Këtë të Enjte pjesë e jurisë ishin:
1. Jonian Antoni, administrator i “Century 21”, një kompani amerikane që e ka origjinën në Kaliforni, e sjellë në Shqipëri në vitin 2008 ndërsa zyrat e para u krijuan në vitin 2009. Century 21 Real Estate LLC (century21.com) është franchise e organizatës më të madhe botërore të shitjeve në real estate, që jep trajnim gjithëpërfshirës, manaxhim, suport administrativ dhe në marketing për sistemin CENTURY 21. Sistemi përfshin më shumë se 6.900 zyra franchise që operojnë dhe janë në pronësi të pavarur me 101.000 bashkëpunëtorë shitjesh, në 74 vende dhe territore në të gjithë botën. Century 21 Real Estate LLC është pjesë e “Realogy Corporation”, korporatë globale në real estate dhe në sherbimet e zhvendosjes.
2. Agron Shehaj është një prej sipërmarrësve novator më të suksesshëm në Shqipëri dhe më gjerë. Ai është themelues i disa prej kompanive të suksesshme brenda dhe jashtë vendit me fokus ofrimin e produkteve dhe shërbimeve të marketingut online për tregjet europiane. Në moshën 28 vjeçare, pas shumë vitesh shkëputje nga vendi i origjinës, me dëshirën për të kontribuar dhe për të mos humbur lidhjet me vendin e tij, ai vendosi të kthehet dhe të investojë në Shqipëri. Në vitin 2005, Agroni themelon IDS (Internet Data Service Group), kompaninë e parë shqiptare të aftë për të ofruar shërbime në tregun europian. Frymëzuar prej sipërmarrjeve novatore dhe zhvillimeve teknologjike, në vitin 2013, Agroni themelon Local Web, një kompani e cila operon në fushën e marketingut dhe konsulencës online. Në vetëm tri vite, kjo kompani ndërkombëtare, renditet krah 5 kompanive më të suksesshme të marketingut online në tregun Italian, fiton statusin prestigjioz të Google Premier Partner dhe hap zyrat e saj edhe në tregun Britanik.
3. Dionis Teqja është president i “Megatek”, një kompani aksionere me kapital 100% shqiptar. “Megatek” është pjesë e “Teqja Grup”. Ajo është e fokusuar që të shërbejë në tregun me shumicë dhe pakicë të artikujve me destinacion përdorimi në ambiente publike dhe individuale të kategorive të ndryshme. MEGATEK SA ushtron aktivitetin e tij që prej vitit 2009 dhe është sot hipermarketi i vetëm në Shqipëri i stilit “Bëje mirë, bëje vetë”. Mbi 300 punonjës kujdesen në 7 ditë të javës për mbarëvajten e shitjes së më shumë se 40.000 produkteve nga 50 vende të ndryshme të botës. Hipermarketi ofron produkte në kategoritë: vegla pune, ndriçim dhe materiale elektrike, materiale hidraulike dhe hidrosanitare, materiale ndërtimi, bojëra, korniza dhe piktura, kopshtari, ngrohje dhe ftohje, materiale druri, mobilim dhe dekorim i brendshëm dhe i jashtëm, kuzhina dhe aksesorët e saj, materiale për ndërtimin në infrastukturë (ujësjellës, rrugë, parqe, etj). MEGATEK operon sot në një treg dinamik dhe përballet me konkurentë ndërkombëtarë, duke patur një rritje shumë të kënaqëshme nga viti në vit, në pjesën e tregut që ai zotëron.
4. Silvana Ismaili është themeluese e “Silco Distribution Automatic”. Kjo shoqëri ofron shërbimin e kafes dhe snack të ndryshëm në distributorët automatikë në institucione dhe kompani të ndryshme.
5. Hervin Fora është CEO dhe president i “Vinipharma”, një kompani shqiptare e themeluar në Tiranë, në Shkurt 1994. Sot, pas 22 vitesh në tregun shqiptar, kompania Vinipharma është transformuar në një Grup Medical që shtrin aktivitetin në gjithe fushat mjekësore me rreth 34 të punësuar, nga të cilët 45% janë të një kategorie të specializuar. Sipas vlerësimeve kompania tashmë mbulon 5% të volumit të tregut shqiptar në shëndetsi dhe renditet ndër 10 kompanitë më të mëdha të mjekësisë në vend. Euromed është një tjetër kompani nën emrin e Hervin Forës, e cila ofron pajisje elektromjekësore dhe pajisje të ndryshme për spitalet. Në listën e kompanive të tij i shtohet edhe Natyral Pharma që merret me importin e produkteve dermokozmetike dhe suplementeve ushqimore.
Si në çdo puntatë edhe këtë here 5 konkurentë prezantuan idetë e tyre përpara jurisë në një hark kohor prej 7 minutash secili. Në fund të çdo prezantimi anëtarët e jurisë bënin pyetje rreth produktit apo idesë së tyre.
– Konkurenti i parë ishte Arjol Goreca me idenë e tij “GoSocial.al”, një platformë e orientuar drejt marketingut online, marketingut në mediat sociale, konsulencës të hoteleve dhe restoranteve duke ofruar suport logjistik për biznese të ndryshme. Shërbime të tjera të GoSocial.al ishin gjithashtu krijimi dhe mirëmbajtja e website-ve. Kërkesa e tij ishte një mbështetje monetare për të blerë pajisje zyre si pwr shembull: paisje logjistike, laptop, printera, aparate profesionale dhe video projektorë.
– Ideja e dytë e prezantuar nga Amarildo Hodo ishte krijimi i një ferme për mbarështimin e pulave “Ferma Hodo”. Ferma do të mbante pula për prodhim vezësh dhe mishi, të gjitha këto prodhime bio. Amarildo bëri një përshkrim të detajuar të produkteve që do ishin të përshtatshme për atë që femra e tij do të ofronte për konsumatorin si për shembull pula australiane “austral orp” për prodhimin e vezëve dhe rraca “vorwek” për prodhimin e mishit. Amarildo ishte i hapur për investime në mënyrë që të zhvillonte fermën e tij.
–Ideja e tretë u prezantua nga Alfonso Hoxhallari. Ai kërkonte mbështetje financiare për biznesin e tij “Nurse Express”, e cila konsistonte në një shërbim infermierie 24 orë në shtëpi. Ai tashmë kishte një staf infermierësh profesionistë, të liçensuar dhe me eksperiencë shumëvjeçare brenda dhe jashtë vendit. Anëtarët e jurisë treguan shumë interes ndaj kësaj ideje, ku krahas këshillave dhe sugjerimeve i ofruan edhe ndihmë. Anëtarja e jurisë Silvana Ismaili i ofroi shërbimin e helikopterëve. Agron Shehaj ambientet dhe shërbimin call center, Hervin Fora i ofroi një trajnim në Gjermani për mjekët e kësaj kompanie, Dionis Teqja i ofroi ndihmë që të bënte një lidhje me kompaninë e sigurimeve dhe Jonian Antoni u ofrua për mobilimin e ambienteve.
– “Dije shqip”, ideja e katërt e prezantuar nga Aris Basha, konsistonte në heqjen e barrierave tradicionale të mësimdhënies. “Dije shqip” kërkon të ofrojë dixhitalizimin e edukimit, duke ofruar mësimdhënie online, kurse online, kurse kurrikulative universitare përmes një platforme të vetme. Arisi kërkonte një investim apo bashkëpunim për të mbështetur hapjen e biznesit të tij.
– Ideja e pestë dhe e fundit e prezantuar nga Sadi Lika, konsistonte në shitjen dhe dhënien me qera të biçikletave elektrike në qytetin e Durrësit. Me anë të kësaj ideje ai u ofron turistëve shëtitje me këto biçikleta për të parë qytetin. Biçikletat elektrike harxhonin 5-10 lekë për 5 km, duke qenë mjaft ekonomike dhe jo të dëmshme për ambientin. Ai kërkonte një investim prej 13.000 € për blerjen e këtyre biçikletave.
Në fund të puntatës së pestë, vetëm dy prej ideve arritën të kalonin në fazën tjetër: Alfonso Hoxhallari, me biznesin e tij “Nurse Express” për t’i dhënë një formë tjetër shërbimit mjekësor dhe ideja e fundit e biçikletave elektrike nga Sadi Lika.
“Do You Have an Idea?” i jep mundësi të gjithë atyre që kanë qëllim për t’i shërbyer njerëzve në nevojë apo t’ua lehtësojnë jetën, që të vijnë në program, ta paraqesin idenë e tyre përballë jurisë dhe të marrin fondin e nevojshëm për të bërë realitet planin e tyre të biznesit.
Business Magazine Albania ju fton që të merrni pjesë në këtë format televiziv për të ndarë me të gjithë idenë tuaj inovative të biznesit. Ndiqeni puntatën e gjashtë të “Do you have an idea?” të Enjten në datën 13 Prill në Vizion Plus.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.