Ekonomia 2018, rritje me pikëpyetje

Ekonomia 2018, rritje me pikëpyetje


 

Parashikimet ekonomike për 2018-ën janë pozitive, ndonëse sipërmarrës dhe ekonomistë theksojnë se e gjithë kjo mbarëvajtje mund të cënohet nga ndalimi i reformave, klimës politike dhe kushteve të motit.

Sinjalet pozitive për mbarëvajtjen e ekonomisë shqiptare në 2018-ën, shoqërohen me pikëpyetje të mëdha, çka paralajmëron se çdo problem i mundshëm politik apo natyror mund të dëmtojë rritjen ekonomike. Dëmi nga përmbytjet, është një prej këtyre risqeve dhe nuk është ende pjesë e vlerësimeve të fundit të institucioneve për parashikimet ekonomike. Vendit i duhet të përballet njëkohësisht me sfidën për të tërhequr investime të huaja direkte në ato nivele sa të mbushë hendekun që do të krijojë përfundimi i investimeve të mëdha TAP e Devoll.

Miratimi i lehtësive për të investuar në turizëm elitar duket një përpjekje e qeverisë për të tërhequr investime të reja, por ekspertë e institucione janë skeptikë, përveçse kritikë për diferencimin e taksave në turizëm. Në tregun financiar pritet ndërkohë të ketë një pikë kthese. Banka e Shqipërisë ka njoftuar se do të vijojë të mbajë të ulët normën e interesit deri në mes të 2018-ës. Pas kësaj, qëndron mundësia e rritjes së kostove të financimit.

Një shpresë e mirë për prodhuesit në 2018-ën është mundësia për eksporte. Çmimet pritet të vijojnë të nxisin eksporte me rritje në dy shifra të paktën në disa sektorë. Ndërkohë, përfaqësues të industrive shpresojnë në një stabilitet politik dhe në vijim të reformave, si në fushën e drejtësisë edhe në formalizimin e tregut vendas.

Qeveria shqiptare pret që ekonomia jonë të rritet 4.1% në 2018-en, ndërsa, institucione si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rishikuar në ulje këtë shifër, duke parashikuar një rritje prej 3.7%.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 12 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.

Agroindustria më e fuqishme, nëse vijon lufta kundër informalitetit

Alban Zusi, President i Qendrës së Eksporteve Shqiptare

Në 2018-ën, eksportet pritet të vazhdojnë të rriten përsëri në numra dyshifrorë. Pres që viti i ardhshëm të ketë sërish një rritje të eksporteve, agroushqimoret në veçanti. Parashikohet të fillojnë eksportet e frutave dhe industria agroushqimore brenda vendit pritet të zëvendësojë më tepër importe. Rritja e prodhimit, pritet të jetë veçanërisht nw sektorwt e mishit dhe qumështit. E gjithë kjo nëse qeveria vijon të mbajë ritmin e reformave nw luftën kundër informalitetit. Industria vendase do të rritet nëse vijojnë të mbyllen aktivitetet abuzive. Si sipërmarrës jam optimist.

Të forcojmë disa produkte “made in Albania”

Kujdes me tregun rajonal

Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë

Ky vit ka qenë i brishtë për sipërmarrjen private. Ai u karakterizua nga një situatë politike e paqëndrueshme, fillimisht me çadrën e opozitës në pranverë e më tej me zgjedhjet dhe ristrukturimin e institucioneve shtetërore. E gjithë kjo ka sjellë një situatë jo të qartë për dialogun me qeverinë.

2018-a do të jetë një vit pa zgjedhje, që pritet të ketë ndjekje e vazhdim të reformave. Ajo çfarë u pa me aksionin kundër informalitetit në 2017-ën, është një situatë më e qetë, më e matur dhe Drejtoria e Tatimeve ka pasur performancë më të mirë me bizneset e rregullta.

Për sa  i përket rritjes ekonomike, sipërmarrja shpreson se një ftesë e mundshme për hapjen e negociatave do të jetë një shtysë e mirë. Për shkak të kësaj, ka shpresë për investimet e huaja.

Me qeverinë vazhdojmë të kemi një dialog të vakët nga ana jonë për shkak të ristrukturimit të shtetit, por kjo do të ishte e pafalshme në 2018-ën. Duhet patjetër të ulemi në tryeza teknike. Nëse kjo nuk ndodh do të fillojmë të mos jemi më pjesë e tryezave ku flitet dhe nuk konkretizohet asgjë. Zhvillimet rajonale na tregojnë se duhet të bëjmë disa detyra shtëpie në lidhje me prodhimin vendas, i gjithë rajoni po mbështet “made in…”

Vitin tjetër, fillon të krijohet zona ekonomike rajonale, çka do të thotë se nëse nuk do gjejmë mënyrën si të mbrojmë disa produkte dhe nuk sigurojmë një lloj proteksionizmi (pozitiv), do të mund të kemi probleme të tjera. Ka shumë për të bërë në këtë drejtim dhe duhet filluar që në janar. Prodhuesit kërkojnë që qeveria të ulet me ta, për të kuptuar kush janë të mirat dhe të këqijat e kësaj hapje dhe të mund të marrim lidershipin për një produkt të caktuar. Nuk mund të mos tolerojmë që vaji ynë i ullirit të mos mbajë lidershipin në rajon, apo açiuget e detit. Domate, trangull e sallatë, që prodhohen në dy cikle, duhet të mbeten gjithashtu një avantazh për ne. Flasim për një treg prej 20 milionë banorësh, i cili duhet të jetë i yni për disa produkte të caktuara, ashtu siç Serbia e vende të tjera mund ta kenë për produkte të tyre.

Pra, duhet të cilësojmë ku jemi të fortë e të rikrijojmë markën “made in Albania” për t’ua vendosur të gjitha produkteve elitare.

Ambasadorët duhet të lënë pritje-përcjellet e politikanëve por të presin e të shoqërojnë sipërmarrësit e të bëjnë lobim për ta. Në këndvështrimin privat, sipërmarrjet vazhdojnë të kenë probleme me aksesin në financim. Pikëpyetjet për investime janë të larta edhe në këndvështrimin e sipërmarrjes së huaj. Nuk ka sinjale për investime të huaja.

Duke iu rikthyer problemit të tregjeve, prodhuesit vendas në shumë raste janë në disfavor ndaj kompanive rajonale. Taksa e ambalazhit bën që prodhimi i ujit në vend të jetë më i shtrenjtë se një ujë që vjen nga rajoni, barrierat doganore apo skanimi vijojnë të krijojnë probleme për produkte si mielli, apo edhe bimët mjekësore. Përkrah shmangies së pengesave për prodhuesit vendas, kërkohet të zhvillojmë një ekonomi komplemetare.

2018, vit me mundësi e risqe

Institucionet të sigurojnë qëndrueshmëri

Intervistë me Arben Malaj, Ish ministër i Financave, President nderi i IPPM dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, BSH. 

Nisur nga zhvillimet e këtij viti, politikat e brendshme ekonomike, zhvillimet ndërkombëtare, thatësira e verës e përmbytjet së fundi, cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë vitin e ardhshëm?

 

Ka disa faktorë që mund të kenë efekt pozitiv bazuar edhe në përmirësimet ekonomike në partnerët tanë ekonomikë dhe brenda ekonomisë europiane edhe globale në tërësi. Nuk duhet nënvlerësuar fakti që Italia parashikohet të ketë situata jo të lehta ekonomike, por ndikimi i saj në ekonominë shqiptare shpresohet të jetë jo i ndjeshëm, pasi eksportet tona janë biznese italiane të prenotuara për tregje jashtë Italisë.

Nga faktorët e brendshëm, ekonomia do të ketë impulse pozitive sepse konstatohet një rritje e kërkesës agregate, kredia e re për individët dhe biznesin po rritet, kredia në lekë ka një trend rrites të vazhdueshëm, ndërsa ajo në valutë ka një trend rënës duke ulur riskun e kursit të këmbimit në ekonomi. Pritet që investimet publike të rriten dhe ndoshta edhe në mënyrë më propocionale gjate gjithë vitit. Efekti i paketës shtesë 1 miliard euro pritet të analizohet në dinamikë. Mbeten pika të dobëta efektet në rritjen ekonomike të përmbytjeve, zjarreve dhe thatësirës së vitit 2017 dhe gjatë vitit 2018. Efektet buxhetore të krizës së energjisë mund të kërkojnë ristrukturim të buxhetit gjatë vitit 2018.

Impakti social dhe psikologjik i paqartësive që mund të rriten nga situata politike nuk pritet të ndikojë në biznesin vendas, por mund të spostojë në kohë investime të huaja direkte. Çelja e negociatave gjatë vitit 2018 mund të jetë një mesazh me efekte pozitive tek investitorët e huaj por, rritja e tyre kërkon reformat strukturore  si ajo e drejtësisë, mirëqeverisjes vendore dhe qendrore dhe reforma e ambientit të biznesit.

Si ndikon paketa fiskale  dhe buxheti i parashikuar për 2018-ën në ecurinë e ekonomisë?

Lidhur me paketën fiskale, efektet buxhetore dhe ekonomike mund të mos jenë pozitive, për shkak të një bashkëpunimi gjithëvjetor të qeverisë me komunitetin e biznesit. Politikat tatimore dhe administrimi tatimor duhet të synojnë përmirësimin e ambientit në tërësi, për më shumë lehtësi për investim dhe punë. Rritja ekonomike më e lartë, e qëndrueshme dhe e drejtë është vizioni dhe strategjia më e mirë si për stabilitetin e financave publike edhe për uljen e papunësisë, varfërisë dhe ndaljes së thellimit të pabarazisë.

Cila mendoni se do të jetë klima e biznesit në 2018-ën?

E pa qartë! Prandaj duhen bërë përpjekje maksimale me ndërhyrje konkrete mirëqeverisëse për të eleminuar riskun që “e paqarta” të bëhet e pasigurtë, sepse nëse arrihet në këtë fazë, tkurren pritshmëritë pozitive, rritet pasiviteti dhe pasiguritë, të cilat dëmtojnë rëndë kërkesën agregate në ekonomi, pa rritjen e të cilës nuk ka rritje punësimi dhe reduktim varfërie.

Unë kam parashtruar idenë që qeveria shqiptare të mund të aplikojë një moratorim trevjeçar 2018-2011, për mos ndryshim të politikës së taksave dhe rregullave të administrimit fiskal.

Kjo periudhë të përdoret për modernizimin e administrimit tatimor dhe rishikimin e politikave të reja tatimore vetëm në fillim të çdo mandati. Kjo rrit edhe besueshmërinë publike të qeverisë dhe ndihmon përmirësimin e pritshmërive të çdo aktori ekonomik.

 /Artikulli u publikua më parë në faqen 12 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.

Mungojnë burimet e qëndrueshme të rritjes

Besart Kadia, Drejtori i Institutit “Pashko”

Shqipëria ka hyrë në një trend të ritmeve të ulta të rritjes ekonomike që në vitin 2011 ku rritja mesatare, përfshirë edhe vitin 2018, vlerësohet të ketë qënë 2.4% në vit. Por, në tërësi, duke  përjashtuar disa masa të përkohshme korrektuese institucionale, nuk është vënë re ndonjë ndryshim thelbësor i strukturës së ekonomisë sonë. Në fakt, disa tregues si Indeksi i Kompleksitetit Ekonomik është përkeqësuar në vitet e fundit. Mungesa e inovacionit në ekonomi vihet re edhe në strukturën e pandryshuar të eksporteve si dhe të kredidhënies gjatë viteve të fundit. Shohim që në tërësi sektori privat nuk ka ndonjë impuls pozitiv për të na bërë optimist për efektet e rritjes ekonomike gjatë vitit 2018 për pasurinë kombëtare. Në fakt, rritja ekonomike e vënë re në dy vitet e fundit vjen kryesisht për shkak të investimeve në sektorin energjitik. Kjo e dhënë mbështetet edhe në parashikimet e bëra nga Banka Botërore. Viti 2018 është viti i fillimit të konsolidimit fiskal, që nënkupton praktikisht lidhjen e duarve të qeverisë “Rama II” për të ndërmarrë projekte të mëdha infrastrukturore me ndikim të menjëhershëm për vitin 2018.

 

FMN ul “dozën” e  optimizmit

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar në ulje parashikimet e saj për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitet 2018, 2019.  Sipas vlerësimeve të prezantuara në “Pasqyrën Ekonomike Globale” në tetor të 2017-ës, pritshmëria për rritje ekonomike për vitet 2018 dhe 2019 është ulur me 0.4 pikë përqindje për secilin vit, krahasuar me parashikimet në muajin prill të 2017-ës. Rritja ekonomike, sipas FMN-së pritet të jetë 3.7% në 2018-ën dhe 3.8% në 2019-ën.

Ulja e pritshmërive për rritjen ekonomike u pasua me përkeqësimin e disa parashikimeve të tjera si ai për kërkesën e brendshme dhe investimet bruto. Uljen e ritmeve të kërkesës, eksperët e FMN-së, e lidhin me vështirësitë e vendit tonë për të gjeneruar burime të reja të rritjes, pas përfundimit të projekteve të mëdha në sektorin e energjisë (TAP dhe HEC-i i Devollit. Uljet e parashikimeve të fundit kanë prekur të tre vitet, 2017, 2018 dhe 2019. Për 2018-ën, konsumi pritet të rritet me 1.4% dhe në 2019 2.1%.

Në të njëjtën kohë, janë ulur dhe pritshmëritë për investimet bruto. Për 2018-ën, ato pritet të arrijnë sa 24.5% e PBB-së dhe në 2019-n sa 24.4% e PBB-së (përkatësisht -3% dhe -2.2% më pak se parashikimet e mëparshme). Edhe për 2017-n FMN pret që rritja e investimeve të jetë 24.8% e PBB, me një ulje gati 4 pikë përqindjeje.

Parashikimet FMN

            Parashikimi fillimviti     parashikimi fundviti

2018                            4.1 %             3.7%

2019                            4.1 %              3.8%

 

Ngadalësohent ritmet, edhe sipas Bankës Botërore 

Banka Botërore në raportin e saj të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, paralajmëroi një ngadalësim të rritjes ekonomike për Shqipërinë, si rrjedhojë e përfundimit të investimeve të mëdha të huaja dhe rritjes më të ngadaltë sesa pritej të partnerëve tanë tregtarë. Në vlerësimet për Shqipërinë, Ilda Shijaku, eksperte e Bankës Botërore është shprehur se, rritja ekonomike do të jetë më e ulët pas përfundimit të projekteve të mëdha, TAP dhe Devoll dhe mosplanifikimit të projekteve të tjera të mëdha.

Në vlerësimet e fundit të saj, Banka Botërore, parashikon që rritja e vendit të jetë 3.8% në vitin 2017, për t’u ngadalësuar më pas në 3.6% në vitin 2018 dhe 3.5% në vitin 2019.

“Rritja më e ulët nga pritshmëritë e partnerëve tregtarë mund të zvogëlojë eksportet e Shqipërisë dhe flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte”, vlerësohet në raportin ekonomik të Bankës Botërore. Raporti thekson njëkohësisht se kjo pritet të transmetohet në nivele më të ulëta të të ardhurave nga tatimet dhe investimeve publike dhe rritje më të ngadaltë të prodhimit.

Institucioni ndërkombëtar financiar vijon të theksojë në vlerësimet periodike, se forcimi ekonomik varet nga stabiliteti ekonomik dhe përmirësimi në klimën e biznesit. Për këtë kërkohet rritje e efikasitetit të gjykatave, menaxhimit të investimeve publike, aftësive të punës, dhe vijim i reformës në sektorin e energjisë. Përpjekjet e nisura pas zgjedhjeve të qershorit 2017 këshillohet të vijojnë edhe në 2018-ën, me objektiv reduktimin e varfërisë, sipas raportit të Bankës Botërore.

Vlerësimet e BB-së, tregojnë se ekonomia e Ballkanit Perëndimor po rimëkëmbet, madje ritmet e rritjes vlerësohet të përshpejtohen në rritje mesatare 3.3 % në 2018 dhe 3.6 % në 2019. Investimet nxitën rritje të fortë ekonomike në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi, ndërsa rritja e qëndrueshme në Bosnje erdhi për shkak të konsumit. Maqedonia dhe Serbia u përballën me tkurrje të rritjes ekonomike, e para për shkak të krizës politike dhe e dyta për shkak të dëmeve në prodhim që solli moti i keq në muajin shkurt.

Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder ka theksuar në nëntor se, “është inkurajuese të vërejmë se afro një dekadë pas krizës financiare globale, punësimi më në fund po rimëkëmbet në nivelet e para-krizës në pjesën më të madhe të rajonit. Tani është më e domosdoshme se kurrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të ruajnë tempin e reformave, me qëllim krijimin e mundësive dhe përmirësimin e standardeve të jetesës për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”.

Rritja ekonomike, e shoqëruar me krijimin e vendeve të reja të punës, kontribuoi në uljen e varfërisë në rajon. Norma e varfërisë në 2017-ën vlerësohet paraprakisht të jetë 23.6 %, nga rreth 24.6% që ishte një vit më parë. Kjo do të thotë se rreth 124 mijë njerëz kanë dalë nga varfëria gjatë kësaj periudhe.

Por, raporti ekonomik rajonal thekson se, ndërsa mbetet pozitive perspektiva e rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor, ato vijojnë të jenë ende të ekspozuara ndaj risqeve. Pasiguritë e politikave ose ndryshimi i kahut të tyre, mund të ngadalësojë investimet dhe rritjen ekonomike.

 

Banka e Shqipërisë optimiste

Por, nuk ndryshon vendimet e saj

Pas një rishikimi në rritje në muajt e parë të vitit, Banka e Shqipërisë ka vijuar të ruajë optimizmin e saj për rimëkëmbjen e ekonomisë vendase. Megjithatë, edhe nga vlerësimet e fundit të saj në dhjetor, nuk pati ndonjë ndryshim të pritshmërive për zhvillimet kryesore në ekonomi dhe në qëndrimet e saj.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës u mbajt e pandryshuar norma bazë e interesit për lekun, në 1.25%. Guvernatori i Bankës Gent Sejko tha se, kjo normë ka nxitur financimin nga bankat ndonëse në nivele ende të ulëta. Banka e Shqipërisë vlerëson se, tregjet financiare janë karakterizuar nga një ecuri relativisht e qetë në dy muajt e fundit, me norma të ulëta interesi, me prime të kontrolluara rreziku dhe me një tendencë stabilizimi të kursit të këmbimit. “Megjithatë, rritja e kredisë për ekonominë vazhdon të mbetet e zbehtë, duke shënuar vlerën 3.5% në muajin tetor”, tha Sekjo. Ky është rezultat i uljes së ndjeshme të kredisë në euro dhe rritjes së kredisë në lekë në një vit me 9.3%.

Përmirësimet e lehta në prodhim dhe tregun e punës, ende nuk kanë ndikuar në rritjen e vlerës së prodhimit, çka do të motivonte më shumë sipërmarrje për të investuar. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës vlerëson se, “zgjerimi i vazhdueshëm i kërkesës agregate ka sjellë një përdorim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese. Norma e papunësisë zbriti në nivelin 13.6% gjatë tremujorit të tretë, në rënie me 1.1 pikë përqindje krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës. Megjithatë, kthimi gradual  i ekonomisë drejt ekuilibrit nuk është shoqëruar ende me rritjen e presioneve inflacioniste, në mënyrë të mjaftueshme për të kthyer inflacionin në objektiv”. Inflacioni ishte 1.7%, në muajin nëntor, çka është ende nën pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë. Një infacion i ulët do të ishte lajm i mirë për konsumatorët, por, sipas të dhënave të Intititutit të Statistikave, kjo nuk po vlen për familjet me të ardhura mesatare, e mbi të gjitha për familjet me të ardhura të ulëta. Mallrat ushqimore, të cilat kanë peshë të lartë tek këto familje, kanë vijuar të shtrenjtohen me ritme më të larta se produktet e tjera.

Për inflacionin në tërësi, Banka e Shqipërisë vëren se në terma makroekonomikë, rritja e ngadaltë e inflacionit vazhdon të pasqyrojë efektin e kombinuar të disa faktorëve: hendeku negativ i prodhimit vijon të frenojë rritjen e kostove të punës dhe të inflacionit bazë; inflacioni në vendet partnere tregtare mbetet i ulët; dhe, kursi i mbiçmuar i këmbimit ul më tej çmimet e importit të mallrave bazë dhe të mallrave të konsumit.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se efektet frenuese që vijnë nga këta tre faktorë do të zbehen gradualisht në të ardhmen. Guvernatori Sejko, tha gjatë konferencës për shtyp se, “projeksionet tona për të ardhmen flasin për një përmirësim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit dhe pritet të sjellë rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Këto zhvillime do të mbështeten, ndër të tjera, nga kushtet aktuale të favorshme të financimit dhe nga një ecuri e pritur më e mirë e kreditimit”.

Në ndihmë, pritet të jetë edhe ulja e mëtejshme e raportit të kredive me probleme. Në nëntor niveli i kredive me probleme ishte 14.3%, çka tregon, sipas Guvernatorit se,  “bilancet e sistemit bankar po vijnë drejt përmirësimit dhe se rreziku i kredisë po vjen drejt rënies”.

Në pritshëmritë e saj, Banka e Shqipërisë parashikon rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa pret të zbehet mbiçmimi aktual i monedhës vendase.

Bazuar në këta faktorë, BSH pret kthimin e inflacionit në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2019.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 12 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0