Eksportet shqiptare janë në një situatë plotësisht të kundërt me vitin e kaluar. Nëse një vit më parë eksportet shënonin rritje me dy shifra, këtë vit eksportet janë në vlera negative.
Sipas të dhënave të INSTAT në gjashtë muajt e parë të këtij viti eksportet ranë 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ato kanë një vlerë prej 152.3 miliardë lekë. Ndërkohë, importet shënuan rritje 2.6% duke arritur në 318 miliardë lekë. Kjo ecuri bëri që deficiti tregtar të ishte mbi 9%.
Çfarë ndikoi pozitivisht dhe çfarë negativisht?
Këto gjashtë muaj kemi eksportuar shumë më pak energji elektrike e karburante. Ky grup mallrash dha ndikimin më të madh negativ në uljen vjetore të eksporteve (-4,5 pikë përqindje). Materialet e ndërtimit dhe metalet u tkurrën po ashtu, ndërsa rënia me rreth 2% ka prekur edhe grupin më të madh të mallrave të eksportuara, atë të tekstileve dhe këpucëve.
Lexo: Ulet papunësia tek të rinjtë. Ja panorama e INSTAT për papunësinë
Si ka ndryshuar shkëmbimi i mallrave me vendet e importit dhe eksportit?
Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (28,7 %), Gjermania (2,8 %), dhe Maqedonia e Veriut (4,2 %).
Vendet me të cilat kemi ulur eksportet janë: Italia (-0,9 %), Spanja (-24,7 %) dhe Greqia (-6,5 %). Situate me importet paraqitet disi me e “zbutur”. Rritja më e madhe e importeve u shënua me vendet si Kina (22,5 %), Greqia (10,2 %) dhe Turqia (6,5 %). Ulja më e madhe e importeve ishte me vendin fqinj Italinë (-8,0 %), si dhe Gjermaninë (-12,9 %) dhe Spanjën me (-12,1 %).
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto