Tirana mirëpriti me 18 qershor, finalen e Woman Startup Competition Albania, një event që theksoi rolin e grave në sipërmarrje dhe inovacion. Juria e përbërë nga sipërmarrës dhe profesionistë të suksesshëm si Nevila Dudaj, sipërmarrëse Adriatik Hotel dhe Adriatik Travel; Linda Shomo, drejtuese e EasyPay; Ergyseda Prenga, Associate, EBRD Këshillim për Bizneset e Vogla; Orfea Dhuci, CEO, UBA Bank dhe Albana Vrioni CEO, Vrioni Consulting dhe Drejtore Ekzekutive e WOB AL ofroi këshilla të vlefshme dhe mundësi bashkëpunimi për pjesëmarrësit. Juria drejtoi pyetje kritike mbi planet e biznesit të konkurentëve, duke u fokusuar në potencialin e tyre për zhvillim dhe sukses.
Ndërsa juria merrte kohën e saj për të vendosur fituesit, një panel i veçantë u zhvillua, duke përfshirë gra të mirënjohura për profilin e tyre profesional dhe kontributet për gratë në tregun e punës. Paneli përfshinte znj. Herjola Spahiu, CEO e NOA SHA, Felice Emanuels, Dren Abazi Brand, Antonela Hako, Kryetare e WECA, Fationa Myftari, zhvilluese Logical Albania dhe Jorina Kadare, përfaqësuese e Startup Albania. Diskutimet u fokusuan në progresin e bërë për lehtësimin e startup-eve, pozicionimin e grave në tregun e punës dhe inovacionin në punën e tyre.
Fitueset e Woman Startup Competition
Në fund të ngjarjes, bursat prej 80% në Universitetin New Heaven për degën e lidershipit u dhuruan për të gjithë konkurentët finalistë. Çmimet kryesore shkuan për:
1. Çmimi i parë: Psikologu Online
-Duke qenë se problemet e shëndetit mendor po prekin gjithmonë e më shumë njerëz në mbarë botën, ky startup sjell idenë e një platforme online që e bën mbështetjen e shëndetit mendor më të aksesueshme, të shpejtë dhe profesionale. Fokusi është kujdesi për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke adresuar nevojat dhe sfidat e tyre unike të shëndetit mendor. Platforma e Psikologu Online, synon të forcojë pozicionin e saj si një platformë e besueshme për shërbime psikologjike.
2. Çmimi i dytë: Sun Language Center
– Sun Language Center, aktualisht një qendër kursesh në Sukth, e cila dëshiron të shtojë shërbime të tjera në dobi të komunitetit ku jeton. Kjo është arsyeja pse synon që qendra e saj të jetë një bazë edhe për programe të tjera edukimi dhe formimi në fushën e formimit profesional. Përmes kurseve në IT dhe soft skills, ajo do të synojë punësimin e shpejtë të personave të papunë në zonën përrreth.
3. Çmimi i tretë: Zahire.al
-Zahire.al po punon për krijimin e një tregu digjital për të kontribuar në ekonomitë e familjes rurale dhe për të ruajtur një traditë të dashur. Një treg online, i cili lidh hendekun midis prodhuesve ruralë dhe blerësve urbanë, duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe duke mbështetur ekonomitë rurale. Platforma do të lançohet në shtator me një website të gatshëm, duke synuar të ofrojë produkte të veçanta dhe autentike shqiptare.
Startupe të tjera pjesëmarrëse ishin edhe:
Dr Lyke
– Ky startup po punon për krijimin e një platforme për konsultime mjekësore në distancë, dizenjuar posaçërisht për të mbushur hendekun në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor për banorët e zonave të largëta, duke ofruar shërbime telemjekësie. Shërbimi bazë është falas, duke ju kursyer kohë dhe duke siguruar akses të shpejtë te specialistët. Skuadra sipërmarrëse ka formim në mjekësi dhe kanë punuar më parë për kompani amerikane.
Puja creatives
– Puja vjen me idenë e krijimit të produkteve kreative kuptimplota me impakt social dhe mjedisor. Përmes Puja Creatives, synohet të ndërtohet dhe promovohet një lidhje e thellë me vlerat, kulturën, artin dhe historinë teksa nxitet konsumi i vetëdijshëm. Grupet e synuara janë të rinjtë, diaspora, turistët, si dhe të apasionuarit pas artit, historisë dhe kulturës. Ky startup i gjendur në sferën kulturore, artistike, dhe artizanale, duke ofruar produkte eco-friendly dhe një gamë të gjerë artikujsh si tote bags, bookmarks, postcards, dhe libra me ngjyrosje.
SpiritCraft Albanian Souvenirs
– Ofrojnë suvenire autentike shqiptare me QR code për më shumë informacion. Një aspekt që duhet përmirësuar është prodhimi i disa produkteve në Kinë, duke synuar të jenë 100% autentike shqiptare në të ardhmen.Misioni tyre është të krijojnë suvenire që kombinojnë traditën me inovacionin. Ata synojnë të ofrojnë një përvojë të re blerjeje dhe të ndërtojnë një lidhje të fortë me klientët. Me produkte unike që pasqyrojnë trashëgiminë dhe kulturën skuadra e SipiritCraft Albania kërkon të sjellë një frymë të re në tregun e suvenireve.
KreoSpace
-Kreospace vjen me një ide për krijimin e një hapësirë bashkëpunimi inovative e vendosur në hapësira publike (park ose tarracë). Hapësira vjen me një numër të kufizuara vendesh, ku mund të rezervoni vendin tuaj, nëpërmjet aplikacioni kundrejt një tarife. Startupi synon të sjellë hapësira pune, me mjedise frymëzuese dhe pranë natyrës.
Ratt Tech Legal
– Ky startup synon të revolucionizojë peizazhin ligjor, duke siguruar inovacion dhe zgjidhje ligjore të aksesueshme. Qëllimi i Ratt Tech është të bëjë ligjin më të aksesueshëm për të gjithë, përmes fuqisë së AI. Gjithëçka do të jetë transparente dhe e përballueshme për klientët.
Finalja e Woman Startup Competition Albania ishte një event inspirues për promovimin e grave në sipërmarrje, duke ofruar një kombinim të këshillave praktike, mundësive për bashkëpunim, dhe njohje për punën dhe inovacionin e tyre.
Për të dytin vit radhazi, Women Startup Competition në Tiranë ka si mbështetës kryesor BERZH Këshilla për Bizneset e Vogla, financuar nga EU – Western Balkans Enterprise Development & Innovation Facility (EDIF).
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.