Nga Albert Gjoka, menaxher
Rekomandimet e Leximtarit dhe Bukinist.al gjatë ditëve tuaja të qëndrimit në shtëpi: Si të mbajmë veten nën kontroll, si të përmirësojmë gjendjen emocionale, të adoptojmë shprehi të reja në jetën e përditshme, si të zbulojmë lajmet e rreme dhe si të kuptojmë çfarë po ndodhë rreth nesh dhe kudo nëpër botë.
“Rri në shtëpi, – lexo libra!”, këto janë mesazhe që po ndahen gjithnjë e më shumë në rrjete sociale. Tashmë, ky është një realitet për secilin prej nesh: Ndodhemi të izoluar brenda 4 qosheve të murit. Dhe nuk e dimë sesa gjatë do të rrijmë brenda në shtëpi.
Lexo: Hapet konkursi i biznesve të gjelbërta 2020
Bukinist.al rekomandon katër libra, të cilët besojnë se do të na ndihmojnë. për të kapërcyer këto momente të parehatshme. Jetesa brenda në shtëpi për një kohë të gjatë tejkalohet më mirë kur informohesh “shëndetshëm”, ndërton virtualisht dhe mendërisht edhe realitete të tjera përtej atij që ke nëpër këmbë, si dhe kur mësohesh me zakone/shprehi të reja, të cilat ndryshojnë shumë nga ato të përditshmërisë tuaj të deritanishme. Lista e rekomandimeve është sim ë poshtë:
- “Forca e faktit” nga Hans Rosling
Ne jemi të bombarduar përgjatë 24-orëve me informacione të shumëllojshme, por shumica prej tyre kanë besueshmëri të ulët, janë të pasakta ose janë lajme të rreme (Fake news). Prandaj, është shumë e rëndësishme që të përzgjedhim lajmet të cilat janë të sakta, të vërteta dhe që emëtohen nga autoritete përkatëse dhe të besueshme. Duke lexuar librin “Forca e faktit” do të jeni më të qetë, më të qartë dhe më të aftë për të kuptuar se çfarë po ndodh në mjedisin përreth nesh dhe për të marrë vendimet në vendin e duhur, në kohën e duhur në të mirën tuaj dhe të familjes tuaj.
- “Fuqia e shprehisë” nga Charles Duhigg
Jeta jonë është një tërësi shprehish (zakonesh) të cilat është tej mase e vështirë për t’i ndryshuar, aq më tepër kur flitet për tu përshtatur tani, në këto momente. Përshembull, jemi mësuar që të dalim në mëngjes nga shtëpia, të ulemi në kafe me të dashurit apo miqtë, që përqafohemi apo shtëngojmë duart, e kështu me radhë. Të gjitha këto shprehi në këto momente janë me kosto të lartë për shëndetin tonë dhe të të tjerëve. Prandaj, sot është koha për të adoptuar shprehi të reja, shumica e të cilave janë të diktuara nga autoritetet qeveritare apo shëndetësore. Që ta keni më të lehtë për të bërë pjesë të jetës tënde këto zakone, – pra për të ndërtuar një përditshmëri tjetër, duke qenë i izoluar brenda shtëpisë, – nuk duhet vetëm vullnet, por edhe dije. Formulën dhe mënyrën e adoptimit të këtyre shprehive e sjell më së miri libri i Charles Duhigg, “Fuqia e shprehisë”. Jemi gati të vëmë bast me secilin prej jush se pas leximit të këtij libri, ndryshimi i zakoneve tuaja të përditshme do të jetë më i mundur se më parë dhe më i shpejt, pa u stërmunduar apo sfiduar nga kushtet dhe rregullat që imponon situata në të cilën jetojmë.
- “Pushtet i pakufishëm” nga Anthony Robbins
Anthony Robbins mbahet sot si një nga mësuesit më të mirë të disiplinës së zhvillimit personal, e cila ka gjetur shtrirje të madhe gjatë dekadës së fundit kudo në botë. Ky libër sjell mjeshtrinë e mbajtjes nën kontroll të vetvetes. Nëse ne jemi të mbushur me mllef, të lodhur, të rrënuar, apo të sfiduar, ka tenika përmes të cilave mund ta autosugjestionojmë vetveten: Ndalu një çast! Prit! Pusho! Mos bëj asnjë veprim tjetër derisa të kuptosh vlerat dhe rëndësinë që duhet t’i japësh vetvetes! Pastaj, nis të mendosh sesi duhet të dalësh nga gropa në të cilën ndodhesh! Si të stabilizohesh emocionalisht dhe psikologjikisht! Si të zgjidhësh situatat dhe problemet që ke! Programi neurolinguistik i Anthony Robbins është një zgjidhje ideale për të dalë nga situatat në të cilat të çon mendja në këto ditë të vështira.
Lexo: Kontabilistët kërkojnë shtyrje të afateve për dorëzimin e deklaratave
- “21 leksione për shekullin e 21” nga Yuval Noah Harari
E gjithë bota është kthyer në një fshat global. Distancat janë shkurtuar ndjeshëm dhe të njëjtat rreziqe që i kanosen një aziatiku sot, i vijnë sa hap e mbyll sytë edhe një shqiptari. A e patë se çfarë ndodhi me Korona Virusin?! Ishte në Wuham, por erdhi në Shqipëri për më pak se një muaj. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se çfarë ndodh sot me botën tonë. Cilat janë sfidat më të mëdha: Epidemitë, mjedisi, teknologjia, paraja, punësimi, edukimi, forca e armëve etj. Ky libër të rrëfen shumë sekrete të epokës tonë, të cilat e ke të vështirë ti gjesh nëpër libra të tjerë apo ti mësosh nga autorë të tjerë. Në përfundim të leximit të tij, ti do të dish të përballesh më mirë me një botë që është në ndryshim të vazhdueshëm, që ka shumë sfida të mëdha si mjedisi, sëmundja apo lufta, dhe do ti japësh vetes një pozicion dhe perspektivë më të qartë për të ardhmen e afërt.
Librat nuk japin zgjidhje konkrete; pra, nuk do të të sjellin ujin, bukën, energjinë apo nuk do të luftojnë sëmundjen aty ku ti ndodhesh, brenda në shtëpi. Por, ato do të bëjnë më të qartë për të parë se ku je dhe do të vijnë në krah për të marrë vendimet e duhura në këtë kohë të pazakontë.
Edhe nëse nuk do të jesh i qetë për t’u ulur për të lexuar, këto libra do të të fusin vetë në botën e tyre, pa të lënë kohë të mendosh për gjëra të tjera: Si koronavirusi, për shembull. Pastaj, kur të shkosh në faqen e fundit, do të kuptosh se realiteti nuk është ashtu siç të tjerët na e ofrojnë apo sendërtojnë…
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.