Ed Mylett, njeriu që ndërtoi një karrierë duke u kujdesur për të tjerët - Business Magazine Albania

Ed Mylett, njeriu që ndërtoi një karrierë duke u kujdesur për të tjerët

Një ditë, Ed Mylett hipi në një taksi me bashkëshorten e tij dhe bëri diçka të papritur, të paktën për shoferin. Ai e pyeti për historinë e tij.

Shoferi ishte një refugjat nga Libani me tre fëmijë të regjistruar në Harvard, Yale dhe Stanford. Gjatë tre viteve që kishte qenë shofer, askush nuk e kishte pyetur ndonjëherë një gjë të tillë.

Mylett e dëgjoi me vëmendje, një zakon që e ka kultivuar për vite me radhë. Dhe në fund, ai e falënderoi për historinë e tij. Ky është një nga parimet mbi të cilat ai ka ndërtuar suksesin e tij, duke qenë i pranishëm dhe duke u kujdesur për njerëzit.

Lexo gjithashtu: La karrierën e suksesshme në financë për vajin pikant, fitoi apo humbi Ethan Yong me këtë zgjedhje?

Ndërtimi i karrierës përmes kujdesit

Ed Mylett është një sipërmarrës, autor bestseller, trajner dhe motivues, i renditur në listën e Forbes. Ai ka ndërtuar një perandori biznesesh në fusha të ndryshme, ushqim, shëndet, pasuri të patundshme, si dhe një prani masive në rrjetet sociale dhe YouTube. Por, pavarësisht suksesit, ai ka ruajtur një tipar të veçantë, aftësinë për të dëgjuar dhe për të vlerësuar njerëzit.

“Jam i aftë të kuptoj çfarë i mungon dikujt brenda pesë minutash,” thotë ai.

Aftësia për të lexuar njerëzit është diçka që ai e zhvilloi që në fëmijëri. Rritur me një baba alkoolist, ai mësoi të lexonte humorin e tij që në moshën pesë vjeçare. Ishte një aftësi që më vonë do të bëhej thelbësore në biznes dhe në lidership.

Mësimet nga jeta, nga jetimorja te bota e financave

Shumë njerëz e lidhin fillimin e karrierës së Mylett me financat, por ai do t’ju tregojë tjetër version, ajo filloi në një jetimore.

Punën e tij të parë e nisi si këshilltar për djemtë e rinj në një qendër rinore. Aty ai mësoi një të vërtetë që do ta udhëhiqte gjatë gjithë karrierës, njerëzit duan të ndihen të vlerësuar dhe të udhëhequr drejt një jete më të mirë. Kjo filozofi do të bëhej baza e suksesit të tij në biznes.

Pasi filloi të punonte part-time në World Financial Group (WFG), ai braktisi jetimoren për një karrierë të plotë në financë. Por rruga nuk ishte e lehtë, për vite, ai luftoi me borxhe e me shumë sfida të tjera.

Lexo gjithashtu: 10 thënie nga Stephen Covey që mund t’ju ndryshojnë jetën

Mylett zbuloi se shumica e njerëzve, përfshirë atë vetë, mbeten të bllokuar në një identitet të caktuar. Ai e krahason këtë me një thermostat, pa marrë parasysh sa përpiqesh të ngrihesh, nëse nuk ndryshon “nivelin” e vetes, do të kthehesh gjithmonë në pikën ku je ndjerë rehat.

Në fillimet e tij, ai vuante nga mungesa e vetëbesimit dhe sindroma e mashtruesit. Çdo refuzim e rrëzonte. “Çdo ‘jo’ më vriste. Çdo dështim më dëshmonte se nuk isha i denjë,” thotë ai.

Zgjidhja? Transformimi i identitetit. Ai studioi strategji mendore nga ekspertë si Tony Robbins dhe filloi të ndërtonte një standard të ri për veten.

Fuqia e “Edhe njëherë tjetër”

Në librin e tij më të fundit, The Power of One More, Mylett shpjegon filozofinë që e ndihmoi të dilte nga ai cikël, të kujdesesh mjaftueshëm për veten për të mbajtur premtimet që i bën vetes, dhe më pas t’i tejkalosh ato.

Parimi është i thjeshtë, bëj gjithmonë diçka më shumë nga ç’i ke premtuar vetes.
-Premtove të bësh 30 minuta vrap? Bëj 31.
-Premtove t’i thuash partneres tënde “Të dua” një herë në ditë? Thuaji edhe një herë tjetër.
-Premtove të kontaktosh 10 klientë? Kontakto 11.

“Në jetë, nuk marrim ato që duam, marrim atë që është standardi ynë. Prandaj, unë e ngrita standardin tim, një hap më shumë çdo ditë,” thotë ai.

Ndikimi në rrjetet sociale dhe sipërmarrja

Mylett është sot një nga sipërmarrësit me rritjen më të shpejtë në rrjetet sociale, me mbi 3 milionë ndjekës, pa shpenzuar asnjë qindarkë në reklama. Por fillimi nuk ishte i lehtë.

Kur Tony Robbins e nxiti të përdorte Instagramin, ai nuk dinte as si funksiononte. “E pyeta djalin tim: ‘Çfarë është Instaface?’ Ai më tha: ‘Nuk ekziston Instaface, budalla! Quhet Instagram.’”

Edhe videoja e tij e parë ishte një dështim, Robbins i tha të përdorte “hashtags”, por Mylett e kuptoi “hash browns” dhe përfshiu patate të skuqura në video!
Por ai vazhdoi përpara, duke u fokusuar tek autenticiteti, dhe sot ka një ndjekje masive.

Lexo gjithashtu: Warren Buffett: “Këto 5 zakone ndajnë njerëzit e pasur nga të tjerët”

Lidershipi përmes kujdesit

Në më shumë se 17 bizneset që drejton, Mylett kërkon dy cilësi kyçe te liderët e tij:

  1. Të kujdesen për njerëzit po aq sa ai vetë.

“Kur dikush vjen të punojë me mua, i them: ‘Unë do të të dua, do të kujdesem për ty dhe do të besoj në ty. Do të jesh mirënjohës që erdhe.’”

  1. Të jenë të hapur dhe të sinqertë.

“Është në rregull të thuash ‘Po kalojmë një kohë të vështirë. Këto gjëra duhen përmirësuar. Por ja ku po shkojmë.’”

Për Mylett, biznesi nuk është thjesht për të shitur produkte, është për të shitur lumturi. Ai përmend McDonald’s si shembull:
“Pse maskota e tyre është një klloun? Çfarë lidhje ka me ushqimin? Asgjë! Por ata krijuan një lidhje midis ushqimit të shpejtë dhe lumturisë.”

Në fund të fundit, suksesi i tij është ndërtuar mbi një parim të thjeshtë, por të fuqishëm: Të kujdesesh për njerëzit dhe të jesh i pranishëm për ta.

foundR

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0