Dalina Buzi: "Unë ju garantoj që mund të gjeni punën që dëshironi në Shqipëri!"

Dalina Buzi: “Unë ju garantoj që mund të gjeni punën që dëshironi në Shqipëri!”


Është shumë më e thjeshtë se ç’e mendoni!

Zgjerimi i shpejtë i Anabel Media këto dy vitet e fundit, na detyroi të kërkonim një zgjerim stafi. Deri më sot (31 Korrik) kemi realizuar më shumë se 90 intervista pune të përzgjedhura nga qindra CV dhe me keqardhje them se vetëm 3 prej këtyre të intervistuarve janë punësuar, ndërsa vendet e tjera bosh po plotësohen nga rekomandime miqsh. Pjesa tjetër e të intervistuarëve, thjesht nuk plotësonin kushtet tona!

Nuk jam vetëm unë që kam nisur të shqetësohem për një mungesë serioziteti dhe përkushtimi të të rinjve të sapo-diplomuar (Bachelor ose Master’s) që në intervistën e parë ose gjatë marrëdhënies së provës. Nuk kam takuar asnjë mik/mikeshë sipërmarrës/e që të mos e vë në dukje mungesën e njerëzve që duan të punojnë. Ju siguroj që nuk dëgjoj askund: “Kam shumë kërkesa pune, por s’kam vend!”, por “Po si nuk po gjejmë ca njerëz të hajrit që të duan të punojnë?”

Pra praktikisht (dhe për këtë vë dorën në zjarr) ka plot vende pune, pagesat e të cilave mund të arrijnë deri në 100,000 lekë (të reja) dhe nuk ka njerëz që duan t’i kapin këto mundësi!

Unë nuk besoj se “mungesa e dëshirës për të punuar” është një problem vetëm i këtij brezi, pasi nuk dua të mendoj keq për brezin më të ri se unë, siç kanë menduar gjithmonë brezat për njëri-tjetrin.

Por unë besoj se këtu problemi më i madh nis që në familje. Një dëm të madh shumë të rinjve u bëjnë prindërit, të cilët të rritur me komoditetin e punës së shtetit gjatë komunizmit dhe më pas të lodhur nga padrejtësitë dhe lufta për mbijetesë e ekonomisë së tregut, shpesh i shtyjnë fëmijët e tyre të kërkojnë “një punë të rehatshme që të paguan mirë” pa e vënë theksin tek eksperienca dhe rritja profesionale. Prandaj, tashmë shprehja e preferuar e dembelëve është “dua një punë në shtet” që tingëllon sa qesharake, po aq tragjike, kur mendon që administrata jonë mbushet nga njerëz pa ambicie profesionale.

Dëmi i dytë bëhet në shkollë, ku nuk ekziston një sistem që t’i trajnojë studentët intensivisht për tregun e punës, nëpërmjet kalitjes së disiplinës (ku përfshihen penalizime për vonesa në dorëzimin e detyrave, penalizime për vonesa fizike në mësim), ku mungon respekti ndaj eprorit (në këtë rast profesorit, një pjesë e të cilëve e krijojnë vetë ambientin armiqësor me nxënësit për shkak të mungesave të tyre të tepërta), ku të rinjve u mohohet e drejta për të shkuar në fakultetet që duan, ku u imponohet masteri menjëherë pas shkollës (kur të rinjtë ende se dinë se çfarë duan), ku ndodhin padrejtësi midis atij që përkushtohet dhe atij që ka para apo është i aftë të kopjojë), ku mungon fryma në ekip, ku pasionet nuk rriten e zhvillohen edhe jashtë shkollës dhe ku në përgjithësi çel dhe rritet një klimë mosbesimi ndaj meritës. Dhe rrjedhimisht, shumë të rinj edukohen ta shohin punën si një mjet mbijetese për të kaluar muajin dhe jo si një investim për veten e tyre.

Duke parë këtë “krizë” serioze dhe qesharake njëkohësisht, sepse vende pune ka (dhe këtu kryeministri nga të paktat herë, nuk bën shaka), vendosa që në bazë të gjithë eksperiencës sime 20-vjeçare si ish-studente, si aplikante, si e punësuar, si e pushuar nga puna dhe tashmë si e vetë-punësuar, por edhe si mikeshë dhe kolege e shumë punëdhënësve të tjerë me kompani shumë herë më të mëdha se e imja, të ndaj me ju disa këshilla, që ju siguroj do t’ju ndihmonin shumë për të rritur shanset për sukses në gjetjen e një pune. Këshilla e parë:

 1.    Duajeni punën!

Kjo është këshilla më e rëndësishme që mund t’ju japë kushdo!
Natyrisht pas shkolle jo të gjithë gjejmë punën që duam. Unë pasi u diplomova në SHBA për Shkenca Politike, fitova të drejtën për të punuar një vit me një pagesë shumë të mirë për një të sapo-diplomuar tek “Zëri i Amerikës” (seksioni shqip) në Washington DC.

E dashuroja gazetarinë, por ai lloj pozicioni nuk më jepte shumë hapësirë për të dalë në terren, por kryesisht përktheja lajmet e gatshme të Departamentit të Shtetit.

Nisa ta urreja atë punë, urreja sa herë shefi im, Elez Biberaj më detyronte ta ri-përktheja një tekst sepse nuk e kisha shqipëruar siç duhet, urreja edhe faktin që nje pjesë e kolegëve nuk ishin mosha ime, por familjarë dhe ambienti ishte i mërzitshëm (jo aq entuziast dhe party-ready sa në konviktin e shkollës sime). Natyrisht mos-dëshira për të punuar aty nisi të reflektohej edhe në punën time. Në një lloj mënyre, unë pata një refuzim për të mësuar nga ai vend dhe për të dhënë maksimumin, aq sa nisa të ndihesha si “më speciale” ose siç thonë amerikanët “Too smart for that place”.

Por pa mbaruar viti, disa ditë pas 11 Shtatorit të vitit 2001 kur Amerika ende s’po e merrte veten nga tragjedia, Elezi më thërret në zyrë dhe më njofton për largimin tim nga puna.
Natyrisht si 22-vjeçare “speciale” që isha, nuk e prita mirë. U largova gjithë nerva, përpara kohës së përcaktuar me ligj. Aty pësova tronditjen e parë dhe përballjen me realitetin e një ambienti pune. Pasi e shava mirë e mirë punëdhënësin për nja një javë rresht dhe qava sikur të isha ndarë nga një lidhje shumë-vjeçare, kuptova se nuk isha aq speciale. Askush nuk është.  As special dhe as i pazëvendësueshëm. Unë thjesht duhet të bëja punën time.

Ato përkthime që më dukeshin aq të mërzitshme, sidomos kur më duhej t’i shqipëroja deri në detaje (pak e vështirë për dikë që kishte 7 vjet që lexonte, shkruante dhe mendonte në anglisht), në fakt më ndihmuan shumë dhe vazhdojnë të më ndihmojnë sot.

Asnjë informacion nuk është i panevojshëm, asnjë punë nuk është e rastësishme. Ne do të kthehemi sërish në fund të këtij shkrimi tek “rastësia”, por më lejoni t’ju them vetëm këtë: Për sa kohë jeni në një marrëdhënie pune diku, edhe nëse nuk ju pëlqen; ose jepni dorëheqjen menjëherë, ose respektoni veten dhe punëdhënësin duke dhënë maksimumin. Ai informacion që merrni (qoftë edhe ai informacion që doni të refuzoni të merrni) do t’ju hyjë në punë një ditë. Edhe nëse do t’ju duhet të përktheni për Grykën e Mezhgoranit, kur në fakt thellë-thellë e ndjeni që doni të bëheni një gazetare e famshme televizive!

Nuk e dimë kurrë se çfarë na ndodh, e rëndësishme është që ne të investojmë sa më shumë tek vetja jonë, sepse është investimi më i sigurt që mund të bëjmë ndonjëherë!

 Foto e stafit të Anabel në zyrat e reja në ish-Bllok, Shkurt 2017

2.    Zhdukeni pesimizmin! Nuk fitohet çdo gjë me kopje e miq!

Shumë shpesh na shkruajnë edhe në Anabel në Facebook, kur hapim aplikim për punë apo konkurse: “Po ju i fusni me mik njerëzit në punë!?”

Le ta zbërthejmë pak këtë shprehje në logjikën e një punëdhënësi/e: Po për çfarë arsye unë, apo një punëdhënës/e tjetër që e ka ngritur me shumë mund, djersë dhe netë pa gjumë një biznes, ka interes të paguajë çdo muaj rrogë dhe siguracione për dikë që nuk e meriton të jetë në atë pozicion, por ka ardhur si rekomandim nga jashtë?!

Babai im, vetë një sipërmarrës, vinte nga një familje shumë e varfër dhe natyrisht pas rënies së komunizmit, kur ai arriti që falë punës dhe zgjuarsisë të fitonte të ardhura më shumë se të gjithë familjarët e tij, e ktheu në prioritet që t’i ndihmonte të gjithë. Familjarët më të mëdhenj në moshë i ndihmonte me të ardhura, kurse më të rinjve (nipërit dhe mbesat) përpiqej t’u siguronte një punë në bizneset e tij.

Edhe pse altruizmi i tij, natyrisht i kushtëzuar edhe nga varfëria e madhe në fëmijëri dhe rini, nuk ndaloi deri ditën kur u nda nga jeta, unë nuk e harroj kur ai vazhdimisht më thoshte se në një punë duhen punësuar vetëm njerëz të aftë, sepse nuk mund të bësh biznes e të ecësh përpara kur punëson familjarë (nga halli) dhe ata nuk janë adaptë apo nuk e vlerësojnë punën.

Ai vetë kishte bërë kompromis me këtë fakt dhe nuk ishte në natyrën e tij të butë që të hiqte nga puna, sepse ishte rritur në një sistem tjetër e në kushte të tjera, si shumë sipërmarrës të viteve 90-të. Por u përpoq që gabimet e tij t’i bënte mësim për ne.

Në fund të ditës, kushdo qoftë; motra, vëllai, mbesa, fëmija, nëse ai/ajo nuk duan të punojnë dhe pengojnë në ecurinë e një biznesi, nuk kanë vend aty.

Një nga mbesat e Warren Buffet, një prej njerëzve më të pasur në botë, tregonte se si gjyshi i saj nuk e mbështeste financiarisht. Kur ajo ishte në shkollë të mesme, i kishte kërkuar gjyshit që të vazhdonte një shkollë arti. Buffet, një njeri që e ngriti veten nga zero, e kishte vënë re se vajza nuk kishte një talent të spikatur për pikturë dhe një ditë i tha: “Nëse ti vazhdon një shkollë pikture, ki parasysh që do të jetë e vështirë të çash. Përse nuk bën një shkollë që mund t’i shërbejë edhe kompanisë sime?” Vajza refuzoi dhe Buffet atëherë ia bëri të qartë: “Unë do të paguaj shkollën, por vetëm kaq. Më pas ti vazhdo me forcat e tua, meqënëse vetë e dëshiron këtë zgjedhje.”

Në dokumentarin që unë kam parë shumë vite më parë, mbesa tregonte se si jetonte në një apartament të vogël në San Francisco pa shumë mundësi financiare, sepse nuk kishte arritur t’ja dilte vetëm falë pasionit dhe se si gjyshi nuk e ndihmonte më.”

Nga ana tjetër, janë fëmijët e Donald Trump, të cilët siç po e shohim edhe tani, nuk janë aty ku janë vetëm falë privilegjeve të të atit. Ivanka Trump është një nga personat kyç që drejton me sukses jo vetëm kompani të të atit, por edhe ka sipërmarrje të sajat dhe përtej privilegjeve shumë më të mëdha se njerëzit normalë, ata nuk janë aty rastësisht vetëm se janë gjaku i një babai miliarder, por sepse punojnë dhe përkushtohen në biznes po aq sa babai i tyre.

Askush që ndërton një biznes me djersë, nuk ka dëshirë ta shoh se si rrënohet ai biznes falë njerëzve që janë aty në mënyrë të pamerituar. Shumë shqiptarë kanë bërë gabime të tilla falë mosdijes dhe një jete krejtësisht ndryshe gjatë komunizmit, por tashmë, këta sipërmarrës kanë mësuar ta ndajnë biznesin nga familja apo lidhjet emocionale dhe si rrjedhim, punësojnë vetëm njerëz adaptë për punën.

 Foto e stafit të ViaAnabel.al në 1-vjetorin e kompanisë/ Janar 2017

3 – Shkruajeni mirë atë dreq CV-je dhe letër prezantimi!

Nëse thashë që kemi realizuar mbi 90-të intervista, nuk përmenda faktin që këto 90-të njerëz janë përzgjedhur nga qindra CV që kanë ardhur në adresën tonë.

Gazetaret që janë punësuar në Anabel.al ndodh që nga nxitimi për të publikuar lajme çdo 20 minuta të bëjnë edhe gabime. Gabime bëhen kudo. Mediat e mëdha dhe të fuqishme në botë, punësojnë deri në tre redaktorë për redaksi. Çdo shkrim kalon në redaktim përmbajtjeje, kontroll të burimeve dhe korrektim gjuhësor. Ky lloj kontrolli ideal duhet të jetë edhe në mediat tona dhe uroj që të ndodhë një ditë, nëse reklamuesit do të tarifohen aq sa duhet dhe ne do të kemi mundësi që të punësojmë një staf më të madh.

Por momentalisht, si ne në Anabel.al, ashtu edhe mediat e tjera online, përpiqemi të bëjmë më të mirën në mungesën e një korrektimi 24-orësh. Ndaj për të zgjedhur gazetarë në Anabel.al duhet që fillimisht aplikantët të kenë një kontroll shumë të mirë të gjuhës shqipe, që të paktën gabimet të ngelen në kuadër të “lapsuseve” nga shpejtësia dhe jo gabimeve logjike apo injorancës ndaj rregullave gramatikore të gjuhës sonë.

Tani imagjinoni që të hapni emailin dhe të lexoni një CV plot me gabime nga një aplikant për gazetar/e! Kjo na ndodh shumë shpesh dhe natyrisht këto lloj CV-sh as nuk i llogarisim!

CV-ja është prezantimi i parë që ti bën me punëdhënësin/punëdhënësen. Nëse ti nuk denjon të kontrollosh e të korrektosh një CV dy faqe, çfarë do të thotë kjo për punëdhënësi/punëdhënësen tënd/e? Qoftë një media ku vlerësohet shkrimi, qoftë edhe një kompani nafte ku ti aplikon si inxhinier, tek një CV e shkruar keq, shohin një papërgjegjshmëri dhe mungesë respekti ndaj punëdhënësi/punëdhënëses.

Është njësoj sikur të shkosh në një intervistë pune i palarë, me flokë pakrehur dhe me shenja ushqimi në fytyrë!

Nëse në shkollën tuaj nuk keni me detyrim një kurs për ndërtimin e një CV-je (që normalisht duhet të jetë një praktikë e detyrueshme), atëherë kërkoni në Google. Ka me mijëra faqe që të udhëzojnë se si të shkruash një CV dhe çfarë të përfshish (bazuar në profilin ku ti kërkon të aplikosh).

Ju mund të jeni shumë të aftë dhe idealë për një vend punë, por më besoni, në momentin që ka qoftë një “ë” të munguar në CV-në tuaj, skualifikoheni me lehtësinë më të madhe. Janë vetëm 3 orë dreqi e mori në jetën tuaj që ju harxhoni për të realizuar një CV siç duhet. Nëse nuk keni nerva për ato 3 orë, si mund të besoj unë apo të tjerë që ju keni nerv për të punuar çdo ditë sistematikisht për 8 orë?

 Gjatë procesit të fotografimit në ViaAnabel.al. Sa herë udhëtoja gjithmonë më pëlqente të blija në dyqane second-hand, e frustruar me çmimet “anormale” të çantave dhe veshjeve të reja firmato. #pikatlidhen

 4 – Ndiqni rregullat!       

Ah sa bukur të jesh rebel! Sa bukur të thyesh rregulla e të vendosësh të tuat! Në fakt rebelët kanë çuar në zhvillimin e botës, por mos i ngatërroni ata lloj rebelësh me veten tuaj në intervistën/prezantimin e parë për një punë të re. Se në atë moment, ju jeni njësoj si gjithë të tjerët e duhet të respektoni rregullat.

Me qindra CV që vijnë dhe me mijëra punë e probleme e sfida që u dalin kompanive, askush nuk ka nerva për këta lloj “interesantësh”. Nëse ju kërkohet që të dërgoni CV-në tuaj dhe një letër prezantimi, atëherë dërgoni CV-në dhe letrën e prezantimit. Kaq e thjeshtë!
Më kujtohet që një vajzë na dërgoi një letër ku ajo shkruante për veten e saj dhe argumentonte se përse nuk kishte nevojë për CV dhe përse nuk ishte si të tjerët “e turmës” që dërgojnë një letër prezantimi. Në fillim ne e injoruam emailin e saj, por të jem e sinqertë, letra ishte e shkruar aq bukur, sa e ri-mendova dhe thashë: po i jap një shans. Herë pas here edhe unë gaboj dhe mbi-vlerësoj “interesantët” mbi ata që zbatojnë rregullat.

Kështu, ajo  erdhi për intervistë dhe gjatë gjithë kohës shfrynte ndaj sistemit, ndaj shoqërisë, ndaj anti-vlerave dhe se si ndihej ndryshe nga të tjerët dhe se si donte të bënte një ndryshim. E vumë në provë dhe ajo na solli një shkrim të shkruar shumë bukur. Natyrisht, meqënëse kam një pikë të dobët për njerëzit krijues, që vështirë të gjenden, thyeva gjithë rregullat e Anabel dhe e injorova faktin që ajo deri atë ditë, nuk kishte punuar asnjëherë, pikërisht se nuk donte të zbatonte rregullat shoqërore. Kështu që i ofrova një punë. Ditën e parë ajo erdhi në provë dhe u informua që do të shkruante edhe për gjëra të cilat nuk i interesonin! U zhduk nga sytë këmbët dhe nuk u shfaq më kurrë në redaksi.

Herë pas here përballemi me të tillë njerëz, kryesisht ata që sapo kanë dalë nga bangat e shkollës dhe ende e kanë të nxehtë frymën revolucionare. Ka edhe nga ata që kanë qenë gjithë 10-ta, kanë mallëngjyer mësues e drejtorë me hartimet e tyre, kanë qenë më të bukurit e universitetit e plot të tjera si këto dhe kur shohin gjatë provës se në punë askush nuk mallëngjehet nëse nuk ka rezultat, tmerrohen dhe heqin dorë, duke menduar se i përkasin “Një botë tjetër!”

Një tjetër grup i ri që po formohet këto vitet e fundit, është edhe grupi i aplikantëve whatsapp-istë. Ky grup mendon se emaili është i panevojshëm, kur fare mirë mund të gjejnë numrin e telefonit të punëdhënësit dhe të “ndërhyjnë” pa të drejtë në celularin e tij/saj duke u dërguar CV-në.

Tmerri im dhe i shumë punëdhënësve të tjerë është kur dikush na shkruan në Whatsapp për punë.

Më kujtohet një vajzë që përdori çdo lloj llogarie të mundshme timen (whatsapp, instagram, emaili personal) duke menduar se në këtë mënyrë krijonte konfidenca me mua dhe e kishte më të shpejtë procesin e punësimit. Por fakti që ajo nuk donte të trajtohej si aplikantët e tjerë dhe refuzoi të dërgonte aplikimin në emailin e përgjithshëm, krijoi efektin e kundërt! Ne nuk e morëm kurrë për intervistë.

Nëse je një nga ato “gjenitë” që duan thyejnë rregulla e të vendosin të tyret, fillimisht duhet t’i kuptosh e t’i “vuash” rregullat që tashmë janë vendosur. Steve Jobs, Oprah Winfrey e qindra të famshëm të tjerë, nuk do e kuptonin kurrë se çfarë donin të bënin, pa kuptuar se çfarë nuk donin të bënin. Jepi mundësi vetes të konsiderohesh për punë duke zbatuar rregullat dhe duke iu përkushtuar një pune, përpara se të rebelosh tek diçka që ti mendon se është më e mirë.

 Foto nga zyrat e dyta të Anabel, pasi kaluam nga revistë në faqe online. Zyra e parë e Anabel ishte vetëm një dhomë e marrë me qera. #pikatlidhen

5– Informohuni për biznesin ku do të aplikoni.

Për sa kohë jeni thjesht një ndjekës i Anabelit në Facebook, keni të drejtë të mendoni ç’të doni për kompaninë tonë. Mund edhe të na quani “ajo faqja që ka ato letrat me seks”.  Për sa kohë pini Fanta apo Redbull për qejf, keni të drejtën tuaj të plotë të flisni vetëm për shijet e ndryshme të Fanta-s apo për sportet ekstreme që sponsorizon Redbulli. Por në momentin që aplikoni për punë tek “Anabel” apo tek kompanitë distributore të ketyre pijeve, duhet të merrni sa më shumë informacion për kompanitë që qëndrojnë prapa këtyre shërbimeve/produkteve.

Më kujtohet një herë në Anabel, një vajzë kërkonte me ngulm të punonte tek ne, aq sa kishte ardhur vetë disa here tek dera e zyrave tona në Bllok. E kuriozuar nga interesi që tregonte, vendosa ta takoja. Ajo studionte për Marrëdhënie me Publikun në një universitet privat. Kur e pyeta se çfarë i pëlqen nga Anabel, ajo u përgjigj: “Më pëlqen shumë revista juaj”.  Kjo intervistë u realizua në vitin 2016, 4 vjet pasi revista “Anabel” kishte dalë nga printi dhe kishte kaluar online.

Kur e pyeta “Po online na lexon?” ajo u përgjigj: “Jo. Nuk lexoj shumë online. Nuk kam as Facebook dhe nuk shoh këto rrjetet sociale se më bezdisin.”

“Por çfarë bën një studente për marrëdhënie ime publikun si puna jote? Si e kalon kohën?”

“ Hiç. Shkoj në shtëpi, nuk kam shumë shoqëri. Pi kafe me shoqet e ngushta.”

Po flasim për një vajzë që do të diplomohej për master në një degë, thelbi i të cilës është komunikimi me njerëzit. Si mund të promovonte një biznes apo të organizonte një event kjo vajzë në të ardhmen, kur kishte zero interes për atë çfarë ndodhte përreth? Si mund të kuptonte/nuhaste se çfarë duan njerëzit, kur ajo nuk denjonte të fliste e të lexonte për trendet e fundit të komunikimit dhe evitonte socializimin?

Si kjo vajzë, kanë ardhur shumë të tjera në “Anabel” të cilat mendojnë se kompania është një vend i lezetshëm ku vajzat rrinë, fotografohen dhe qeshin me letrat në inbox, pa e ditur që çdo gjë që publikohet në këtë kompani që thelbin e ka në komunikim, është falë një pune e përkushtimi të përditshëm!

Një mikesha ime më rrëfeu një ditë për një aplikante që kishte hyrë në dyqanin e saj, ku ajo shet produkte luksi si përfaqësuese ekskluzive për Shqipërinë dhe duke mbajtur në dorë një veshje të një marke të njohur botërore kishte pyetur: “Çfarë janë këto? Origjinale? Janë firmato!?” Atëherë, si mundej kjo punëdhënëse t’i ofronte kësaj vajze një punë, kur ajo jo vetëm që nuk e dinte se ku po aplikonte, por kishte minimumin e informacionit për ato produkte që nesër, pasneser do të duhej t’ja shiste të tjerëve!

Shijojini letrat e Anabel, freskohuni me Fanta apo Redbull, por kur vjen puna të aplikoni për punë në këto kompani, bëni mirë të dini se çfarë pune ka mbrapa për të mbajtur të angazhuar mbi 300,000 vetë çdo ditë apo për të sjellë shishen e Fantës dhe Redbullit të freskët në dorën tuaj.

 Foto nga lexuesit e revistës print “Anabel”. Shume lexues koleksiononin të gjithë numrat e Anabel. Kur hapa “Anabel”, e kuptova pse abonohesha në të gjithë revistat e modës në SHBA, edhe kur i klasifikoja “të cekëta” #pikatlidhen

6– Nevojtari nuk vendos kushte!

Intervistat më të shkurtra në zyrën time kanë qenë ato që nisnin me pyetjet e mëposhtme:

– Çfarë orari kam, sepse kam edhe diçka tjetër që bëj?

– Sa e kam rrogën, sepse unë me më pak se 40,000 lekë nuk punoj!

Ju mund të pyesni: Po ai/ajo është i/e sinqertë të paktën? Ku është problemi këtu?

Atëherë fillimisht duhet të kuptoni që ndryshe nga paragjykimi i përgjithshëm, për një punëdhënës, interesi nuk është që të shfrytëzojë sa të mundet një njeri të aftë me një rrogë minimale, sepse një ditë gjithë investimi i kompanisë dhe dija e përftuar nga i punësuari, mund të gëzohen nga një kompani tjetër.

Unë në eksperiencën time si punëdhënëse, pra si administratore, kam bërë plot gabime. Kam dhënë paga të larta për ata që në fund nuk e kanë merituar dhe nuk kanë treguar përkushtimin e duhur, por kam vlerësuar me shumë pak rrogë edhe njerëz të cilët janë dedikuar maksimalisht ndaj një pune dhe kanë çuar në rritjen e kompanisë.

Natyrisht edhe punëdhënësit/punëdhënëset nuk lindin menaxherë dhe ekspertë në burimet njerëzore. Unë jam krijuese nga natyra dhe papritur u përballa me një numër të konsiderueshëm të punësuarish dhe menaxhimi i forcës punëtore u kthye në një shkollë të dytë e të përditshme për mua.

Ndaj momentalisht, vlerësoj vetëm njerëz që duan të punojnë dhe janë të gatshëm për t’u rritur e për të mësuar falë punës. Nëse dikush që vjen vetë (jo i/e kërkuar) për punë tek unë, apo tek çdo punëdhënës/e tjetër dhe vendos kushte, atëherë çfarë tregon kjo për ta?
Kjo tregon se ai njeri nuk ka interes për kompaninë. Është pak a shumë si dikush t’ju thotë juve: “Dëgjo, s’më intereson fare se çfarë duhet të bëj unë për ty, por më intereson se çfarë do të bësh ti për mua.” Një sekondë! A nuk duhet të jetë interesi i ndërsjelltë?
Njerëzit harrojnë që rrogën e përcaktojnë vetë ata. Si? Falë punës së tyre. Vlera që dikush ja përcakton vetes duhet të jetë në raport të drejtë me kontributin në punë. Si mund të vlerësojë një punëdhënës dikë që as nuk ka eksperiencë të jashtëzakonshme pune dhe/apo as nuk ka dëshmuar ende aftësi në kompaninë ku kërkon të punësohet?

Të fituar janë ata që fillimisht kërkojnë të punojnë sepse duan të punojnë, pasi eksperienca (qoftë edhe e imja në Anabel) ka treguar se disa njerëz të cilët kanë marrë rroga të pamerituara, kur janë larguar, kanë gjetur punë me një rrogë më të ulët dhe me orare më të gjata, sepse me dembelizëm dhe shmangie ndaj detyrave të përcaktuara, askush nuk e ka të gjatë. Pra në fund, del me humbje.

Ndaj mos vendosni kushte që në takimin e parë. Fillimisht tregojini punëdhënësit/punëdhënëses që jeni të gatshëm të punoni e të mësoni! Statusin nuk e përcakton rroga, por puna. Dhe me kalimin e kohës, me pak durim dhe me shumë punë, statusi vjen vetë! Asnjë punëdhënës nuk do të donte të largonte nga kompania punonjës të përkushtuar dhe do të bënte çmosh t’i mbante ata. E kur të arrini në fazën që jeni “të nevojshëm”, atëherë mund të ishte koha perfekte për ju që të vendosni kushte të arsyeshme. E nëse ajo kompani nuk do t’ju vlerësojë, falë punës suaj, ju rritet vlera në treg si “pula e tjetrit”.

7. Respektoni orarin e intervistës dhe kodin e veshjes.

Në Anabel.al nuk ka një kod veshjeje të përcaktuar. Duke qënë se është një ambient vajzash dhe pjesa më e madhe e tyre nuk kanë komunikim të drejtpërdrejtë me njerëz të tjerë (përveç shitjeve dhe marketingut), atëherë ato vishen sipas shijes së tyre. Falë punës të llojit “krijues” që kemi këtu, ne nuk paragjykojmë ngjyrat e flokëve, tatuazhet apo piercings në hundë e buzë. Megjithatë, edhe në këtë lloj ambienti, paragjykojmë disa detaje në intervista.

– Korrektesa në orare.

Kemi një kulturë të tmerrshme me orarin dhe jemi mësuar që çdo vonesë ta justifikojmë me një mesazh! Kur ka shumë intervista pune, ne caktojmë 30 minuta për secilën, që do të thotë se unë lë mënjanë çdo lloj pune tjetër e detyrimi ndaj kompanisë për të intervistuar të interesuarit në oraret e përcaktuara. Në momentin që ti ke nevojë për punë dhe tregon interes për të punuar në kompaninë time (apo në çdo lloj kompanie tjetër), minimumi që kërkohet është të paraqitesh 5 minuta përpara orarit. Nëse unë apo një punëdhënës tjetër ka lënë mënjanë detyrime të tjera për ty, atëherë si mundesh ti që të mos organizohesh për të respektuar oraret e kompanisë?

Natyrisht ka pasur nga ato raste “deux ex machina”, ku diçka e papritur ka ndodhur siç ishte rasti i një aplikanti që pësoi një aksident me makinë dhe ne e kemi mirëkuptuar, por në raste të tjera, absolutisht kemi refuzuar të intervistojmë çdokënd që vonohet më shumë se 10 minuta ose dërgon një mesazh deri në 2 orë përpara intervistës se nuk mund të vijë. Ashtu si me CV-në, edhe intervista e punës duhet të jetë një prioritet, pasi tregon shumë për respektin që ju keni ndaj punëdhënësit/es dhe kompanisë së tij.

– Higjena

Në një audicion për modele, m’u desh të hapja dritaret e zyrës sepse dy prej vajzave kundërmonin. Dikujt mund t’i duket e tmerrshme që kompanitë paragjykojnë në bazë të higjienës, por nga eksperienca ime, duhet të dini që në fakt ky është një problem shumë i madh, madje në botë, shumë kompani detyrojnë njerëzit të lahen apo i paralajmërojnë për pushim nga puna, pasi aroma e rëndë sjell një shqetësim në të gjithë stafin. Nëse një vajzë që kërkon të modelojë veshjet e një butiku, tregon mungesë higjiene në intervistën e parë, si mund ta shohim ne atë një modele të denjë për veshjet e shtrenjta të butikëve?

– Përtyp, flit, përtyp, flit.

Deri tani, fatmirësisht nuk kemi parë ndonjë që të bëjë poça gjatë intervistës, por fakti që dikush përtypet dhe flet, është mungesë edukate. Është shumë e thjeshtë: Hidhe përpara se të hysh në një zyrë për intervistë! Ose nëse e ke harruar, kërko ndjesë dhe gjej një copë letër dhe hiqe nga goja atë të shkretë çëmçakëz! Përtypja gjatë kohës që flet tregon arrogancë dhe askush nuk do të punësojë dikë që paraqitet ashtu tek eprori/ja i/e ardhshëm.

– Veshja

Fakti që Anabel drejtohet nga gjinia femërore, nuk do të thotë që ne nuk na vret syrin një fund shumë i shkurtër, një bluzë e tejdukshme, flokë të pakrehura, thonj tmerrësisht të gjata, tuta sportive apo barku jashtë gjatë intervistës. Paraqitja është më e thellë se kaq. Tek paraqitja, vlerësohet edhe mundimi që dikush ka marrë për të respektuar kompaninë ku aplikon. Nëse vjen me tuta sportive atëherë më lejon mua të gjykoj se ti ose ke ardhur direkt nga palestra duke menduar “të kaloj edhe njëherë këtej të dalë ç’të dalë” ose ke zbritur poshtë nga pallati se e ke shtëpinë afër, duke menduar sërish “Hajt mo po kaloj ta provoj!”

Fakti që ti vesh një fund tmerrësisht të shkurtër, sërish më bën të mendojë për mungesë respekti, sepse kushdo të jetë në karrigen time, në çdo lloj kompanie, nuk do të donte që të “shpërqëndrohej” duke parë me ankth se si do të kaloje këmbën e majtë mbi të djathtën pa treguar të mbathurat, se çfarë ngjyre i ka reçipetat, se si të paloset barku kur rri ulur apo se çfarë gjenialiteti ke qënë duke menduar, që është hutuar aq shumë sa s’ka parë veten në pasqyrë! Këto shpërqëndrime janë shumë njerëzore dhe të panevojshme në një takim, ku prioriteti duhet të jetë një prezantim i thjeshtë e korrekt, në mënyrë që punëdhënësi/ja të ketë mundësi të të dëgjojë e jo të shpenzojë kohë duke të të parë!

8– Ne nuk duam t’ja dimë për hallin tënd, por për punën tënde!

Nuk e di a është e rastësishme, por sa herë që dikush ka ardhur në zyrën time dhe më ka përplasur të gjitha problemet familjare dhe sa herë unë jam ndjerë keq e kam dashur ta punësoj duke u përpjekur ta ndihmoj pak, gjithmonë më ka rezultuar një gabim.

Njerëzit në Shqipëri, ndoshta të induktuar pak nga komunizmi ku ata që kishin prona private u ekzekutuan dhe u quajtën me gjithçfarë emrash “kulakë”, “imperialistë” etj. shpesh kanë një paragjykim të tmerrshëm ndaj atyre që kanë ndërtuar një kompani. Mendojnë se sipërmarrësit janë “Ca monstra që kushedi si i kanë fituar lekët”. Nëse je burrë, natyrisht ke kaluar me tonelata kamiona droge dhe ke fituar tendera padrejtësisht se je i lidhur me politikën. Nëse je grua, patjetër që të ka ndihmuar një burrë, se vetë nuk je e aftë të bësh asgjë. Nëse ke një kompani të regjistruar në QKR dhe disa zyra, patjetër që ke miliona euro për të hedhur dëm dhe ke detyrim të ndihmosh të gjithë të varfërit që të trokasin në derë, se ndryshe je njeri mizor!

Të gjitha këto paragjykime kanë pasur herë pas here edhe baza të vërteta, por kjo nuk është e aplikueshme për të gjithë! Ka me mijëra biznese që kanë nisur nga zero dhe janë rritur falë një pune sistematike, falë netëve të pagjuma dhe sakrificave në familje. Por këta njerëz që kanë ecur përpara dhe kanë ngritur biznese, nuk kanë qënë detyrimisht të privilegjuar. Privilegji (qoftë nga trashëgimia e babait, burrit etj) të çon deri në një vend, por nuk të ndihmon të kesh një rritje konstante. Është puna, nuhatja, gjetjet e njëpasnjëshme që një punëdhënës bën në raport me risitë në treg, ato që të ndihmojnë të rritesh. Dhe gjatë kësaj pune, edhe punëdhënësi/punëdhënësja, si gjithë të tjerët kalon mjaft beteja; disa i humb, disa i fiton; kalon një kalvar problemesh në biznese e në familje, sëmundje, humbje të dashurish, sherre e drama si gjithë të tjerët. Por këto ne nuk i dimë, sepse njerëzit që ecin përpara, nuk kanë dëshirë të mëshirohen. Ata duan të dalin në dritë vetëm falë punës.

Nga ana tjetër, kemi edhe një grup të rinjsh që mendojnë se mund të përfitojnë një vend pune falë halleve të tyre personale. Një punëdhënës ka interesin e vetëm të gjej njerëzit e duhur që duan të punojnë. Fakti që në shtëpinë tënde keni vetëm një krah pune, fakti që ti je një grua të cilën bashkëshorti e ka braktisur, fakti që ti s’ke para mjaftueshëm për të ushqyer fëmijën, nuk janë arsye për t’u punësuar. Këto janë arsye për bamirësi.

Në momentin që shkon për intervistë diku, këto probleme lëri jashtë dere dhe brenda zyrës trego motivimin dhe dëshirën për të punuar. Mos harroni që Shqipëria është një vend i varfër dhe askush nuk emocionohet nga historia jote, më shumë sesa është emocionuar nga qindra histori të tjera që u kanë ndodhur edhe vetë punëdhënësve apo familjarëve të tyre.

Nëse një punëdhënës do të punësonte dikë vetëm në bazë të “hallit” atëherë do t’i duhej të bënte kompromis me veten e të mbyllte gojën sa herë ky “hall” të detyronte të punësuarin të punonte me orar të shkurtuar, t’i shmangej përgjegjësive etj. Jo vetëm që ky “hall” do të pengonte mbarëvajtjen e punës, por gjithashtu do të krijonte përçarje në staf. Sepse një ditë, edhe ai që punon pa zë dhe pa ndarë problemet e tij/saj me të tjerët, do të ndihet i pabarabartë dhe i shfrytëzuar në raport me dikë tjetër që është më i favorizuar për shkak të “hallit”.

Natyrisht kompanitë sa më shumë të fuqizohen, duhet të kenë një detyrim njerëzor në rradhë të parë ndaj komunitetit që të mbështesin edhe programe sociale dhe kjo është diçka që duhet ta bëjnë të gjithë. Por këto programe specifike nuk duhen ngatërruar me pjesën tjetër të zhvillimit të kompanisë, pasi siç dikur më thoshte një biznesmen i famshëm izraelit: “Që të ndihmosh të tjerët, duhet të fuqizohesh vetë në rradhë të parë” dhe fuqizimi i një biznesi bëhet vetëm nga njerëz që duan të punojnë!

 Gjatë një interviste me një grua të dhunuar për rubrikën “E diela Trend”/ E Diela Shqiptare. Të dëgjosh, është kusht kryesor për çdo punë të mirë.

9. Pyesni, pyesni, pyesni! Nuk ka pyetje budallaqe, vetëm njerëz budallenj që refuzojnë të pyesin!

Ka njerëz që ja dalin me sukses në intervistë, sepse kanë bërë detyrat. Kanë ndjekur me përpikmëri rregullat e ndërtimit të një CV-je, kanë Google-uar për kompaninë, janë veshur siç duhet në prezantimin e parë, kanë ardhur në kohë dhe kanë folur rrjedhshëm. Në këtë mënyrë e kanë bindur punëdhënësin/en t’u japë një shans për provë. Natyrisht punëdhënësi/ja nuk është psikolog. Në zyrat e drejtuesve të Burimeve Njerëzore (që njihen ndryshe si HR) apo në zyrat e vetë punëdhënësve të kompanive të vogla (si e imja, ku unë realizoj shumicën e intervistave), nuk ka ndonjë makinë të së vërtetës për të kuptuar se sa gënjen apo jo aplikanti. Fatkeqësisht si për mua, ashtu edhe për kolegë të mitë, edhe referencat nuk janë shumë të aplikueshme, madje ka pasur raste kur njerëz janë punësuar pavarësisht referencave negative në një punë tjetër. Kështu që në pamundësi për të psikologjisur të intervistuarin/en, ne na duhet që t’i provojmë.

Ajo çfarë shumë të rinj nuk dinë dhe fatkeqësisht nuk duan të kuptojnë është se ambienti i punës nuk duhet ngatërruar me një ambient shkolle. Askush në atë ambient nuk paguhet për të kaluar 8 orë me ty për të të mësuar. Ka kompani që ofrojnë trajnime për punë specifike, por shumë të tjera të japin disa udhëzime dhe pas 1 jave të “lënë të lirë në det të hapur” që do të thotë se ti ke në dorë vetë fatin tënd, nëse qëndron apo jo në atë punë.

Në media, presioni është shumë më i madh, pasi çdo gjë ka një afat kohor dhe nën këtë presion, gazetarët e tjerë e kanë të pamundur t’i përkushtohen një të riu maksimalisht.

Gabimi i shumë aplikantëve është se ata refuzojnë ose kanë turp të pyesin për diçka që nuk dinë. Askush nuk pret që këta aplikantë për një javë të zëvendësojnë shefat me dije dhe eksperiencë, por nga ana tjetër shefat nuk mund të psikologjisin dot nevojat e aplikantëve. Ata shohin punën në fund të ditës dhe gjykojnë vetëm duke u mbështetur në rezultatin përfundimtar.

 Me banorë të fshatit Tregtan në Kukës pas realizimit të një reportazhi. Udhëtimet nëpër Shqipëri falë gazetarise, më kanë mësuar të qëndroj me këmbë ne tokë në sipërmarrjet e mia dhe të di se me kë po flas. #pikatlidhen.

Kur unë erdha nga SHBA dhe u punësova në Top Channel, një nga punët e mia të para si gazetare kulture në redaksinë e lajmeve ishte të raportoja mbi një debat për mbylljen e Lidhjes së Shkrimtarëve. Isha larguar që 17 vjeç nga Shqipëria dhe të jem e sinqertë, i kisha dëgjuar si emra kompozitorët dhe shkrimtarët të përfshirë në atë debat, por nuk bëja dot lidhjen me fytyrën. Natyrisht, për shkak të presionit të kohës në një redaksi lajmesh, nuk kisha luksin të informohesha paraprakisht. Atëherë mungonte edhe informacioni i mjaftueshëm shqip në Google. Ndaj më duhet të gjeja një zgjidhje. Nuk njihja asnjë nga kolegët e mi gazetarë të kulturës, por nisa të pyesja. “Kush është ky?” “Si e ka emrin ky tjetri?”

Pyetjet e mia u bënë batuta mes gazetarësh atë ditë dhe u etiketova si “budallaqe” e “injorante”, por kjo kishte pak interes për mua. Ajo çfarë më interesonte ishte të mos dilja “injorante” në transmetim, duke ngatërruar Aleksandër Lalon me Limos Dizdarin. Se si e merrja unë informacionin pak rëndësi kishte, e rëndësishme ishte të isha korrekte në transmetimin e atij informacioni tek publiku.

Ndaj në rast se nuk dini diçka, mos kini frikë të pyesni se edhe ata kolegë të ardhshëm që keni në ambientin e punës, kanë qënë si ju. Diku e kanë filluar të gjithë. Vetëm kini parasysh, që pasi të merrni përgjigjen, memorizojeni atë, sepse askush nuk ju a fal pyetjen për herë të dytë.

10. Mos i thoni kurrë punëdhënësit/punëdhënëses se kompania e tij/e saj është thjesht një trampolinë për diçka më të mirë.

Është e njëjta gjë si t’i thuash dikujt: “Unë do të rri me ty sa të gjej një burrë/grua të hajrit për martesë.’  Dikujt edhe mund t’i interesojë kjo lloj formule marrëdhënieje në jetë (kryesisht burrave/grave të martuara por ky është një tjetër muhabet), por kompanitë nuk kanë as kohë dhe as lekë tepër të hedhin për njerëz që duan t’i shfrytëzojnë për një kohë të shkurtër.

Është absolutisht e drejta e çdokujt të kërkojë më të mirën. Edhe unë kam ndërruar mbi 15 punë derisa vendosa t’i përkushtohem gjësë sime, por nuk mund ta krijoja “Anabel”, pa mësuar në pozicionet që kisha. Nëse do të shkoja me fodullëk në një punë e do të thoja: ”Unë po rri këtu derisa të hap diçka timen më të mirë se e jotja”, do të kisha humbur mundësinë për të përftuar eksperiencë e për të vjelë “sekretet” e suksesit dhe gabimeve të kompanive ku unë kam qënë e punësuar.

Një nga problemet më të mëdha në tregun e shërbimeve është se të rinjtë hyjnë me objektiv të qartë në një marrëdhënie pune si shitëse apo kamariere, duke i thënë vetes se kjo do të jetë një punë e përkohshme, se nuk do të jenë shitës e kamarierë për gjithë jetën dhe rrjedhimisht refuzojnë të përkushtohen e të mësojnë. Duke refuzuar të mësojnë, rrinë në vend numëro; punëdhënësi nuk ka asnjë lloj ndjeshmërie ndaj pagesës së tyre, madje shumë shpejt zëvendësohen. E kështu ndërrojnë disa punë sepse përdorin të njëjtën logjikë, vazhdojnë të jetojnë me rroga minimale derisa një ditë, sidomos vajzat, mendojnë se nuk kanë asnjë shpresë dhe do të ishte më mirë “t’i fusnin një të martuar”.  Dhe pastaj kur vjen puna në drama familjare, preferojnë të rrinë në martesa të gabuara, sepse nuk kanë asnjë mundësi ekonomike.

Natyrisht, nuk janë të gjitha historitë të tilla, por janë shumë, janë me qindra që unë kam lexuar në inbox-in e Anabel dhe kam dëgjuar gjatë punës sime si gazetare. Me qindra vajza që humbin shpresat sapo hyjnë në tregun e punës dhe pse? Sepse refuzojnë të punojnë e të japin maksimumin e energjive, duke ëndërruar që diku tjetër e pret një punë shumë më e mirë dhe me pagesë fantastike, pa bërë një përllogaritje të thjeshtë, që ajo “puna shumë e mirë dhe ajo pagesë fantastike” nuk të vjen kurrë si “llokum në gojë”, nëse nuk ke referenca që ke punuar e je përkushtuar në punët e mëparshme. Po s’ke ndjenjën e përgjegjshmërisë ndaj një pune, nuk do të kesh as punën që do.

 Dikur në 8-vjeçare më caktonin të bëja skenarët e festës së fundvitit dhe sot (jo rastësisht), prej 5 vjetësh jam skenariste e “Kënga Magjike”. #Pikatlidhen

Më kujtohet, kur hapëm butikun tonë online ViaAnabe.al, unë nuk kisha eksperiencë me shitësit dhe vendosa të “blija” nëpër dyqanet vërdallë. Në një prej dyqaneve në rrugën “Sami Frashëri” më bëri përshtypje një shitëse. Ishte aq e shkathët, aq e përkushtuar dhe për asnjë sekondë nuk e humbte buzëqeshjen. Duke hamendësuar që kjo vajzë paguhej me një rrogë minimale, i ofroj të punoj për mua. “Faleminderit, por unë sapo jam bërë menaxhere dhe paguhem 70,000 lekë në muaj” ma ktheu ajo.

Ajo ishte diplomuar për ekonomi dhe falë punës, për 2 vjet arriti të paguhej edhe më shumë se sa do të merrte në një bankë. Por jo vetëm kaq. Në atë pozicion, ajo kishte bërë një shkollë marketingu; kishte mësuar komunikimin me njerëzit, se si t’i bindte dhe të lexonte shijet e tyre, kishte mësuar për shitjet dhe promovimin. Ajo kërkoi të mësonte dhe ia doli. Dhe në të ardhmen, nëse do të kishte interes që të punësohej diku tjetër, në një kompani edhe më të madhe, do ta kishte shumë më të lehtë se ata që vijnë direkt nga bangat e shkollës dhe refuzojnë të “ndyejnë duart” me profesione që ata mendojnë “se nuk janë në nivelin e tyre”.

Punëdhënësi/ja nuk harxhon as edhe një qindarkë për dikë që nuk e konsideron, ose e konsideron si diçka kalimtare. Nuk ka rëndësi se çfarë objektivash ti i ke vendosur vetes tënde dhe ku do të arrish në jetë, për aq kohë sa je në një punë dhe ke detyrim ndaj punëdhënësit, jep maksimumin sepse në fund do ta kuptosh që…

11. Pikat lidhen.

“Connecting the dots” është një shprehje fantastike amerikane. I keni parasysh ato librat e fëmijëve me figura që plotësohen vetëm nëse ne me laps do të bashkonim pikat? Nëse i ndjek të gjitha pikat, në fund shihje pikturën e madhe, që mund të ishte ajo e një elefanti, lepuri apo e një shtëpie. Nëse e lije përgjysëm, nuk arrije ta kuptoje, sepse kishe një elefant pa feçkë, një lepur pa veshë apo një shtëpi pa çati.

Konsideroni faktin që të gjithë eksperiencat e jetës janë pika të domosdoshme, që në fund të gjitha bashkohen për të krijuar një pikturë të madhe, atë ku ju përfytyroni të mbërrini. Çfarë jeni sot, çfarë po bëni, sa fitoni, si jetoni, janë falë atyre pikave që nisin që nga fëmijëria dhe pasionet e para.

Kur isha e vogël doja të bëhesha regjisore dhe lexoja pafund, shihja filma, ndiqja shfaqje teatrale e të gjitha spektaklet e mundshme televizive. Gjatë 8-vjeçares tek ish -“11 Janari” (sot “Edit Durham) në Tiranë, m’u caktua të shkruaja skenarin e festës së fundvitit. Në Amerikë, në shkollë të mesme fitova çmim për fjalimin më të mirë dhe gjithashtu më zgjodhën për të bërë regjinë e një teatri në kishën e shkollës. Në universitet, edhe pse studioja për shkenca politike, angazohesha në radion e shkollës, konkurroja në konkurse poezish dhe gjithashtu abonohesha në çdo revistë mode të mundshme, të cilat i lexoja pastaj me nerva, duke shfryrë për çmimet e veshjeve.

Për disa kohë gjatë universitetit, punoja në një dyqan veshjesh dhe kujdesesha çdo ditë të palosja e të rregulloja stendat e reklamimit. Në New York, disa muaj punoja si “hostess” (mikëpritëse) e një restoranti grek në Manhattan dhe më duhej të buzëqeshja e të kalisja durimin duke u rrëfyer histori mbi gatimet greke të gjithë klienteve të moshuara hebreje që udhëtonin enkas nga Florida për të ngrënë pranë vatrës së famshme të zjarrit të këtij restoranti. Natyrisht një pjesë të “rrëfimeve” i shpikja se fundja, nga do e dinte ajo grua e moshuar se ç’hanin grekët nëpër male. Por kur unë rrëfeja dhe ato gra më dëgjonin gjithë kërshëri, pa e ditur, kisha bërë një praktikë fillestare marketingu.

Çdo gjë, qoftë edhe një dështim, në fakt ishte një pikë. Mësova shumë herët të ndaja punën nga personalja, kur pasi kisha kaluar një mbrëmje në një pub të Boston-it me shefen time duke qeshur e duke pirë, të nesërmen i shkoj tek tavolina dhe në mënyrë shoqërore përpiqem të diskutoj një çështje pune. Ajo me ftohtësinë më të madhe ma kthen: “Me email të lutem!”

Nëse mendoja se një punë nuk më kishte mësuar asgjë se “isha e zgjuar vetë!” e kam vënë re që me kalimin e kohës edhe aty kam gjetur një leksion. Nëse një pozicion nuk më rriti profesionalisht, më bëri të kuptoj nga marrëdhëniet me njerëzit dhe më ndihmoi të gjeja edhe gabime të vetja duke më dhënë shansin t’i përmirësoj ato.

 Hyrja në zyrat e reja të Anabel. #pikatlidhen

Ëndrra për regjisore, skenaret e 8-vjeçares, revistat “Vogue” që as vetë s’e kuptoja pse i lexoja, reklamat e filmat e librat që kam lexuar, aventurat e çmendura me shoqërinë, udhëtimet në botë, puna në terren si gazetare, orët e gjata në montazhe e xhirime, pushimet nga puna, punë që i urreja, kolege që i bëra shoqe e pastaj i humba, sherre me eprorët e lotë për pagesa të padrejta, të gjitha këto që në fillim i konsideroja “të rastësishme” apo “mallkime”, gradualisht filluan të bashkoheshin dhe po bëjnë gjithmonë e më shumë sens, sa më shumë Anabel zhvillohet drejt asaj pikture të madhe që unë kam në kokë. Çdo ditë është një pikë dhe çdo eksperiencë, sado e pallogaritshme të të duket për momentin, të mëson diçka.

A ju kujtohet kur na thonin prindërit të vegjël: “Mëso në shkollë, se do të të pyes një ditë dikush e ti s’do të dish t’i përgjigjesh?” Kam qeshur me vite me këtë shprehje aq të bezdisshme dikur.

Kush dreqin do të më pyesë mua për Grykën e Mezhgoranit? Por ja që më ndodhi para tre ditësh, kur me bashkëshortin e vajzat e mia po hanim një drekë në dalje të Përmetit, pikërisht aty tek Gryka e famshme dhe e madhja (Larisa) më tha: “O mami, pse quhet grykë?” Në ndihmë më erdhi menjëherë bashkëshorti dhe unë hapa direkt Google gjatë kohës që ai shpjegonte. Ja që të ndodh.

Informacioni është pushtet dhe çdo punë që ti bën, sado e pallogaritshme të të duket për momentin, është një informacion më shumë që në fund me pak durim dhe me shumë përkushtim, kompozon pikturën e objektivit tënd ideal.

burimi: Anabel.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0