Cili është çelësi i suksesit të punësimit të të rinjve në Zvicër?

Cili është çelësi i suksesit të punësimit të të rinjve në Zvicër?


Imagjinoni një adoleshent që këshillon një klient të një fondi hedge (partneritet investitorësh që përdorin metoda me rrezikshmëri të lartë duke shpresuar në fitime të larta) ose që menaxhon një dyqan për shitjen e telefonave me pakicë.

Ky mund të tingëllojë si një projekt mësimor, por tek Credit Suisse dhe Swisscom, deri në 800 adoleshentë marrin përsipër përgjegjësi si këto gjatë praktikës së tyre trevjeçare në secilën nga këto kompani.

Në Zvicër kompanitë e vogla dhe të mëdha, fabrikat moderne dhe agjencitë e sigurimit, bankat, spitalet dhe dyqanet e shitjes me pakicë pranojnë nxënës për të kryer praktikën, gjatë të cilës ato përshëndesin konsumatorët, punojnë me makineri të ndërlikuara, kryejnë procedura me bazë mjekësore, madje këshillojnë edhe investitorët – me pak fjalë ata bëjnë gjithçka që do të bënte edhe një punonjës në fillimet e tij, megjithëse nën kujdesin e mësuesve të kualifikuar dhe me eksperiencë brenda kompanisë. Përqindjet e punonjësve “arsimorë” janë të ngjashme në 30% të kompanive zvicerane që marrin pjesë në sistemin e arsimit profesional.

Lexoni: Diktatura moderne e punësimit

70% e adoleshentëve në Zvicër e kalojnë javën e tyre duke shkuar sa nga një vend pune në një organizatë sektoriale apo shkollë. Ata paguhen me një pagë mujore fillestare prej rreth 800 dollarë, duke arritur shumën prej rreth 1.000 dollarë në vitin e tretë. Puna që bëjnë ata i kompenson punëdhënësit të tyre koston e trajnimit, madje dhe pak më shumë, sipas studimeve të Stefan Wolter, Drejtor Menaxhues i Qendrës Zvicerane për Bashkërendimin e Hulumtimit në Arsim dhe Profesor i Ekonomisë në Universitetin e Bernës. Në këmbim, zviceranët kanë një “kontigjent talentesh me profesionistë të rinj”, siç, në të vërtetë, i referohen vetes bankierët e rinj tek Credit Suisse.

Duke përdorur të dhënat tremujore zvicerane, shkalla e papunësisë së të rinjve është pak më shumë se 3% (pdf, në gjuhën frënge), ndër më të ulëtat në 34 vendet e OECD.

Krahasojeni këtë tabllo me SHBA-në: papunësia e të rinjve në muajin korrik ishte 16.3% dhe në vitin 2010 (pdf) arriti normën e saj më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas Andrew Sum nga Qendra për Hulumtimin e Tregut të Punës në Universitetin Veri-lindor. Këtë verë, vetëm 20% e adoleshentëve familjet e të cilëve fitojnë më pak se 20,000 dollarë kanë punuar, ndërsa nga adoleshentët familjet e të cilëve kanë fituar 100,000 dollarë ose më shumë rreth 40% e tyre kanë patur një punë. Në të vërtetë, Sum na tregon se ju keni më pak gjasa që të keni një punë nga mosha 16 deri në 19 vjeç nëse jeni të varfër sesa kur familja juaj fiton mbi $ 120,000 në vit. E vërteta e trishtuar në SHBA është se ju nuk mund të gjeni punë nëse nuk keni përvojë dhe nuk mund të keni përvojë pa gjetur punë. Por në SHBA nuk ekziston një sistem i cili do të të ndihmonte adoleshentët që të mësojnë sesi të punojnë.

Ja se si funksionon sistemi zviceran i arsimit të mesëm: Në moshën 16 vjeç, shumica e të rinjve hyjnë në sistemin e mesëm profesional. (Në shumicën e vendeve më të zhvilluara, shkolla e detyrueshme përfundon në moshën 15 vjeçare dhe nxënësit hyjnë në programe akademike ose profesionale – këto të fundit janë si një kombinim i shkollës së mesme dhe kolegjit të komunitetit).

Komponenti kryesor i sistemit zviceran është vendi i punës; në moshën 15 ose 16 vjeçare nxënësit nënshkruajnë një kontratë me një punëdhënës. Komponenti i dytë është një organizatë sektoriale. Organizata e sektorit bankar është Qendra për Profesionistët e Rinj (QPR), ku nxënësit marrin orientim në lidhje me industrinë si edhe disa trajnime teknike. Kjo organizatë financohet nga industria bankare zvicerane. Komponenti i tretë është shkolla, ku 16-19 vjeçarët zakonisht studiojnë gjuhë, matematikë, histori, etikë dhe ligj.

Sot ekonomia e dijes kërkon që të rinjtë të cilët janë të interesuar për punë zyre në zonat me rritje të lartë, siç janë kujdesi shëndetësor, turizmi dhe teknologjia, si dhe ata që zgjedhin zanatet më të vjetra si hidraulikë, elektriçistë dhe auto-mekanikë kanë nevojë për aftësi të sofistikuara. Njohja e këtij realiteti e ka vënë në qendër të vëmendjes arsimin dhe formimin profesional (AFP) – siç quhet në Europë, ose arsimin për karrierë dhe arsimin teknik (AKT) – siç njihet në SHBA.

Lexoni: A mund të kemi praktika profesionale në distancë?

OECD ka kryer tre studime që përfshinë disa vende mbi këtë temë, të cilat kanë arritur në konkluzionin se kur zbatohet mirë, arsimi profesional është strategjia e preferuar për kalimin e qetë të të rinjve në tregun e punës.

Megjithëse Gjermania është më gjerësisht e njohur për sistemin e saj të praktikës afatgjatë, Zvicra ndoshta ka të ashtuquajturin “sistem të dyfishtë” më të mirë në botë. Nxënësit mund të lëvizin nga sistemi akademik tek sistemi i AFP dhe anasjelltas dhe, pas përfundimit të arsimit të tyre të mesëm, mund të zgjedhin midis gjashtë fushave profesionale pas të mesmes (fushës teknike, fushës së biznesit, dizajnit, fushës komerciale, shkencave natyrore, shëndetësore dhe sociale). Sistemi gjerman ka më pak mundësi për dhënien e diplomave të avancuara, dhe shumë më pak nxënës të arsimit profesional marrin diploma më të larta. Të dy sistemet kanë kurrikula dhe kualifikime kombëtare të hartuara nga partnerët socialë (shoqatat e tregtisë, kompanitë dhe organizatat trajnuese) dhe shteti investon në shifra të konsiderueshme për hulumtimin ,vlerësimin dhe kontrollin e cilësisë.

Në SHBA interesi për këtë qasje po rritet çdo ditë dhe nismat për rrugët e karrierës mbështeten nga Departamenti Amerikan i Arsimit, organizatat kombëtare dhe rajonale si dhe fondacionet. Unë bashkë-drejtoj Rrjetin ‘Rrugët drejt Prosperitetit’ (Pathways to Prosperity Network) së bashku me Robert Schwartz, një bashkëpunim midis Shkollës pas-unversitare të Harvard për Edukimin (Harvard Graduate School of Education),Punë për të Ardhmen (Jobs for the Future) (organizata ime) dhe tetë shteteve të fokusuara në punën për të siguruar që shumë më shumë të rinj të mbarojnë shkollën e mesme dhe të arrijnë një kualifikim pas të mesmes. Me qëllim vendosjen e lidhjeve më të ngushta midis nevojave të tregut të punës dhe arsimimit të të rinjve, ky Rrjet është frymëzuar pjesërisht nga sistemet më të mira të arsimit profesional europian. Sfida më e madhe është të fitojmë dakordësinë dhe angazhimin e punëdhënësve.

Zvicra, ndryshe nga shumë vende ku aplikohet sistemi i dyfishtë (dual), nuk ofron stimuj të veçantë për t’i nxitur kompanitë që të marrin pjesë në këtë sistem. Kompanitë përfitojnë financiarisht nga puna e praktikantëve, vlerësojnë privilegjin e punësimit të të rinjve që tashmë i njohin, si dhe e shohin trajnimin e gjeneratës së ardhshme si pjesë të misionit të tyre. Me një nivel të lartë të shkallës së përfundimit të arsimit të mesëm mbi 90% dhe me synimin për t’i ndryshuar gjërat edhe më tej, studiuesit zviceranë ja atribuojnë suksesin e Zvicrës programeve të AFP “që përputhen ngushtë me nevojat e tregut të punës, si në aspektin e kualifikimeve profesionale ashtu edhe përsa i përket numrit të vendeve të punës në dispozicion “, sipas një raporti të vitit 2009 nga Zyra Federale për Arsimin Profesional dhe Teknologjinë. Një kualifikim profesional mund t’ju cojë në pozicion menaxhimi të nivelit të lartë ose në “MIT të Zvicrës”, Universiteti i Shkencave të Aplikuara. Siç thonë zviceranët, dhe siç e konfirmon sistemi i AFP-së: nuk ka rrugë pa krye.

/LinkedIn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0