Financimi i Start-up-eve në Shqipëri, sfidat dhe mundësitë/ Ku mu... - Business Magazine Albania

Jetona Myteveli: Ja si mund të sigurojnë startup-et shqiptare financim të qëndrueshëm?

Ekosistemi i start-up-eve në Shqipëri është në zhvillim të vazhdueshëm, megjithatë ende përballet me sfida të mëdha, veçanërisht në aspektin e financimit.

Jetona Myteveli, eksperte e zhvillimit të biznesit, nëpërmjet një interviste me Business Magazine, solli një panoramë të mundësive dhe vështirësive që hasin sipërmarrësit e rinj në sigurimin e fondeve për idetë e tyre.

Lexo gjithashtu: Ekosistemi shqiptar i start-up-eve në rrugën e duhur, firmosen marrëveshje bashkëpunimi me rrjete ndërkombëtare investitorësh

  1. Cilat janë burimet më të aksesueshme të financimit për start-up-et në Shqipëri?

Në Shqipëri, startup-et kanë disa opsione për financim, ku më të aksesueshmet janë grantet nga qeveria shqiptare, pushteti vendor, donatorët ndërkombëtarë dhe projektet e ndryshme të BE-së. Këto mbështetje synojnë jo vetëm krijimin dhe zhvillimin e biznesit, por edhe formalizimin e tyre.

Ndërkohë, edhe sektori bankar po fillon të kuptojë nevojat specifike të startup-eve dhe ka krijuar produkte të dedikuara për ta, edhe pse këto ende nuk janë të njohura gjerësisht. Një tjetër burim financimi janë fondet e siguruara nga rrjeti familjar dhe miqësor, i cili mbetet shpesh zgjidhja më e shpejtë për sipërmarrësit e rinj.

Nga ana tjetër, financimi përmes venture capital dhe business angels është ende në fazat fillestare në Shqipëri. ende llogarite bankare shqiptare nuk perfitojne nga skema e crowdfund per biznes.  Edhe pse këto forma kanë filluar të marrin vëmendje, mungon një paketë e plotë ligjore për t’i institucionalizuar dhe zhvilluar më tej.

Ajo që po ndodh gjithmonë e më shumë është specializimi i mbështetjes sipas sektorëve dhe përfituesve. Ne fillojmë së shpejti me EIT Food, një projekt në mbështetje të grave sipërmarrëse në sektorin e ushqimit. Në këtë program, 10 gra sipërmarrëse do të mbështeten me mentorim, këshillim, njohuritë e EIT European Innovation & Technology Institute Food, si dhe rrjetëzim me gra nga 8 vende të Europës. Dy nga përzgjedhurat do të kenë gjithashtu financim. Ndërkohë, një Expo rajonale me UN Women prej 2022 ndihmon gratë sipërmarrëse të eksplorojnë tregje të reja dhe të zhvillojnë startup-e me vlerë të shtuar.

Lexo gjithashtu: AGC dhe bashkëpunimet rajonale, si po e ndihmon Albanian Gaming Community zhvillimin e lojërave?

  1. Cilat janë sfidat kryesore që hasin start-up-et shqiptare për të marrë financim dhe si mund të kapërcehen këto pengesa?

Startup-et shqiptare përballen me disa sfida kryesore për të siguruar financim:

  • Kapaciteti për të përgatitur një propozim të mirë – Shumë sipërmarrës nuk kanë njohuritë e duhura për të përgatitur një plan të strukturuar biznesi dhe një aplikim të suksesshëm për financim.
  • Aftësia për të bërë pitching bindës – Bindja e investitorëve kërkon jo vetëm një model të mirë biznesi, por edhe aftësi të shkëlqyera komunikimi dhe prezantimi.
  • Kufizimet e fondeve – Edhe pse ekzistojnë shumë burime financimi, ato shpesh mbeten të kufizuara dhe me konkurrencë të lartë.
  • Inovacioni dhe rritja – Shqipëria ka potencial për ide inovative, por mungesa e mbështetjes së vazhdueshme dhe vështirësitë në ndërtimin e ekipeve të përkushtuara e bëjnë sfiduese krijimin e startup-eve të suksesshme me rritje të shpejtë.

Për të kapërcyer këto sfida, është e nevojshme që sipërmarrësit të punojnë më shumë në kapacitetet e tyre menaxheriale, të investojnë në trajnim dhe mentorim dhe të përqendrohen te ndërtimi i rrjeteve të forta profesionale.

Lexo gjithashtu: “Trailblazer Community Albania”, një komunitet që ndihmon pjesëmarrësit të rriten në botën e teknologjisë dhe inovacionit

  1. A ka programe ose iniciativa konkrete nga qeveria shqiptare apo organizata ndërkombëtare që ndihmojnë start-up-et me financim?

Po, aktualisht ka disa iniciativa nga qeveria dhe organizatat ndërkombëtare që mbështesin startup-et. Disa prej tyre janë: Start-up Albania – Iniciativë qeveritare për të mbështetur startup-et përmes granteve dhe mentorimit. Programet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEKI) dhe Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) – Skema që ofrojnë mbështetje për bizneset e reja.

Programet e financuara nga BE-ja dhe donatorët ndërkombëtarë, si EU4Innovation, EIT Community Hub, GIZ, dhe SIDA. Një nga iniciativat më të reja është bashkëpunimi i Qendrës Balance me Frankfurt School of Finance and Management, shkolla më e madhe e financave në Gjermani. Projekti Akselerator Biznesi: Fuqizimi i Sipërmarrësve për Sukses ofron trajnime dhe mentorime falas për startup-et, të financuara nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW.

Lexo gjithashtu: DuaCrypto, promovimi i pavarësisë financiare përmes kriptomonedhave dhe blockchain

  1. Si mund të përgatitet një sipërmarrës për të bindur një investitor apo institucion financiar të mbështesë start-up-in e tij?

Një sipërmarrës duhet të ketë:

  • Shpirt sipërmarrës dhe këmbëngulje
  • Një model biznesi inovator
  • Një ekip të fortë dhe rrjet të gjerë
  • Aftësi për të komunikuar dhe prezantuar idenë bindshëm
  • Njohuri të mira financiare
  1. Si qëndron Shqipëria në krahasim me vendet e rajonit për sa i përket financimit të start-up-eve?

Ekosistemi shqiptar i startup-eve është zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit, por ende ka shumë punë për të bërë. Përparësia e Shqipërisë duhet të jetë fuqizimi i ekosistemit të përgjithshëm.

Lexo gjithashtu: Siguria kibernetike dhe inovacioni, si po e transformon NEXUS Albania ekosistemin teknologjik shqiptar?

  1. Çfarë këshille do t’u jepnit sipërmarrësve të rinj që kërkojnë financim për idetë e tyre?
  • Të zhvillojnë një model biznesi inovator
  • Të diversifikojnë burimet e financimit
  • Të eksplorojnë financime jashtë Shqipërisë
  • Të investojnë në aftësitë e tyre personale dhe profesionale

Me anë të kësaj bisede me zonjën Myteveli, kuptuam që vërtetë financimi i start-up-eve në Shqipëri është sfidë, por me qasjen e duhur, me mbështetjen institucionale dhe me zhvillimin e këtij ekosistemi në tërësi, mund të krijohen mundësi të reja për bizneset inovative. Me angazhimin e qeverisë, sektorit privat dhe organizatave ndërkombëtare, Shqipëria mund të ndërtojë një mjedis më të favorshëm për startup-et, duke i ndihmuar sipërmarrësit e rinj të kthejnë idetë e tyre në histori suksesi.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0