët në kërkim të thesarëve që nuk i gjetën asnjëherë, pa kuptuar që qëllimi krijohet në mënyrë reflektive dhe me vetëdije, ndryshon në momente të caktuara të jetës;
  • Të kuptosh jetën dhe ta ndërtosh atë pasi njerëzit janë arkitektë të jetës së tyre;
  • Të duash të përmirësohesh në mënyrë të vazhdueshme, duke u krahasuar gjithmonë me veten tënde dhe jo me të tjerët dhe duke punuar vazhdimisht për këtë qëllim;
  • Të bëhesh ndryshimi që ti dëshiron të shohësh tek të tjerët duke e demostruar atë në veprimet e tua;
  • Të kontribuosh me njohurinë, aftësitë dhe talentet e tua për një jetë më të mirë.

Vetë eksperienca ime prej vitit 2003 integroi konceptet ekzistencialiste, spirituale dhe të vetë-zhvillimit në një. Dhe një pjesë e rëndësishme e këtij zhvillimi ka qenë tema e besimeve dhe fuqisë së tyre, që do të jetë edhe fokusi i këtij shkrimi.

Besimet janë shumë të rëndësishme. Ato ndikojnë në jetën tonë, sjelljet, zgjedhjet dhe rezultatet që arrijmë. Besimet krijohen në vitet e para të jetës kur ende nuk kemi krijuar koshiencën dhe aftësinë e filtrimit të tyre. Natyrisht ato krijohen edhe më pas, nga eksperiencat tona dhe bëhen “vetëdija” jonë për sa kohë nuk reflektojmë mbi faktin që nëse na shërbejnë apo janë përjetimet të të menduarit të vetëdijshëm[2].

Në fakt, më duhet të them që sfida më e madhe për mua ka qënë identifikimi i besimeve dhe më pas puna për ndryshimin e tyre. E them këtë se nuk e kemi trajnuar trurin të mendojë ndryshe. Besimet na duken aq të vërteta sa do ishte gjëja e fundit që do të donim të ndryshonim. Besimet bëhen pjesë integrale e jona, me fjalë të tjera bëhen vetja apo ekzistenca jonë. Kjo është edhe arësyeja që tema mbi besimet tërheq një vëmendje të madhe në fushën e zhvillimit personal dhe profesional.

Natyrisht ishte një sfidë dhe vazhdon të mbetet pasi shkenca mbi trurin tregon që krijimi i lidhjeve të reja të neuroneve është një proçes që nuk ndodh vetvetiu apo lehtësisht, duke i thënë vetes afirmime, meditime të drejtuara apo tingujt binaural. Neuroplasticiteti nuk është një proçes që thjesht e kontrollojmë apo e drejtojmë lehtësisht. Por është një proçes jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi nga pikëpamja e studimit të trurit besimet janë limituese[3], duke sabotuar arritjen e qëllimeve apo ëndrrave tona. Por për këtë do shkruaj më vete.

Dua t’ju kërkoj të më lexoni me kujdes… Shumica e personave që shkruajnë apo flasin mbi besimet dhe rolin e tyre, se si mund t’i zëvendësoni mendimet negative me pozitive nuk janë të informuar dhe azhornuar me gjetjet dhe informacionet më të fundit mbi trurin.

Lexo: 10 mësimet më të rëndësishme në ekonomi dhe financa

Pse e them këtë? Studimet e trurit dhe sjelljes njerëzore tregojnë që memoria, sjellja dhe besimet nuk mund të “fshihen” nga truri ynë edhe pse dëshira mund të jetë e madhe. Ai mbetet një informacion i regjistruar në tru. Por, duke punuar me veten, gjithmonë me ndihmën e një profesionisti, ato mund të ndryshojnë gradualisht dhe ngadalë në sjellje dhe besime të reja. Natyrisht se si ndodh ky ndryshim mund të jetë tema e një shkrimi, tjetër pasi kërkon shpjegime të qarta dhe të sakta që natyrisht kërkojnë një hapësirë të caktuar në shkrim.

Diçka është e qartë. Besimet janë supozime mbi të vërtetën ose të pavërtetën të perceptimeve tona mbi jetën, veten dhe botën ku jetojmë. Ato janë lentet nëpërmjet të cilave ne shohim realitetin dhe reagojmë ndaj tij. Interesante është që ne qëniet njerëzore supozojmë që perceptimet tona janë të vërteta. Këtë e vë re çdo ditë tek vetja dhe tek të tjerët, prandaj rishikimin e tyre e kam shumë për zemër në punën time si coach për jetën apo biznesin. Specifikisht duke i ndihmuar individët të rishikojnë dhe azhornojnë supozimet me informacionet e reja.

Si të identifikoni besimet tuaja?

Strategjia më e rëndësishme është rritja e vetëdijes ose me fjalë të tjera të rishikoni supozimet tuaja, të cilat për hir të së vërtetës krijohen në mënyrë koshiente (nga eksperienca) ose jo koshiente (gjatë viteve të para të jetës). Këto supozime do të përcaktojnë mënyrën se si truri juaj e proçeson informacionin dhe është një proçes i thellë reflektiv i vetes nëse do të bëhemi të vetëdijshëm për to.

Si mund të filloni këtë proçes reflektimi?

Marrim një shembull: Çfarë mendoni për paratë?

  •  Kur dëgjoni për një person të suksesshëm apo shikoni një mikun tuaj që ka blerë një makinë të shtrenjtë, si ndiheni? Vëzhgoni emocionet: inat, smirë, pakënaqësi! Çfarë ndjesish keni në ato momente? Skuqje në fytyrë, djersitje, ndryshim tonaliteti të zërit? Ndjeni padrejtësi, vlerësim apo keqardhje?
  • Vëzhgo veten në raste të tjera kur bëhen komente për të pasurit dhe çfarë mendimesh të vijnë në mëndje? Shpeshherë jemi totalisht të pavetëdijshëm për “deklaratat” tona dhe ndoshta mund t’i kërkoni një personi që ju e besoni t’ju vëzhgojë dhe japë feedback.
  • Kur arrini të identifikoni një besim praktikojeni veten tuaj të vëzhgoni se si reagoni në përgjithësi në lidhje me të. Ky është thelbi i vetëdijes mindful… Të kushtojë vëmendje në mënyrë të vetëdijshme.

Lexo: Albanian Dreamin’ 2021 – Thirrje për aplikime!

Vëzhgoje veten në të ardhmen duke zhvilluar kështu një cilësi të rëndësishme drejt rritjes dhe zhvillimit personal dhe professional, duke krijuar një zakon të ri. Zakon që do t’ju ndihmojë të filloni dhe vëzhgoni veten tuaj, mendimet, ndjesitë, sjelljet, zgjedhjet dhe rezultatet. Kjo është një praktikë jashtëzakonisht e rëndësishme në fushën e zhvillimit personal, por që kërkon kohën e vet që të zhvillohet.

Zhvillimi dhe rritja e shkallës së vetëdijes është çelësi nëse doni të jeni të suksesshëm: Sipërmarrës, politikanë, artistë, sportistë, prind koshient, lider modern etj. Ju vendosni një emër dhe unë konfirmoj të njëjtën gjë: Rritja e vetëdijes është çelësi. Natyrisht janë dhe elementë të tjerë…

[1] Ekzistencializmi është pjesë e mendimit filozofik që ka në fokus kryesor kuptimin e jetës, qëllimin, vlerat, kush jemi, misioni etj, për të rritur nivelin e vetëdijes mbi mënyrën e të menduarit, sjelljen, zgjedhjet dhe pasojat e veprimeve. Ndër më të njohurit do përmendja Friedrich Nietzche apo Sartre. Ne si qënie njerëzore kemi tipe të ndryshme të inteligjencës, një nga të cilat është edhe ajo ekzistencialiste, si një aftësi njerëzore për të gjetur dhe saktësuar kuptimin e jetës.

[2] Ka një dallim të ndjeshëm midis mendimeve në kokën tonë dhe të menduarit të vetëdijshëm. P.sh. Ty mund të të vijë mendimi që “je i paaftë” dhe ky është thjesht një mendim që të vjen në mëndje dhe natyrisht gjeneron ndjesi negative. Kjo ndodh automatikisht. Ndërsa të menduarit e vetëdijshëm do të ishte “Pse mendon që je i paaftë?” Kujto rastin e fundit se si ia dole… dhe kujto një ose disa momente në jetë që ke treguar aftësi. Nëse nuk arrin ta bësh këtë proçes, ke nevojë për një coach…

[3] Këtu do bëja një dallim midis çfarë shprehim me zë të lartë dhe çfarë ai “zëri” pëshpëritës shprehet duke nihiluar afirmimetin që i themi vetes apo që i quajmë besime të shprehura. Edhe pse dikush mund t’i thotë vetes vazhdimisht “Ti je i suksesshëm” nëse nuk e besojmë thellë brenda vetes mbetet një profeci e parealizuar. Prandaj kemi nevojë për coaches profesionistë që na ndihmojnë t’ia dalim.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0