Del online fjalori i madh i shqipes, përmban 125 mijë fjalë e shprehje - Business Magazine Albania

Del online fjalori i madh i shqipes, përmban 125 mijë fjalë e shprehje

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, vepra më e plotë leksikografike e realizuar ndonjëherë për shqipen, është i aksesueshëm online për publikun që prej ditës së djeshme. Projekti, i përfunduar më 24 dhjetor 2025 pas pesë vitesh punë intensive, përfaqëson një nga kontributet më të rëndësishme të Akademisë së Shkencave në fushën e gjuhësisë.

Fjalori përfshin rreth 125 mijë njësi leksikore, nga të cilat mbi 105 mijë janë fjalë, 12 mijë e 500 njësi frazeologjike, shprehje të huaja të paasimiluara, si dhe më shumë se 1.200 akronime.

Vepra mbështetet në një korpus gjuhësor prej mbi 800 milionë njësi, i cili pritet të arrijë në rreth 1 miliard. Në të janë përfshirë veprat e autorëve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, që nga Gjon Buzuku dhe Gjergj Fishta e deri te Ismail Kadare, si edhe fjalorët e mëparshëm, përdorime nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Fjalori pasqyron gjithashtu zhvillimet e vrullshme të dekadave të fundit, duke integruar terminologji nga fusha të reja si mjekësia, ekonomia, bankat dhe teknologjia, të cilat sot janë pjesë e gjuhës së përditshme.

Lexo edhe: Lea Ypi: 2026-ta …viti që mund të jetë!

Në fazën e parë, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe do të jetë i aksesueshëm online si projekt për rreth nëntë muaj. Gjatë kësaj periudhe, përdoruesit do të kenë mundësi të dërgojnë vërejtje dhe sugjerime, ndërsa grupi i punës do të vijojë rishikimin dhe përmirësimin e përmbajtjes.

Qasja do të jetë e kontrolluar, me qëllim mbrojtjen e veprës nga kopjimi apo keqpërdorimi. Përdoruesit do të mund të kërkojnë fjalë individuale, por jo të shfletojnë apo shkarkojnë të gjithë fjalorin. Sipas Akademisë së Shkencave, versioni përfundimtar online pritet të jetë gati në fund të vitit 2026, ndërsa botimi i shtypur, në disa vëllime, parashikohet për vitin 2028 dhe do t’u dedikohet kryesisht bibliotekave dhe institucioneve shkencore.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0