Fondet e Investimit një nga arsyet e zgjerimit të shpejtë të tregut - Business Magazine Albania

Fondet e Investimit një nga arsyet e zgjerimit të shpejtë të tregut


Sipas raportit të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, gjatë periudhës janar – shtator vlera neto e aseteve të Fondeve të Investimit arriti mbi 69.76 miliardë lekë me një rritje prej 4.13%, krahasuar me 31.12.2015.

Aktualisht në tregun e Fondeve të Investimeve ushtrojnë aktivitetin e tyre tre fonde investimi, përkatësisht Fondi i Investimeve “Raiffeisen Prestigj”, Fondi i Investimeve “Raiffeisen Invest Euro” dhe Fondi i Investimeve “Credins Premium”.

Numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit deri ne 30.09.2016 është 30,961.

Tregu i Fondeve të Investimit ka njohur rritje të shpejtë që nga krijimi i tij dhe për të mësuar më tepër mbi arsyet e kësaj rritjeje,  z. Resmi Hibraj ka folur për këtë, Drejtor Ekzekutiv i Raiffeisen Invest, shoqëria më e madhe në vend për administrimin e fondeve te investimit.

Z.Hibraj, çfarë janë Fondet e Investimit dhe si i shërbejnë ato publikut?

Fondet e Investimit janë një grumbullim asetesh financiare ose parash në gjuhën e përditshme, të cilat menaxhohen nga një shoqëri e liçensuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) me objektivin parësor për t’i investuar këto para për të prodhuar fitim për investitorët.

Të gjitha këto para së bashku formojnë asetet e fondit, të cilat pastaj investohen në tregjet financiare në vend ose jashtë, në bono, obligacione dhe instrumente të tjera financiare.

Fondet përfaqësojnë një alternativë investimi në vend të depozitave me afat dhe ata synojnë që përmes një portofoli instrumentesh, të prodhojnë një kthim më të lartë.

Cilat janë arsyet e zgjerimit të shpejtë të këtij tregu?

Është e vërtetë që Fondet e Investimit kanë njohur një rritje të shpejtë në vetëm 4 vjet. Fondi i parë në vend, Raiffeisen Prestigj, u hap në mars të vitit 2012 dhe sot numëron mbi 53 miliardë leke asete (ose 395 milionë euro) dhe mbi 25,000 investitorë. Ndërkohë edhe fondi tjetër, Raiffeisen Invest Euro, i cili u hap në nëntor 2012, sot ka mbi 13 miliardë lekë asete dhe mbi 4,000 investitorë.

Paratë e investuara në Fondet e Investimit përbëjnë mbi 6% të të gjithë depozitave në sistemin bankar dhe kjo është një shifër e konsiderueshme. Një zhvillim i tillë reflekton interesin e publikut për këto produkte financiare dhe përfitimin e kënaqshëm nga investimi.

Në një mjedis të normave të ulëta të interesave që ofrojnë bankat, publiku i është drejtuar Fondeve të Investimit duke parë që kthimi historik i fondeve ka qenë më i lartë.

Duhen përmendur gjithashtu edhe disa avantazhe të tjera që ofrojnë fondet siç janë:

-Aftësia për t’i tërhequr paratë në çdo kohë, në dallim nga depozitat me afat ose obligacionet qeveritare;

-Komoditeti i lartë i investimit duke qenë se të gjitha investimet kryhen nga një staf profesional i dedikuar dhe nuk ka nevojë që njerëzit t’i drejtohen bankave sa herë ka një ankand ose kujdesen vetë për datat e maturimeve të depozitave ose obligacioneve të tyre;

-Akses transparent tek informacioni i llogarisë së tyre, sepse në çdo kohë ata mund ta kontrollojnë ecurinë e investimit të tyre online.

Si investojnë fondet e Raiffeisen Invest?

Çdo fond investon në përputhje me objektivin e tij të investimit, i cili shprehet në prospektin e fondit. Fondi Prestigj është krijuar për investitorët që kanë kursime në lek dhe investon në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare në tregun vendas. Duke kombinuar instrumente me maturitete të ndryshme, fondi synon të japë kthim më të lartë se depozitat me afat.

Ndërsa Fondi Euro është krijuar për investitorët që kanë kursime në euro dhe investon në bono dhe obligacione të emetuara në euro, si në tregun vendas nga qeveria shqiptare, ashtu dhe tregjet evropiane në bono dhe obligacione të emetuara nga qeveritë dhe korporatat më të mëdha evropiane.

Edhe ky fond synon të japë një kthim më të lartë sesa depozitat me afat në euro.

Si ka qenë ecuria e fondeve? A është arritur objektivi për t’i dhënë investitorëve një kthim më të lartë?

Ecuria e fondeve ka qenë pozitive gjatë gjithë ekzistencës së tyre dhe objektivi është arritur dhe fondet gjatë gjithë periudhës 2012-2016 kanë prodhuar një kthim vjetor më të lartë sesa depozitat.

Në përfundim do të donim mendimin tuaj edhe për një ngjarje të ditëve të fundit, ku është folur për një shoqeri të quajtur Easy Invest, e cila ka falimentuar dhe disa kliente të tyrë kanë humbur para. A ka ngjashmëri kjo shoqëri me fondet e investimit? A ka vend për shqetësim nga ana e publikut?

Më vjen mirë që e ngritët këtë shqetësim sepse është folur jo pak ditët e fundit në mediat e shkruara dhe vizive për këtë ngjarje dhe ka pasur një ndjeshmëri të lartë nga publiku. Janë disa momente të rëndësishme që duhen sqaruar.

Së pari duhet përmendur se kjo shoqëri nuk ishte liçensuar as nga AMF dhe as nga Banka e Shqipërisë për të kryer rolin e një broker-i, i cili i ofron publikut produkte apo këshillim financiar dhe ky është një lajm shumë i mirë. Por fatkeqësisht edhe pse rezulton të ketë qenë një shoqëri e paligjshme, shumë individë i çuan kursimet e tyre dhe i humbën ato. Kjo tregon që duhet më tepër kujdes nga ana e publikut kur zgjedhin ku t’i çojnë paratë e tyre dhe duhet më tepër sensibilizm i publikut nga ana e autoriteteve rregullatore.

Deklarata dhe dalje publike si ato që kemi parë nga AMF ditët e fundit janë shumë pozitive për besimin e publikut dhe duhet të jenë edhe më të shpeshta e të vazhdueshme për çështjet e tregut.

Së dyti, dëshiroj të theksoj qe ka një dallim të madh mes shërbimeve që ofrojnë shoqëri si Easy Invest dhe fondeve të investimit si ato që adminsitron Raiffeisen Invest, prandaj nuk ka asnjë arsye për shqetesim nga ana e publikut.

Raiffeisen Invest nuk ofron platforma investimi, por kujdeset që t’i investojë vetë asetet e investitorëve përmes një procesi profesional dhe transparent të mirëkontrolluar. Në këtë mënyrë shmanget mundësia që njerezit të humbasin paratë e tyre si pasojë e investimeve, të cilët ata nuk i kuptojnë dhe mbartin rreziqe për të cilat nuk janë informuar.

Fondet e Investimit liçensohen dhe monitorohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe ndërtohen e menaxhohen me kujdes e profesionalizëm nga specialistë të aftë të fushës, kurse në rastin e platformave të investimit duhet një nivel shumë i lartë njohurish për tregjet dhe instrumentet financiare për të investuar me sukses, sepse instrumentet financiare kanë kompleksitet dhe luhatshmëri të lartë.

Në rastin e Raiffeisen Invest, përveç kontrollit dhe kujdesit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe bankës Raiffeisen Bank, fondet janë subjekt i kontrollit dhe aplikimit të standardeve më të larta europiane nga Raiffeisen Bank International.

Besimi i publikut dhe transparenca janë esenciale për tregun financiar, ndaj dhe është shumë e rëndësishme që publiku të informohet dhe të mbrohet sa të jetë e mundur nga spekulimet dhe praktikat e dëmshme, apo në rastin më të keq të jashtëligjshme. Dhe kjo është detyrë e të gjithëve duke përfshirë këtu aktorët e tregut, autoritetet rregullatore dhe median.

 

burimi: mapo.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0