Cili është roli i bizneseve Call Center në Shqipëri? - Business Magazine Albania

Cili është roli i bizneseve Call Center në Shqipëri?


Alban Zusi, President i Qendrës së Eksporteve Shqiptare paralajmëron qeverinë për rrezikun dhe pasojat që po shkakton punësimi i mijëra të rinjve në Call Center. Në një intervistë ai thotë se ky lloj punësimi është duke cënuar rëndë cilësinë e edukimit dhe kualifikimit të të rinjve shqiptarë. Shoqëria shqiptare dhe politikbërja thekson ai, duhet të marrë vendime të dhimbshme për momentin, por që do të garantojnë perspektivën e qartë të këtyre të rinjve dhe zhvillimit të vendit.

1.Ka një tendencë të qeverisë në lidhje me mbështetjen dhe fuqizimin e Call Center, me argumentin se ulet papunësia. Sa i dobishëm është për ekonominë ky lloj biznesi?

Ky është një lloj punësimi i të rinjve mbase atyre më të talentuar të vendit tonë, që zotërojnë gjuhë të huaja pasi presupozohet që një i ri me aftësinë e njohjes së gjuhës së huaj do të thotë se ka talentin edhe vullnetin. Punësimi vjen si pasojë e një rroge joshëse të momentit, por me kalimin e kohës, kthehet në një tavan të pakapërcyeshëm. Në këtë kontekst do të thoja, se ky lloj biznesi nuk është ndoshta forma më e mirë për të zhvilluar ekonominë apo për të punësuar të rinjtë tanë, veçanërisht atë pjesë të talentuar të rinisë shqiptare.

E them këtë sepse së pari një i ri, i cili edhe studion dhe pasditen e shfrytëzon për të punuar harxhon shumë kohë nga koha e tij për të patur, një periudhë studimore të shëndoshë, e cila do t’i shërbejë në kualifikimin profesional. Së dyti, pas mbarimit të universitetit këta të rinj përgjithësisht janë të pa predispozuar në gjetjen e një vendi pune në profesionin për të cilin kanë studiuar, pasi tashmë e kanë një vend pune me një rrogë relativisht më të lartë nga çfarë ofron tregu i punës për një të sapo diplomuar dhe pa eksperiencë. Në këto kushte për 100 mijë lekë më shumë ata preferojnë të rrinë të tregun e Call Center.

Por një i ri që mbaron universitetin dhe nuk ka asnjë lloj eksperience dhe vijon për disa vite të tjera të punojë në Call Center rreth moshës 30 vjeçare, praktikisht paçka se ka një diplomë universiteti, ai mbetet pa asnjë profesion. Në këto kushte ata humbin perspektivën në tregun e punës. Shtrohet çështja nëse ia vlen investimi 5 vjeçar që këta të rinj bëjnë për t’u arsimuar, me një kosto prej disa mijëra euro për familjet. Problemi më shqetësues është nëse pjesa me e talentuar e rinisë shqiptare rreth 20.000 persona që përllogariten si të punësuar në Call Center shkon në këtë aktivitet që nuk sjell asnjë vlerë të shtuar për Shqipërinë përveç një page, e cila do të jepej edhe në ndërmarrje të tjera të sipërmarrjes shqiptare.

Më i mprehtë problemi do të bëhet në sipërmarrjet jashtë Tiranës pasi përgjithësisht të rinjtë e rretheve, të cilët nuk preferojnë të kthehen në këto qytete për shkak të një pune në Call Center dhe në këtë mënyrë dëmtimi që i shkaktohet biznesit dhe sipërmarrjes është shumë i madh. Është fakt i njohur që në një ekonomi si kjo e sotmja, me tendencë në rritjen e eksporteve faktori më i rëndësishëm është faktori i burimeve njerëzore, që duhet të drejtojnë në mënyrë profesionale, të garantojnë cilësinë, informacionin e prodhimit.

Por në një kohë kur ajka e rinisë shqiptare nuk është në dispozicion të ekonomisë dhe sipërmarrjes por vihet në dispozicion të sipërmarrjeve të huaja të Call Center, të cilët nuk krijojnë asnjë vlerë të shtuar. Besoj se ky sektor duhet parë me shumë rezerva për mos të thënë se ndoshta duhet të mendojmë edhe për ta lënë në një rënie të lirë drejt atrofizimit të tij.

2. Nga ajo që sapo deklaruat duket se Call Center janë duke paralizuar brezin e ri nga miredukimi dhe më pas gjetja e një pune në profesionin e tyre apo jo?

Absolutisht, unë mendoj se kjo gjë është duke ndodhur. Të gjithë të rinjtë, të cilët mbarojnë studimet në degët e inxhinierisë, agronomisë, teknologjisë apo kimisë shkojnë e punojnë në Call Center dhe kjo bën që në dyert e bizneseve shqiptare gjithnjë e më pak të trokasin të rinj me këto lloj kualifikimesh. Nuk e dimë se ku, pas 10 vitesh ne do t’i gjejmë profesionistët për këto fusha.

3. Përse kaq shumë të rinj i drejtohen Call Center për të punuar dhe jo bizneseve për të vijuar në profesionet e tyre?

Kjo ka disa shpjegime. Call Center-at kanë një kosto investimi shumë të ulët që do të thotë se të hapësh një biznes të tillë duhen shumë pak para. Në këto kushte Call Center-at janë në kushtet që të japin një pagesë relativisht më të lartë se sa mund të paguajë një ndërmarrje prodhuese. Në Call Center e vetmja njohuri që duhet janë gjuhët e huaja. Ndërkohë që në një ndërmarrje prodhuese fillimi është më i vështirë për të rinjtë pasi ata nuk kanë përvojë dhe eksperiencë. Duhet të pranojmë edhe fatin e cilësisë së ulët të universiteteve shqiptare. Mungesën e lidhjes së tyre me biznesin me praktikën për t’i bërë studentët të dobishëm që në momentin fillestar për bizneset shqiptare. Në këto kushte ata në bizneset shqiptare do të paguhen me një rrogë më të ulët, por kanë një perspektivë më të mirë në të ardhmen pasi pas disa vitesh eksperiencë me rrogën mund të shkojë shumë herë më lart se sa në një Call Center. Jemi përballë faktit të joshjes e të rinjve nga fitimi i shpejtë dhe ky është një lloj avantazhi i pandershëm që biznesi i Call Center krijon ndaj sipërmarrjeve të tjera private.

4. Kush janë avantazhet dhe disavantazhet e një shtrirje kaq të madhe të Call Center-ave këto 10 vitet e fundit?

I vetmi avantazh i këtyre Call Center-at janë disa milionë euro që shpërndahen në formën e pagave tek kjo pjesë e rinisë. Ndërkohë disavantazhi është shumë më i madh pasi këto Call Center po atrofizojnë totalisht inteligjencën e rinisë. Call Center-at praktikisht po realizojnë eksodin e mendjes dhe talenteve shqiptare duke qëndruar në vend numëro. Gjithashtu bëjnë edhe minimizimin e aftësisë konkurruese të bizneseve shqiptare në një botë të globalizuar.

5. Cili është impakti i këtij biznesi në ekonominë shqiptare?

Unë besoj se të rinjtë që kanë gjetur mënyrë punësimi në Call Center jo studentët, por ata pas universitar mbi 70 apo 80% e tyre do të gjenin punë në tregun e punësimit të biznesit privat. Ndërkohë për kategorinë tjetër e të punësuarve kur ata vijojnë studimet kam dyshimin e fortë nëse kjo praktikë duhet të vazhdojë. Kjo cënon rëndë cilësinë e edukimit dhe kualifikimit të tyre. Shoqëria shqiptare dhe politik bërja duhet të marrë vendime të dhimbshme për momentin, por që do të garantojnë perspektivën e qartë të zhvillimit të vendit. Vende si Suedia që në moshën 10 vjeç krijojnë programe të veçanta për kualifikimin e fëmijëve për profesione si për shembull inxhinieri pra mendojnë për të ardhmen pas 15 vitesh. Ne atë që e kemi shumë të vlefshëm studentin e deformojmë. Madje tendenca dhe premtimi politik për ta nxitur këtë sektor në emër të uljes së papunësisë mendoj se është totalisht i gabuar nga pikëpamja e vizionit të zhvillimit të vendit.

6. Ka një vëmendje dhe premtim për mbështetje me lehtësira nxitëse nga qeveria. A ka vlerë për ekonominë një gjë e tillë?

Nëse ka vend për të dhënë lehtësira fiskale nga qeveria duhen dhënë për prodhimin, pra për ata të rinj që punësohen atje ku prodhohet. Shkollat profesionale dhe ato aktivitete që shërbejnë për punësim në biznese dhe jo lehtësira që dëmtojnë trurin, mendjen dhe talentin e vendit. Po dëmtohen të rinjtë të cilëve u thuhet shko e puno 5 orë pasdite në Call Center. Kur do të mësojnë këta të rinj? Kur do të bëhen profesionistë? Dhe më pas kur mbarojnë studimet u thuhet se vijoni të punoni në Call Center për një pagë më të mirë, e cila vjen në kurriz të ekonomisë shqiptare për shkak të lehtësirave fiskale që mund të jepen. Atëherë ky është një dëm i dyfishtë që padyshim do ta vuajnë brezat që vijnë, mbi të gjitha ekonomia.

7. A ka Qendra e Eksporteve Shqiptare propozime konkrete për këtë çështje, të cilën ju e quajtët problematike dhe me pasoja në të ardhmen?

Çdo nxitje dhe mbështetje që qeveria ka në plan të japë në sektorin e IT-s duhet të shkojë në përmirësimin e kurrikulave universitare që të rinjtë të mësojnë të programojnë dhe jo të flasin si papagall përballë një kompjuteri. Njohuritë në programim do t’u vlejnë nesër kur të jenë të punësuar në ndërmarrje të ndryshme. Pra ideja është të krijohet një modul ekstra për çdo lloj dege si në inxhinieri, agronomi, teknologji ushqimore për të programuar. Nuk bën më sens sot që një teknicient, një ekspert të drejtojë një linjë prodhimi dhe të limitohet në formën e mbajtjes të dhënave vetëm një format Exel në një kohë kur bota sot ka programe të tëra të integruara që bëjnë në çdo moment procesin dhe konkluzione të dhënave.

Qendra e Eksporteve Shqiptare mendon se qeveria duhet të gjejë politika demotivimi për të rinjtë që duan t’i drejtohen Call Center dhe për t’i orientuar ato drejt bizneseve prodhuese. Këtu duhen dhënë inciativat. Ndaj atyre që shkojnë në një biznes prodhues, pra përveç pagës që jep biznesi, qeveria duhet të japë një pagesë ekstra në mënyrë që të kompensohet mungesa e përvojës gjatë vitit të parë, por në këtë mënyrë do të integrohen dhe do të ushtrojnë profesionin e tyre. Në të njëjtën kohë do të marrë vlerë investimi i familjeve në aspektin e shkollimit për ta.

Burimi: standard.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0