Kompania Walt Disney po planifikon një valë të re shkurtimeve në staf, që mund të arrijnë deri në 1,000 vende pune në javët në vijim, sipas një raportimi të Wall Street Journal. Burime të cituara nga media amerikane bëjnë të ditur se një pjesë e konsiderueshme e këtyre shkurtimeve pritet të prekë departamentin e marketingut.
Sipas të njëjtave burime, këto plane nuk janë një vendim i menjëhershëm, por kanë nisur të hartohen që përpara se Josh D’Amaro të merrte rolin e ri si CEO i kompanisë në muajin mars. Kjo sugjeron se ndryshimet janë pjesë e një strategjie më të gjerë riorganizimi brenda Disney.
Megjithatë, në raport me përmasat e kompanisë, ndikimi i këtyre shkurtimeve mbetet relativisht i kufizuar. Disney kishte rreth 231,000 punonjës në fund të vitit fiskal 2025, çka do të thotë se reduktimet e planifikuara përbëjnë më pak se 1% të fuqisë totale punëtore.
Në të njëjtën kohë, drejtuesi i ri i marketingut, Asad Ayaz, ka nisur një iniciativë për të bashkuar strukturat e marketingut në nivel kompanie dhe për të ulur kostot operative. Ky proces po zhvillohet nën një projekt të brendshëm të quajtur “Project Imagine”, i cili synon të rrisë efikasitetin dhe koordinimin mes ekipeve.
Lexo edhe: Mikroplastika, kërcënimi i fshehtë nga implantet e gjirit, lodrat dhe boja e shtëpisë
Ayaz ka marrë përgjegjësinë për një strukturë të re të centralizuar marketingu që prej muajit janar, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën si Disney organizon komunikimin dhe promovimin në të gjitha njësitë e saj.
Këto zhvillime vijnë në një periudhë kur kompanitë e mëdha të medias dhe argëtimit po përballen me presion të shtuar për të optimizuar kostot dhe për t’u përshtatur me ndryshimet e shpejta në industrinë e përmbajtjes dhe marketingut.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto