Ekosistemet e sipërmarrjeve të reja dhe roli i Inkubatorit të VentureUP

Ekosistemet e sipërmarrjeve të reja dhe roli i Inkubatorit të VentureUP


Ekosistemet e sipërmarrjeve të reja (Startupeve) po themelohen çdo ditë nëpër komunitetet e ndryshme dhe ky numër po rritet. Ato në mënyrë shumë të sukseshme po ndihmojnë themelimin e sipërmarrjeve të reja, të cilat po ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për problemet me të cilat po përballet komuniteti.

Kjo po shfrytëzohet nga korporatat dhe investitorët e ndryshëm, të cilët përmes investimeve në këto sipërmarrje të reja po rrisin kapitalin e tyre me fitimet që po marrin.

Në bazë të Global Startup Ecosystem Report për vitin 2019, ekonomia totale e sipërmarrjeve të reja kap shifrën rreth 3 miliardë dollarë, një rritje prej 20% nga viti 2017, prandaj sipërrmarrjet e reja nuk janë duke  kontribuar në rritjen ekonomike pasi ato janë vetë rritja ekonomike. Në raport theksohet se në botë janë 25 ekosisteme të startupeve, ku secila prej tyre ka vlerën 10 miliardë dollarë dhe 57 ekosisteme të tjera, secila me vlerë nga 1 deri 10 miliardë dollarë.

Lexo këtu: 10 Startupet e themeluar nga studentët më të vlefshëm të të gjitha kohërave

Por, cilët janë komponentët kryesorë për një ekosistem të sukseshëm të sipërmarrjeve të reja? Edhe pse modele te ndryshme rekomandojnë aktorë të ndryshëm si pjesë e këtyre ekosistemeve, aktorët kryesorë që kërkohen të jenë funksionalë dhe secili të bëjë punën e vet janë:

Sipërmarrësit e guximshëm

Sipërmarrësit e guximshëm, të cilët i futen rrezikut të themelimit të sipërmarrjeve të reja janë pjesa kryesore e ekosistemit. Në mënyrë që numri i sipërmarrjeve të reja të jetë sa më i suksesshëm, kërkohet që sipërmarrësit e rinj të kenë një edukim paraprak sado fillestar në mënyrë që të njihen me rreziqet që mund të përballen dhe rrugën që ata do të duhen të kalojnë derisa të kenë një sipërmarrje të suksesshme.

Mentorët

Sipërmarrësit fillestarë duhet të jenë në gjendje t’u bëjnë pyetje mentorëve me përvojë, për t’i ndihmuar ata të përparojnë, pa bërë të njëjtat gabime sikur ata në fillim.

Investitorët

Këta mund të jenë investitorë engjëj individualë apo rrjete engjëjsh të organizuar, firma me kapital privat, banka, korporata apo burime të tjera të financimit. Ajo që ka rëndësi është që paratë të rrjedhin në mënyrë që të ndihmojnë sipërmarrjet e reja në fazat e tyre të rritjes.

Inkubatorët dhe Akseleratorët

Ata luajnë një rol të rëndësishëm për sipërmarrjet e reja duke i mbështetur me programe të trajnimit, hapësira, rrjetëzime dhe financa.

Universitetet

Një numër i biznes-ideve që kanë revolucionalizuar botën kanë rrjedhur nga universitetet, duke përfshirë Google, Facebook, etj. Qendrat kërkimore dhe zhvillimore të universiteteve luajnë rol më rëndësi në ofrimin e zgjidhjeve inovative për problemet me të cilat përballet komuniteti. Po ashtu, universitetet kanë rol në prodhimin e talenteve me shkathësi të mjaftueshme për të ofruar zgjidhjet e nevojshme.

Qeveria

Pa marrë parasysh në nivel lokal apo qendror, institucionet publike mund të luajnë rol me rëndësi në mbështetjen e sipërmarrjeve të reja përmes lehtësirave fiskale, krijimit të kërkesës për produkte/shërbime të reja, rregullimin e kornizës ligjore në mbështetje të ndërrmarrjeve, etj.

Korporatat

Ato mund të kontribuojnë përmes investimeve në sipërmarrjet e reja, duke blerë produktet dhe shërbimet nga sipërmarrjet e reja, etj. Të gjithë këta aktorë me rëndësi duhet të jenë pjesë aktive e ekosistemit në mënyrë që sipërmarrjet e reja të jenë sa më të sukseshme prej fillimit të tyre e deri te arritja e zhvillimit të qëndrueshëm. Si rezultat i një ekosistemi të suksesshëm, sipërmarrjet e reja do duhej të kishin qasje në fuqi puntore të kualifikuar (studentë të talentuar), qasje në kapital, qasje tek klientët, etj. Më vonë, këto sipërmarrje të suksesshme që dalin nga ekosistemet bëhen aktorë me rëndësi në mbështetjen e sipërmarrjeve të tjera të reja dhe të suksesshme.

Roli i Inkubatorit të VentureUP

Si pjesë e ekosistemit që po ndërtohet në Kosovë, rol me rëndësi po luan edhe VentureUP si Qendër e Inovacionit dhe Inkubator i Universitetit të Prishtinës. Në këtë rol, VentureUP po ndihmon më shumë se 50000 studentë të Universitetit të Prishtinës që ata të integrohen më lehtë në tregun e punës, të realizojnë ëndrrat e tyre përmes themelimit të biznesve të reja, dhe po ashtu edhe në ndërlidhjen në mes punës kërkimore dhe shkencore në Universitetin e Prishtinës dhe nevojave të industrive të ndryshme në Kosovë.

Si rezultat, VentureUP ka trajnuar dhe aftësuar me mijëra studentë të cilët më vonë edhe kanë gjetur punë nëpër kompani private apo institucione publike.

Po ashtu, si rezultat i përfundimit me sukses të programit të Inkubatorit, disa biznese kanë përfituar ndihmë financiare dhe tani janë të regjistruara dhe operojnë si biznese të rregullta. Objektiv i VentureUP është që edhe më shumë të lidhë punën kërkimore në Universitetin e Prishtinës duke u ofruar zgjidhje problemeve konkrete të komunitetit.

Përmes konceptit ‘’Zgjidhjet reale për problemet reale- Real Solutions To Real Problems (RS2RP)”, VentureUP synon që të lidhë punën hulumtuese dhe inovacionet e studentëve të UP edhe më ngushtë duke u ofruar zgjidhje konkrete problemeve të komunitetit (sektorit privat, qeverisë lokale dhe qëndrore, etj) dhe duke ju ndihmuar studentëve që të nisin edhe sipërmarrjet e tyre. Sidoqoftë, në mënyrë që VentureUP me të përmbushë me sukses misionin e saj, duhet funksionim i plotë i të gjithë aktorëve që u përmendën më lart.

Autor:
Mentor Rexhepi, MBA, CMC
Drejtor Ekzekutiv, VentureUP
Qendra Inovative dhe Inkubatori i Universitetit të Prishtinës

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0