Nga Elvis Shera
Ky artikull është pjesë e rubrikës javore “Edukimi Financiar”, ku eksplorojmë aspekte të ndryshme të ekonomisë dhe financave personale. Në këtë pjesë, kemi shqyrtuar karakteristikat e parasë dhe mënyrën se si ajo është evoluar gjatë historisë. Në artikullin e ardhshëm, do të shqyrtojmë se si zhvillimi teknologjik ndikon në vlerën dhe mjetin transportues të parasë. Nëse keni tema të tjera që dëshironi të trajtohen, mos hezitoni të na shkruani.
Në artikullin “Çfarë është Paraja?”, treguam se si paraja manifestohet në një shoqëri në mënyrë natyrale nga dinamika e tregut të lirë dhe se si gjatë historisë tregu ka zgjedhur mallra të ndryshëm si mjet këmbimi. Në këtë pjesë do të hyjmë më thellë në ato që janë karakteristikat që veçojnë ato mallra që mund të konsiderohen kandidatë për para.
‘Per video artikuj, regjistrohuni dhe ndiqni kanalin YouTube: Financiarisht i Pavarur”
Karateristikat e parasë
Qartazi, karakteristika e parë e parasë është të qenit një mjet këmbimi. Kjo është karakteristika themelore dhe e para në absolut. Këmbimin mund ta bëjmë tani ose në një moment tjetër në të ardhmen kur na nevojiten sende ose shërbime. Këmbimi në një moment të ardhshëm imponon karakteristikën e dytë të monedhës, që është “konservimi i vlerës në kohë”. Ruajtja e monedhës në kohë e ul ndjeshëm numrin e sendeve kandidatë që mund të përdoren si monedhë. Ushqimi, për shembull, nuk ruhet për kohë të gjatë, madje edhe disa metale si hekuri, edhe pse durojnë më shumë, përfundojnë të oksidohen duke reaguar me elementë të ndryshëm dhe konsumohen gjatë kohës.
Këto sende, në momentin e nevojës, nuk do të ishin në gjendje të mundësonin këmbimin për shkak të degradimit të tyre. Karakteristika e tretë është: sendi i përdorur si monedhë duhet të ketë vlerë që të pranohet në këmbim. Vlera është koncept relativ, por mund të biem dakord se një send i rrallë është një send që ka vlerë. Gurët e zakonshëm i rezistojnë kohës, por toka ka plot gurë dhe çdo aktor i tregut mund të posedojë gurë me shumicë dhe nuk do të kishte përfitim nga këmbimi i këtyre gurëve dhe nuk do t’i përdornin si mjet këmbimi. Delja natyrisht ka vlerë sepse jep mishin, leshin, qumështin dhe pyetja është: pse do ta këmbenit delen me një person që ju jep gurë në këmbim, kur ju vetë keni gurë me shumicë? Pra, për të mundësuar këmbimin e sendeve ose shërbimeve me monedhë, objekti që përdoret si monedhë duhet “të jetë i rrallë”. I rrallë në masën që njerëzit nuk mund ta kenë të lehtë ta krijojnë në sasinë që duan dhe të japë bindje se në të ardhmen vlera që ka sot do të ruhet, dhe këtë mund ta bëjë vetëm një mall i rrallë.
Gurët janë përdorur në fakt si monedhë. Një shembull interesant janë gurët e mëdhenj që janë përdorur si monedhë në ishullin Yap në Polinezi. Këta gurë ishin të rrallë, konservoheshin me kohën dhe shërbenin si mjet këmbimi duke plotësuar tre kushtet e parashtruara në një vend të kufizuar siç mund të jetë një ishull.
Në një ishull ku çdo gjë është statike dhe distancat nuk janë të mëdha, gurët nuk lëviznin nga vendi. Kjo ishte një zgjedhje e natyrshme sepse gurët kanë peshë të madhe dhe ishin të lartë sa një njeri. Ajo që ndodhte ishte një transferim i titullit të pronësisë sipas shkëmbimit të radhës dhe regjistrimi i këmbimit në një regjistër publik.
Një sistem i tillë funksionon mirë në një ishull, por imagjinoni tani të dalim nga një ishull i vogël, me një ekonomi të përmbajtur dhe të shkojmë në kontinent. Në kontinent, distancat janë shumë më të mëdha dhe këmbimet duhet të bëhen midis njerëzish me kultura dhe gjuhë të ndryshme. Pyetja është: Cili nga këta do t’i mbajë gurët pas këmbimit? Ndryshe nga ishulli, është i domosdoshëm transferimi i gurëve nga një aktor tek tjetri, edhe pse në distanca të mëdha. Natyrisht, është e pamundur të lëvizësh gurë të mëdhenj dhe t’i transportosh ato në distancë me frekuenca të larta çdo herë që bëhen këmbime.
Lexo edhe:Çfarë është paraja?!
Ky eksperiment mendor na drejton tek karakteristika e katërt. Objekti që merr rolin e monedhës duhet “të jetë i transportueshëm” me lehtësi. Që të arrihet kjo gjë, ky objekt, përveç plotësimit të kushteve të tjera të përmendura, duhet të përmbajë një vlerë relativisht të madhe në një volum të vogël. Mundësisht të futet brenda veshjes për të mos tërhequr vëmendje, pasi do të përbënte rrezik për sigurinë e mbajtësit.
Le të vazhdojmë tani me të njëjtin shembull dhe në hipotezën se gurët e mëdhenj u transferuan në distancë dhe pesha nuk është problem. Mendoni tani rastin ku guri ka një vlerë më të madhe se mallrat ose shërbimet e marra. Si do të bëhet këmbimi në këto raste? Ideja e parë është që të kemi gurë me madhësi të ndryshme, por në këto rrethana madhësitë ishin të limituara dhe gurë më të vegjël të mbledhur bashkë nuk e bënin vlerën e një guri të madh. Një mendim tjetër është ndarja e gurit të madh në pjesë sipas nevojës, por këta gurë nuk mund të ndahen sepse do të humbnin vlerën pra nuk ishte më e mundur të mblidhen pjesët e gurit për të formuar vlerën fillestare. Ky problem i ndarjes na projekton drejtpërdrejt në një karakteristikë tjetër që objekti duhet të plotësojë në mënyrë që të konsiderohet monedhë. Ai duhet “të jetë i ndashëm” në pjesë më të vogla, ku pjesët më të vogla mund të mblidhen sërish dhe të formojnë vlerën fillestare pra ndarja nuk krijon humbje vlere.
Elementi i fundit që është i domosdoshëm për monedhën, është kapaciteti i saj që të shërbejë si “njësi matëse e vlerës dhe njësi llogarie”. Kjo nënkupton se ajo përdoret si një mjet standard për të matur vlerën e mallrave dhe shërbimeve në një ekonomi. Kjo lejon që çmimet e produkteve dhe shërbimeve të shprehen në monedhë, duke e bërë të lehtë krahasimin e vlerës së tyre. Nëse buka kushton 100 Lekë dhe një shishe uji 50 Lekë, ju e dini që buka kushton dy herë më shumë se uji. Gjithashtu, 1000 Lekë në xhepin tim nuk kanë asnjë ndryshim me 1000 Lekë në xhepin tënd dhe mund të blejnë të njëjtat gjëra.
Njësia llogaritëse është thelbësore për funksionimin e një ekonomie sepse lehtëson marrëveshjet tregtare. Pa një njësi të përbashkët llogarie, do të ishte shumë më e vështirë për njerëzit të krahasonin çmimet. Kjo, për shembull, është një arsye e fortë pse ari dominoi për shumë kohë. Pikërisht sepse mund të krijonte monedha që dukeshin njësoj nga njëra-tjetra dhe me të njëjtën peshë. Gjithashtu, prerje të ndryshme, me pesha të ndryshme për të krijuar gati çdo vlerë dhe për marrjen e kusurit po në monedha.
Le të përmbledhim edhe njëherë cilat janë karakteristikat që duhet të ketë një objekt për t’u përdorur si monedhë:
- mjet këmbimi
- të konservohet
- i rrallë
- i transportueshëm
- i ndashëm në pjesë më të vogla
- njësi matëse e vlerës dhe njësi llogarie
Përveç këtyre vetive, ne mund të themi që monedha është dhe një mjet shprehjeje. Në fakt, në momentet që po blejmë diçka, ne po japim një votë ose një pëlqim për një send ose shërbim dhe e bëjmë këtë çdo ditë. Mendojeni këtë aspekt të monedhës sepse është diçka me shumë rëndësi. Ndoshta karakteristika për të cilën flitet më pak dhe në të njëjtën kohë më e rëndësishmja.
…
Në artikullin e ardhshëm do të flasim se si zhvillimi teknologjik ndryshon vlerën apo mjetin transportues të vlerës.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.