Dy burime energjie brenda së njëjtës hapësirë. Fillon operimet tregtare Impianti i parë fotovoltaik lundrues në Shqipëri - Business Magazine Albania

Dy burime energjie brenda së njëjtës hapësirë. Fillon operimet tregtare Impianti i parë fotovoltaik lundrues në Shqipëri

impiani fotovoltaik

Pas përfundimit me sukses të fazës së zbatimit dhe lidhjen me rrjetin kombëtar të energjisë elektrike, njësia e parë e Impiantit Fotovoltaik Lundrues të Banjës ka filluar me sukses operimet tregtare. Impianti po prodhon energji të rinovueshme dhe ajo po futet në rrjetin shqiptar të energjisë.

Projekti ndodhet në rezervuarin e Banjës, ku Statkraft operon Hidrocentralin e Banjës me kapacitet të instaluar 72 MW. Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës është një projekt inovativ kërkim-zhvillimi me kapacitet të planifikuar të instaluar prej 2 MWp.

Njësia e parë e këtij impianti, që përbehet nga 1536 panele diellore, ka kapacitet të instaluar prej 0.5 MWp dhe mbulon një sipërfaqe afërsisht 4000 m2. Veç kësaj, 160 panele të njëjtë janë vendosur në tokë për krahasim dhe dokumentim të efektit ftohës në panelet lundruese. Projekti planifikon të vazhdoje me fazën e dytë të zbatimit gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, kur do të instalohen edhe tre njësi të tjera lundruese, me kapacitet të instaluar shtesë prej 1.5 MWp.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga ambasadori i Norvegjisë në vendin tonë, Jens Erik Grøndahl, si dhe përfaqësues të kompanisë Statkraft kanë inspektuar nga afër projektin e implementuar në hidrocentralin e Banjës.

Ministrja Balluku e cilësoi këtë projekt si një risi ku brenda së njëjtës hapësirë kemi një integrim të dy burimeve të rinovueshme të energjisë.

Lexoni: Miratohet parku fotovoltaik 50W në Fier, shteti do të përfitojë 2% të energjisë në vit

“Ky është një projekt, që shkon në linjë me strategjinë e qeverisë për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike të rinovueshme, pasi në Republikën e Shqipërisë ne prodhojmë vetëm energji të rinovueshme. Kjo është diçka për t’u shënuar, është një ditë shumë e rëndësishme për mua si ministre e Energjisë, padyshim për ju si ekipi i suksesshëm i Statkraftit, për ambasadorin që besoj ndihet krenar sot që një kompani shumë e rëndësishme nga vendi i tij arrin dhe dorëzon një projekt me vlera për të gjithë Europën, pasi strategjia e diversifikimit, apo rritja e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme është një trend europian dhe një kërkesë e Bashkimit Europian. Shqipëria ka fatin pasi është një kampione e prodhimit të energjisë të rinovueshme, duke qenë se e gjithë energjia që prodhohet në republikën tonë vjen nga burime të rinovueshme.”, tha Balluku.

“Shqipëria është një vend me prodhim të lartë të energjisë nga burimet ujore, ngjashëm me Norvegjinë, kjo ka qenë një nga arsyet e interesit tonë për të investuar në vend si pjesë e zgjerimit ndërkombëtar. Sot shohim që Shqipëria mund të luajë një rol kyç si nyje e energjisë së rinovueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përvoja jonë prej më shumë se një dekadë në Shqipëri ka treguar se është e mundur të arrihen suksese në fushën e energjive të rinovueshme në vend, dhe arritjet tona janë mundësuar falë një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet shqiptare. Jemi krenarë të njoftojmë se kemi përmbyllur me sukses fazën e parë të një tjetër projekti inovativ në energjinë e rinovueshme në Shqipëri, me fillimin e prodhimit të energjisë diellore nga Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës.” Tha Time Iyer Utne, Zv. Presidente e Statkraft, Përgjegjëse për Azinë Jugore dhe Europën Juglindore.

“Kjo ditë shënon një arritje të madhe për Statkraftin në Shqipëri dhe një hap më tej në transformimin drejt energjive të rinovueshme nëpërmjet zgjidhjeve inovative. Pas fillimit të operimeve tregtare në hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës, po shohim mundësitë për t’i optimizuar më tej këto asete të energjisë së rinovueshme. Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës është një shembull konkret i integrimit të burimeve të ndryshme të energjisë së rinovueshme” tha Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e Statkraft në Shqipëri.

Statkraft është e pranishme në Shqipëri që nga viti 2007. Shqipëria është një nga vendet me përqindje më të lartë të prodhimit të energjisë së rinovueshme në Europën Juglindore. Hidroenergjia përbën pjesën më të madhe të prodhimit të energjisë në Shqipëri, me rreth 95% të kapacitetit të instaluar. Veç kësaj, Shqipëria është nder vendet e para në Europë për numrin e orëve me diell në vit, që paraqet një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e energjisë diellore dhe përshtatet më së miri me kapacitetin ekzistues të hidroenergjisë.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0