Ferma që mund ta keni edhe në shtëpinë tuaj - Business Magazine Albania

Ferma që mund ta keni edhe në shtëpinë tuaj


A e njihni sistemin e hidroponisë? Së fundi në Shqipëri po zhvillohet kjo lloj bujqësie. Një alternativë më ekologjike për të siguruar produkte ushqimore. “Hidrofarm” është e para fermë e tillë e hapur dhe gjendet në afërsi të autostradës Tiranë-Durrës.

Intervistë me Ina Nanaj – HidroFarm

BM: Sa kohë keni që keni filluar? Si nisi gjithçka? Mund të na tregoni më tepër në lidhje me fermën tuaj?

Nisi si çdo biznes me shpirt dhe pasion të madh…nisi nga nevoja e produkteve organike në treg, bashkëvepruar me eksperiencën e fituar prej vitesh në këtë fushë.

Janë bërë tashmë 4 vjet nga dita e parë e ndërtimit të serës së parë, kur kemi ideuar, projektuar dhe ndërtuar planin e parë të prodhimit, shitjes dhe kështu me radhë. Nuk janë shumë për një fermë të vogël si kjo e jona ku 4000 m2 krijojnë një cikël të mbyllur të prodhimit të perimeve, shitjes dhe konsumimit si ushqim për kafshët e fermës. Por, janë të mjaftueshme për të vënë emrin e duhur në tregun e madh të prodhimeve të shumëllojshme.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 8 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

Ferma “HidroFarm” është një projektim i dy personave të lindur dhe shkolluar në qytet dhe specializuar në këtë fushë, ku shpirti i punës dhe bashkimi nga i njëjti vizion krijoi një fermë të vogël. Ferma është e ndarë në dy pjesë, në 2000 m2 serë e mbuluar dhe e kompletuar me sistemet përkatëse për të siguruar një habitat të shëndetshëm për bimët dhe 2000 m2 fushë e hapur e organizuar kjo për mbjellje sipas sezonit dhe ambjenti i kafshëve.

Pas 4 vitesh ekperiencë me teknologjinë organike me të gjitha kulturat bujqësore, mundem të them që kjo është një punë shumë e bukur, e cila vlen për kë ka njohuritë e duhura dhe dëshirën për të ndërtuar diçka të shëndetshme për veten dhe komunitetin.

BM: Pse keni zgjedhur këtë teknikë? Çfarë avantazhesh ka ajo?

Teknika e kultivimit të fruta – perimeve në hidroponi nuk është e re për botën jashtë. Është një teknikë e studiuar dhe e konceptuar për të arritur kultivimin e fruta – perimeve në mënyrë intensive dhe të sigurta. Kultivimi në sistemin hidroponik mundëson një rritje të bimës në mënyrë natyrale pa pesticide, insekticide dhe herpicide, kimikate të dëmshme për organizmin nëse përdorimi do të jetë i gjatë. Bota sot vuan nga pasojat e përdorimit masiv pa kontroll të kimikateve në fushën e bujqësisë dhe më gjerë. Toka ka arritur pikën e ngopjes dhe duhet kohë të filtrosh, sterilizosh dhe fuqizosh tokën në mënyrë që të arrijë të prodhojë një bimë të shëndetshme.

Avantazhet e Sistemit Hidroponik janë:

  • mundësi e kontrollit rigoroz deri në miligram i përdorimit të ushqimit për bimën – kjo do të thotë që për fermerin nuk ka shpërdorim të materialeve bujqësore.
  • kontrollim rigoroz të sasisë së ujit në përdorim. Duke qenë se është një sistem i mbyllur dhe qarkullues arrijmë të përdorim 1/100 e sasisë së ujit, të cilën do ta përdornim në kultivimin me tokë.
  • sistemi hidroponik mundëson rritjen e produktit në mënyrë totalisht të qetë nga faktorë ngacmues dhe dëmtues për bimën, pasi dëmtuesit e tokës janë automatikisht të eleminuar, uji kalon në sistem filtrimi dhe bimës i shkon një ujë më shumë se i pijshëm nga njeriu, një ujë 100% i pastër nga ana bakteriologjike dhe kimike.
  • sistemi hidroponik të kushtëzon vetëm diçka – një strukturë sere të kompletuar nga aksesorët e duhur për bimën duke filluar nga ventilimi, hijëzimi, ndriçimi etj.

BM: A nuk do të ishte më e thjeshtë të prodhonit dhe të shisnit, si shumë të tjerë?

Nuk do të ishte më e thjeshtë të prodhonim si gjithë të tjerët, thjeshtë do ishim si të tjerët. Ndryshimet e mëdha duan energji dhe financa të mëdha. Nëse nuk do dinim rreziqet që sjell konsumimi ditor i fruta – perimeve me mbetje të kimikateve, pesticideve, insekticideve dhe herpicideve ndoshta do kishim sot një biznes tjetër. Shqipëria ka të gjitha kushtet klimaterike të prodhojë produkte organike, natyrale. Mjaftojnë disa rregulla, standarde dhe mbështetje financiare për ta kthyer Shqipërinë në hartë si një tokë e shijshme dhe e pasur.

BM: Cili është ndryshimi mes kësaj teknike dhe tradicionales në prodhimin e perimeve? Sa është sasia që prodhoni mesatarisht dhe a keni në plan të eksportoni?

Le ta themi thjeshtë. Në një metër katror tokë mund të mbjellim 20 fidanë sallatë. Në një metër katror tokë në sistemin hidroponik mund të mbjellim rreth 120 fidanë sallatë. Përveç sasisë ju përmenda dhe cilësinë më të lartë. Ne kemi preferuar të investojmë në një sistem në të cilin nga ana financiare do përmblidhnim të gjitha shpenzimet e 10 viteve të një ferme tradicionale në një investim fillestar, ku mirëmbajtja dhe gabimi njerëzor, ndikimet e jashtme nuk ndikojnë në mbarëvajtjen e bimës, cilësisë së saj dhe sasisë së prodhuar. Mendoni një tokë prodhuese me 10 kate, ky është sistemi Hidroponik.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 8 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

Unë kam një shprehje – më thuaj sa metra katror ke, të të them sa organik je. Për kushtet tona ne sot akoma nuk jemi në fazë zgjerimi ku të arrijmë sasinë e duhur për eksport. Tregu ynë është Tirana dhe disa qytete bregdetare.

BM: Sa të punësuar keni? Si e keni organizuar punën?

Teknologjia po zëvendëson dorën e njeriut dhe për pak ndoshta as ne nuk do të duhemi më. Dy punëtorë janë të mjaftueshëm për fermën tonë për të përmbushur të gjitha nevojat e fermës. Ferma ka prodhime toke ku teknologjia e përdorur për rritjen e bimëve është biologjike, gjithashtu kafshët, të cilat ushqehen me prodhimet e fermës.

BM: A keni patur mbështetje nga palë të tjera? A keni marrë ndonjë investim për fermën tuaj?

I gjithë investimi është bërë nga fondet tona private dhe mbështetje nga palë të tjera nuk ka, pasi inovacione të tilla nuk po dinë si të përthithen dhe kuptohen. Në skemat mbështetëse nevojitet mbështetja e fermave organike dhe natyrale të vërteta. Kjo bëhet vetëm kur të vendoset një standard shtetëror me një institucion përkatës ku të na sigurojë ne si prodhues që nuk ka më abuzime me fjalën organike, bio, natyrale, ku siguron konsumatorin se produkti që merr është produkt i freskët shoqëruar me fletë analize. Në disa sektorë të bujqësisë kjo është bërë, nevojitet urgjent të bëhet edhe në sektorin e prodhimit bujqësor.

BM: Cilat janë planet afat-gjatë që keni për fermën?

Kemi mësuar një gjë këto 4 vjet. Në Shqipëri, biznes-plani fillestar do t’ju kërkojë shtesa të planifikimeve dhe parashikimeve nga më të ndryshmet. Edhe ato që sdo ju shkonte mendja kurrë. Kjo bën shtyrjen e pritshmërive dhe ngadalësimin e realizimit të planit. Plani afat-shkurtër është futja e sistemit hidroponik në një koncept të ri edhe për qytetin nëpërmjet fasadave vertikale të gjelbërta me bimë dekorative ose fruta perime për të ulur ndotjen e ambjentit, shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta, uljen e ndotjes akustike dhe kuptohet për të sistemuar estetikisht qytete apo ndërtesa urbane dhe rurale. Koncepti i ri që duam të fusim janë kopshtet vertikale të gjalla me një impakt të drejtpërdrejtë për njerëzit dhe për të ardhmen.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 8 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0