Europa ende në sfidën e aplikimit të shkencës në biznes - Business Magazine Albania

Europa ende në sfidën e aplikimit të shkencës në biznes


Për një rritje të shpejtë të sipërmarrjes private dhe ekonomisë nevojitet kthimi i shkencës në biznes. Komisioni Europian ka prezantuar në Tiranë instrumentin e tij më të ri për të kthyer shkencën në biznes dhe për të përshpejtuar rritjen e kompanive inovative që sjellin risi.

Turneu i Këshillit Europian të Inovacionit” u ndal në Tiranë për të mbajtur një sesion informues lidhur me instrumentet më të reja në mbështetje të kërkuesve shkencorë dhe novatorëve apo shpikësve të rinj, e me fokus te veçantë tek aktorët e sektorit privat (si startup-et, NVM-të, novatorët e rinj etj.).

Përfaqësuesit e Bashkimit Europian vunë në dukje se kontinenti shquhet për zhvillimin shkencor, por aplikimi i shkencës në biznes është në nivele më të ulëta se në rajonet e tjera ndërkombëtare. Për të konkurruar në tregjet globale, të ndikuara gjithnjë e më shumë nga teknologjitë e reja, Europës i duhet të shfrytëzojë kërkimet e fundit shkencore dhe startup-et.

Kjo është arsyeja pse së fundi, Komisioni Europian, ka krijuar Këshillin Europian për Inovacionin (KEN); për të kthyer shkencën në përfitime ekonomike dhe për të përshpejtuar rritjen e kompanive inovative.

Programi i punës i Këshillit Europian për Inovacionin (KEN) për vitin 2019-2020, parashikon një mbështetje financiare prej rreth 2 miliardë Euro, duke përfshirë në këtë buxhet disa instrumenta tashmë ekzistues dhe disa risi. Instrumentët kryesorë janë “Pathfinder”, i cili mundëson grante deri në 4 milionë Euro për të promovuar bashkëpunimin në kërkimin ndërdisiplinor dhe inovacionin mbi teknologjitë e reja të frymëzuara nga shkenca.

Instrumenti i dytë është “Accelerator”. Ai u drejtohet startup-eve dhe sipërmarrësve, të cilët duan të ndërmarrin iniciativa për biznese novatore me rrezikshmëri të lartë. Ky instrument vjen me mbështetje nëpërmjet granteve, si dhe në formën e financimit të kombinuar (kombinimi i granteve dhe aksione kundrejt kompanisë).

Qytetarët e Shqipërisë, si një nga vendet partnere të Programit Horizon 2020, mund të aplikojnë për këto instrumente financimi dhe në thirrjet e ardhshme të KEN.

Paneli diskutoi politikat e reja të EIC dhe çfarë po ndodh në nivel kombëtar në Shqipëri lidhur me mbështetjen ndaj inovacionit.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi tha se, “Mbështetja e novatorëve  është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Është mënyra jonë për të qenë pjesë e revolucionit dixhital dhe për të ecur me të njëjtin ritëm me Europën. Ne synojmë të inkurajojmë startup-et dhe jemi në proces të përgatitjes së një kornize legjislative gjithëpërfshirëse, si dhe të politikave dhe instrumenteve shoqërues për të siguruar krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm që promovon inovacionin”.

Lidhur me rolin e Ministrisë Financave dhe Ekonomisë, Zv. Ministrja Dajna Sorensen tha se, “Inovacioni nuk është qëllim në vetvete, por është një mënyrë për krijimin e më shumë vendeve të punës”.

Me përfaqësues ndërkombëtarë e vendas të kësaj fushe, si Marsela Robo, Albana Halili, Luisa Prista, paneli solli një panoramë të situatës dhe sfidave të kërkim-zhvillimit në vend.

Ndër sfidat janë: niveli i ulët i informacionit, akses i ulët dhe mungesë kapacitetesh për të përftuar fondet e BE-së për fushat e kërkimit dhe inovacionit.

Pjesë e takimit ishin edhe hartues të politikave në mbështetje të konkurrueshmërisë dhe inovacionit, përfaqësues nga universitete, përfshirë pikat kombëtare të kontaktit për Programin H2020, hulumtues, përfaqësues nga sektori privat, NVM dhe startup-e.

Çfarë është projekti “BE për Inovacionin”

Financuar nga Bashkimi Europian, me mbështetje të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) si dhe Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), projekti “BE për Inovacionin” synon të forcojë ekosistemin e novacionit dhe të promovojë e nxisë krijimin e startup-eve në Shqipëri. Ndërhyrjet do të mbështesin rritjen e kapacitetit për inovacion/risi mes palëve të interesuara të ekosistemit (start-up-et, organizatat në mbështetjetë inovacionit dhe hartuesit e politikave), ndërtimin e lidhjeve brenda ekosistemit shqiptar të novacionit dhe atij ndërkombëtar, si dhe financimin e startup-eve inovative dhe organizatave në mbështetje të inovacionit. Zbatimi i projektit do të vazhdojë deri në shtator 2021; zbatohet nga GIZ dhe Ambasada Suedeze në Tiranë. Projekti ka një buxhet prej 7.539.238 Euro (kontributi i BE-së: 6.600.000 Euro, kontributi gjerman: 719.238 Euro, kontributi suedez: 220.000 Euro).

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0