Enio Jaço: Sfidat 2023 - më të ashpra se ato të 2022 - Business Magazine Albania

Enio Jaço: Sfidat 2023 – më të ashpra se ato të 2022

Enio Jaço

Në këtë fillimviti sipërmarrësi dhe Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço ka ndarë me audiencën një refleksion të tij për sfidat e ekonomisë shqiptare në këtë periudhë ekonomike me sfidën e madhe të recesionit.

Lexoni më poshtë mesazhin e tij:

Realiteti global afatshkurtër është i ashpër. “Presim që një e treta e ekonomisë botërore të hyjë në recesion”, thotë përfaqësuesja e FMN, Georgieva. Sipas saj, edhe për vendet që nuk janë në recesion: “Do të ndihet si recesion për qindra miliona njerëz.”

Aresyeja është se tre ekonomitë më të mëdha botërore, Amerika, Europa dhe Kina po ngadalësohen njëkohësisht. Ndërsa SHBA mund të shmangë një recesion të mundshëm, situata duket më e zymtë në Europë, e cila është goditur rëndë nga lufta në Ukrainë. “Gjysma e Bashkimit Europian pritet të jetë në recesion”, shtoi Georgieva.

Por, efektet e recesionit janë domino. Dhe nën ethet e këtij paralajmërimi – Shqipëria është ndër vendet vulnerabël, përfshirë dhe vende të tjera në Ballkanin Perëndimor.

Katër kërcënime i shigjetohen Shqipërisë. Së pari, vijimi i emigracionit – njerëzit në mungesë të mundësive do vijojnë t’i kërkojnë ato gjithnjë e më shumë jashtë vendit. Nuk ka arsye thelbësore që ky trend do ndryshojë.  Së dyti, inflacioni – megjithëse ai global po frenohet – pritet të vijojë të jetë i ndjeshëm, duke shkaktuar efekte, sidomos në shtresat sociale vulnerabël. Së treti, kriza energjetike po trondit balancat e përfitueshmërisë për disa biznese, duke vënë në dyshim planet e investimeve.  Së fundi, sfidat gjeopolitike rajonale dhe vështirësia që Kosova me Serbinë po tregojnë për arritjen e një marrëveshje, do vijojë të ngadalësojë tregtinë rajonale dhe shansin për një progres të shpejtë Ballkanik ‘në bllok’ drejt Europës.

Por jo çdo gjë është e zymtë. Shqipëria mund të përfitojë investime dhe rritje ekonomike nga dy momente.  Së pari, negociatat e sapo-hapura me BE, ofrojnë një shans unik për të adaptuar një kornizë reformash strukturore që do sillnin akses në milliona dollarë fonde dhe ‘ripërtërim’ të aftësive profesionale.  Por, që të ndodhë kjo ka nevojë për një vullnet real për t’u transformuar.

Së dyti, konfliktet globale gjeopolitike po detyrojnë kompanitë perëndimore multinacionale të kërkojnë për tregje të reja prodhimi.  Por që të përfitojë Shqipëria ka nevojë të përmirësojë ofertën e prodhimit, e cila deri tani është fokusuar vetëm në ‘çmim të ulët’.  Dhe që ta bëjë këtë me sukses, si gjithmonë ka nevojë për një partneritet të mirëfilltë të administratës publike me sektorin privat.  2023 do e testojë realisht këtë mundësi.

 

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0