Intervistat e punës mund të jenë stresuese. Ndonjëherë ndihesh sikur po flet shumë e nuk arrin të japësh një përgjigje të qartë, ndërsa herë të tjera nuk di çfarë të përfshish e çfarë të lësh pa thënë. Por ka një teknikë që mund të bëjë ndryshimin midis marrjes së ofertës dhe vazhdimit të kërkimit të punës. Do të jesh ‘’ylli’’ që ata bëjnë pjesë të skuadrës? Atëherë mëso metodën STAR.
Kjo metodë ju ndihmon të strukturoni përgjigjet tuaja në një mënyrë që i bën ato të qarta, tërheqëse dhe të paharrueshme për rekrutuesin. Nëse e përdorni siç duhet, ajo mund të jetë arma juaj më e fortë për të dalë mbi kandidatët e tjerë.
Lexo gjithashtu: CV me shije suksesi! Si Lukas Yla “serviri” aplikimin e tij në një kuti petullash?
Çfarë është metoda STAR?
STAR është një akronim që qëndron për:
S – Situation (Situata) Përshkruani kontekstin e sfidës me të cilën jeni përballur.
T – Task (Detyra) Sqaroni objektivin që duhet të arrini.
A – Action (Veprimi) Shpjegoni hapat konkretë që ndërmorët për të zgjidhur situatën.
R – Result (Rezultati) Tregoni ndikimin dhe suksesin e arritur si pasojë e veprimeve tuaja.
Si përdoret metoda STAR në intervista?
Lexo gjithashtu: Pse ndoshta nuk duhet të jesh gjithmonë vetvetja: 4 arsye pse autenticiteti mbivlerësohet
Në çdo intervistë, pritet të keni të paktën një pyetje që kërkon një përgjigje STAR. Pyetje të tilla zakonisht fillojnë me:
- “Më trego një rast kur…”
- “A ke pasur ndonjëherë të bësh me…”
- “Më jep një shembull të…”
- “Përshkruaj një situatë ku…”
Këto pyetje nuk janë thjesht për të mësuar rreth përvojës tuaj, por edhe për të testuar aftësitë tuaja të komunikimit, bashkëpunimit dhe zgjidhjes së problemeve.
Shembull: “Më trego për një herë që ke dështuar”
Situata: Si përfaqësues shitjesh, më ishte caktuar të mbyllja një marrëveshje të rëndësishme me një klient të ri. Kisha punuar me muaj të tërë për këtë marrëveshje dhe isha i bindur se kisha krijuar një marrëdhënie të mirë me klientin.
Detyra: Synimi im ishte të siguroja marrëveshjen dhe të përmbushja objektivat e shitjeve për atë tremujor.
Veprimi: Përgatita një propozim të detajuar, duke e përshtatur për nevojat e klientit. Gjatë prezantimit, klienti ngriti disa shqetësime të cilat nuk i kisha parashikuar dhe nuk munda t’i adresoj në mënyrë efektive.
Rezultati: Marrëveshja dështoi dhe kjo për mua ishte një goditje e rëndë. Por mësova një mësim të vlefshëm rreth parashikimit të kundërshtimeve dhe përgatitjes më të mirë për negociata.
Përfundimi: Që atëherë, kam krijuar zakonin që gjithmonë të prezantoj propozimin tim para kolegëve dhe menaxherit, duke kërkuar prej tyre të gjejnë pikat e dobëta, në mënyrë që të jem plotësisht i përgatitur për çdo kundërshtim. Dhe këtë qasje të kujdesshme do ta sjell edhe në ekipin tuaj.
Lexo gjithashtu: Dalina Buzi: “Unë ju garantoj që mund të gjeni punën që dëshironi në Shqipëri!”
Pse metoda STAR është efektive?
Metoda STAR është efektive sepse përgjigjet janë të strukturuara dhe të qarta. Kemi mundësi të lidhim përvojat e kaluara me përgjegjësitë e reja të punës. Me STAR tregojmë rezultate të matshme dhe të prekshme.Gjithashtu mund të dëshmojmë vetëdije profesionale dhe rritje personale.
Si ta përdorni STAR për të kaluar intervistën me sukses?
-Përgatituni me pyetje të zakonshme të intervistës STAR dhe përgatisni të paktën dy përgjigje për secilën.
-Sigurohuni që përgjigjet tuaja të përfshijnë fjalë kyçe nga përshkrimi i punës.
-Theksoni vlerën unike që sillni në një kompani.
– Praktikoni përgjigjet me zë të lartë për të qenë më i sigurt dhe natyral.
-Përshtasni përgjigjet tuaja në varësi të pyetjeve që ju bëhen.
Lexo gjithashtu: Si të merrni mësim nga një negocim i dështuar
Gabimet që duhet të shmangni
-Mos përdorni STAR për çdo pyetje. Jo çdo pyetje ka nevojë për një histori të detajuar.
-Mos e zgjasni shumë përgjigjen. Mbajeni nën dy minuta.
-Mos shmangni dështimet. Tregoni edhe sfidat që keni kaluar dhe çfarë keni mësuar prej tyre.
-Mos i thoni të njëjtat histori çdo rekrutuesi. Përdorni shembuj të ndryshëm për intervistues të ndryshëm.
-Mos jini shumë të përgjithshëm. Jini specifikë dhe përdorni shifra për të treguar ndikimin tuaj.
-Mos e mbivlerësoni veten. Përdorni raste reale dhe mos e ekzagjeroni rolin tuaj në suksesin e një projekti.
Masterizimi i metodës STAR ju ndihmon jo vetëm të jeni më të qartë dhe të strukturuar në përgjigjet tuaja, por edhe të impresiononi rekrutuesit me shembuj konkretë të suksesit tuaj. Duke u përgatitur mirë dhe duke praktikuar, ju do të jeni të gatshëm të merrni ofertën e punës që dëshironi.
Kur pyetja e radhës e intervistës të fillojë me “Më trego një rast kur…”, ti do të jesh gati me një histori që jo vetëm përgjigjet, por dhe bind.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.