Endri Dibra është doktor i shkencave kompjuterike, i cili punon dhe jeton në Zyrih, Zvicër. Ai është thelemues i kompanisë Arbrea Labs. Së fundi Endri, ka fituar çmimin Inovacioni i Vitit në ICT Awards me aplikacionin e tij të veçantë. Aplikacioni quhet Digital Human Avatars and AI from Smartphones for AR Body dhe ofrohet për kirurgët dhe pacientët, të cilët dëshirojnë të kryejnë operacione rikonstruktive dhe estetike. Për të mësuar më shumë rreth Arbrea Labs, aplikacionit dhe planeve të së ardhmes ne kemi zhvilluar një intervistë me Endrin.
Si ka filluar rrugëtimi juaj në fushën e teknologjisë?
Teknologjia ka në bazë matematikën. Që në moshë të vogël kam qenë i apasionuar pas saj dhe kam marrë pjesë në Olimpiadat e Matematikës, duke u shpallur shpesh fitues në rang qyteti apo kombëtar. Kjo mbase më ka dhënë zemër që të studioj për Inxhinieri Elektronike dhe Shkenca Kompjuterike në Gjermani (bachelor), Robotikë në Zvicër (master), të kem eksperiencë të mjaftueshme në kërkim shkencor pranë Qendrës Kërkimore Shkencore të Inteligjencës Artificiale Gjermane dhe Disney Research dhe në fund ta kurorëzoj rrugëtimin tim akademik me një PhD në Inteligjencë Artificiale dhe Përllogaritje Vizuale (Visual Computing and AI) pranë Politeknikut të Zyrihut (ETH Zurich)
Artikulli u publikua më parë në faqen 64 të numrit 24 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.
Si lindi ideja për themelimin e Arbrea Labs?
Ideja për të themeluar Arbrea Labs lindi gjatë vitit të dytë të doktoraturës në Politeknikun e Zyrihut. Në atë kohë unë hulumtoja rreth teknikave të fundit për krijimet e Avatarëve Dixhitalë Njerëzore 3D direkt nga fotot, me një gamë aplikimesh shumë të gjerë: filma, monitorim shëndeti, fitness, tele-prezenca, matja e përmasave trupore në mënyrë automatike për arsye blerjesh online, kirurgji etj. Avatarët 3D janë një imitim dixhital virtual i personave realë. Ishte pikërisht ndërthurja perfekte e tematikës sime mbi Avatarët digjitalë 3D dhe pasionit për mjekësinë (kirurgjinë), frymëzuar nga babai im mjek reanimator anestezist, që më bëri të themeloj Arbrea Labs, me fokus pacientët e kancerit të gjirit, të cilat trajtohen me kirurgji rikonstruktive. Po ashtu dhe pacientët që bëjnë ndërhyje estetike.
Cili është kuptimi i emrit të Arbrea Labs?
Arbrea Labs ka pasur dy kuptime që në gjenezë. Së pari ARBrea po ta shohësh në aspektin e akronimeve është: Augmented Reality for Breast (Realitet i Shtuar për Gjirin). Por ky bashkim rrokjesh nuk është vendosur pa qëllim : Arbrea lexohet ‘Arbria’ në anglisht, term ky që më lidh me Shqipërinë (Arbërinë). Labs –është shkurtimi i fjalës Laboratories, pasi ne kemi në përbërje të ekipit shumë ekspertë të fushës së teknologjisë, kryesisht doktorantë, informaticienë dhe profesorë nga Politekniku i Zyrihut.
Cili është misioni i kompanisë tuaj?
Arbrea Labs është krijuar për të ndihmuar pacientët, të cilët planifikojnë t’i nënshtrohen një ndërhyrje kirurgjikale rikonstruktive ose estetike në trupin dhe fytyrën e tyre, të marrin një informacion sa më të detajuar nga ana vizuale të rezultateve të mundshme të një operacioni kirurgjik ose trajtimi estetik. Pra, ky mjet i ndihmon ata në vendimmarrje dhe njëkohësisht shërben për të ulur nivelet e ankthit dhe stresit të pacientëve.
Njëkohësisht dhe natyralisht ne ndihmojmë edhe kirurgët, që të edukojnë dhe t’u komunikojnë pacientëve të tyre, në mënyrë vizuale, rezultatet potenciale post-kirurgjikale.
Në themel të teknologjisë së kompanisë, ne vazhdojmë të zhvillojmë teknikat e fundit të krijimit të Avatarëve Dixhitalë Njerëzorë 3D direkt nga fotot e marra nga celularët apo tabletet.
A ka qenë e vështirë të integroheshit në tregun ndërkombëtar?
Fatmirësisht jo, pasi që nga hedhja e produktit në treg kemi pasur kërkesa nga kirurgë të shteteve të ndryshme. Natyrisht COVID-19 në fillimet e tij na e ka ngadalësuar pak këtë proces, por po mundohemi ta rikuperojmë nëpërmjet komunikimeve online.
Ju fituat çmimin Inovacioni i Vitit në ICT Awards. Çfarë e diferencon aplikacionin tuaj?
Dua te theksoj, që të krijosh Avatarët Digjitale Njerëzore 3D nga një ose dy fotografi të personit, është ende një temë e pa zgjidhur e fushës së shkencave kompjuterike, të cilën ne vazhdojmë ta avancojmë më tej si teknologji. Siç përmenda edhe më lart, Avatarët 3D kanë aplikueshmëri të gjerë dhe kjo do të jetë edhe më e dukshme në vitet në vazhdim. Për më tepër, aplikimi i Realitetit të Shtuar (AR) direkt në trupin e njeriut, në kohë reale dhe me procesim direkt në pajisje është po ashtu e vështirë të realizohet.
Si funksionon konkretisht aplikacioni juaj?
Për ta shpjeguar me fjalë të thjeshta, pacienti, me anë të kamerës që ka vetë iPhone apo iPad, kryen një skan (për këtë nevojiten vetëm 3 foto). Pas shkrepjes së fotove, algoritmat llogarisin formën dhe volumin e trupit, po ashtu ngjyrën e lëkurës, shkëlqimin si pasojë e dritës që bie, etj. Përzierja e këtyre elementëve përbën atë që quhet Avatari Dixhital 3D i Personit. Ky i fundit mund të modifikohet nga kirurgët në bazë të kontrolleve të thjeshta (si p.sh. butona, sliders), ku secili modifikim nënkupton algoritma të komplikuara bazuar në AI dhe Simulimet 3D, të cilët tregojnë ose demonstrojnë vizualisht se si do të dukej pacienti pas një procedure kirurgjikale të caktuar. Ky rezulat më pas shkrihet apo bashkohet me imazhin/fotografinë reale të pacientit, duke krijuar iluzionin e një pasqyre magjike të së ardhmes. I gjithë ky proces është shumë i shpejtë dhe i sigurt.
Ka tri mënyra përdorimi: Në shtëpi direkt nga pacienti, konsulencë online dhe në zyrën e kirurgut. Të gjitha të dhënat dhe përllogaritjet mbeten në pajisje, pa cënuar privatësinë e pacientit.
A jeni konsultuar me ekspertë të mjekësisë, para finalizimit të idesë?
Patjetër! Jam konsultuar me kirurgë të njohur në Zvicër dhe jashtë saj ( Gjermani, Brazil, Rumani), të cilët na kanë ndihmuar me këshillat e tyre që në fillim.
A përdoret Digital Human Avatars and AI from Smartphones for AR Body Applications gjerësisht nga pacientët dhe mjekët në Zvicër?
Aplikacioni i Arbreas për kirurgë ka filluar të përdoret shumë në Zvicër. Ne shpresojmë t’a rrisim përdorimin e tij gjatë prezantimit të kompanisë sonë dhe produkteve të saj, në Konferencën Kombëtare Zvicerane të Kirurgjisë Plastike, që do të mbahet në Lausanne më 11-12 Shtator.
Aplikimi “Lindapp” për pacientë sapo ka filluar të përdoret, pasi është hedhur në treg para një muaji dhe për momentin është i kontrolluar direkt nga kirurgu/ja.
A e keni lançuar aplikacionin tuaj jashtë kufijve të Zvicrës?
Aplikacioni është lançuar tashmë dhe është në dispozicion të kirurgëve në të gjithë botën. Për momentin ne kemi fokus special vendet si: Brazili, Gjermania dhe Italia. Së shpejti, duke u rritur do të kemi mundësi të kanalizohemi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse klientja e parë kirurge ka qenë nga atje.
A lidhen projektet e së ardhmes me Shqipërinë?
Produktet tona janë në dispozicion të kirurgëve shqiptarë po ashtu, ndaj janë mëse të mirëpritur të na kontaktojnë. Përsa i përket Arbreas si kompani, dëshira ime personale është që të shtrihemi edhe në Shqipëri e trojet mbarë shqiptare, ku të mbështetemi dhe të përforcohemi nga mendjet brilante të studentëve më premtues shqiptarë. Ndaj i ftoj të mos hezitojnë të aplikojnë direkt tek unë.
Intervistoi Melsena Danglli
Artikulli u publikua më parë në faqen 64 të numrit 24 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.