Në një udhëtim të paharruar në Portugali, një kuti çokollatash me shijen e vendit ndezi një ide të madhe në mendjet e një çifti të pasionuar për promovimin e kulturës dhe traditave shqiptare. Alma dhe Kliton Gërxhani, Dhurata Thanasi dhe Ilir Hysaj Cokolatier vendosën të krijojnë një produkt të ri që do të shërbente si një urë mes teknologjisë së avancuar dhe shijes autentike shqiptare. Kështu lindi Chocolab Albania, një markë që sjell në jetë historinë, kulturën dhe pasuritë e vendit tonë përmes çokollatave artizanale. Në këtë intervistë ekskluzive, Alma ndan rrugëtimin e saj dhe të partnerëve në krijimin e një marke që sjell në jetë historinë, kulturën dhe pasuritë e vendit tonë përmes çokollatave artizanale.
Si lindi ideja për Chocolab Albania dhe çfarë ju ka inspiruar për të krijuar një produkt të tillë që kombinon teknologjinë e avancuar me shijen autentike shqiptare?
Ideja lindi natyrshëm pas një eksperience të gjatë në promovimin e turizmit por edhe produkteve shqiptare. Unë dhe bashkëshorti Kliton Gërxhani jemi një çift konsulentësh në turizëm që kemi në portofolin tonë shumë projekte të turizmit ndër vite. Mund të përmend portalin turistik shqiptar albania.al dhe projektet e promovimit të destinacioneve si www.visit-tirana.com dhe www.visit-gjirokastra.com. Kemi ndërtuar “booking” e parë shqiptar www.albania-hotel.com dhe kemi krijuar kompaninë turistike Albania Holidays DMC që ka tashmë 20 vjet në treg. Tre vitet e fundit me dëshirën për të promovuar produktet shqiptare kemi ngritur dhe portalin www.blishqip.al një e-commerce që shet dhe promovon produktet shqiptare. Përvoja me portalin www.blishqip.al, na zgjoi dëshirën për një prezencë me dyqan fizik ne aeroport dhe në pikat më të vizituara nga turistët. Gjatë një udhëtimi në Portugali blemë një kuti çokollatash me emrin “Taste of Portugal” dhe ky qe ngacmimi për të patur një produkt të ngjashëm çokollatash në Shqipëri.
Kështu na lindi ideja për të prodhuar çokollata cilësore, por me përbërës shqiptarë. Bëmë një kërkim për çokollatat shqiptare dhe pamë që ishte prodhuar një herë një çokollatë për Tiranën nga çokolatier Ilir Hysaj në bashkëpunim me Dhurata Thanasi, eksperte e kulinarisë shqiptare. I ftuam për bashkëpunim dhe krijuam Chocoalb. Pra jemi katër profesionistë dhe aftësitë tona bëjnë një mozaik shumë të mirë, me eksperienca të kombinuara në turizëm, marketing, kulinari dhe çokolateri.
Si janë zgjedhur përbërësit specifikë shqiptarë për produktet e Chocolab? Ka ndonjë histori interesante pas çdo përbërësi?
Përzgjodhëm 9 qytetet më të njohura turistike shqiptare dhe përcaktuam nga një produkt unik që i përfaqëson ato dhe kështu u krijua kutia jonë e parë me 9 çokollata artizanale. Konkretisht: Tirana me vaj ulliri, Gjirokastra me lajthinë visoke, Berati me fikun e Rroshnikut, Durrësi me verën e sheshit te zi, Vlora me karamel dhe kripën e Nartës, Përmeti me liker trëndafili, Korça me specin djegës, Shkodra me boronicën e Malësisë së Madhe, dhe Saranda me portokallin e Borshit. Më pas në kutinë tonë Premium, e cila përmban 20 çokollata, u përfshi dhe Dibra me kumbullën e Shumbatit. Kutia Premium dekorohet nga Xhubleta, një pasuri e trashëgimisë botërore e mbrojtur nga UNESCO, kurse kutia e parë me 9 çokollata ka në dizajnin e saj mozaikun e fasadës së Muzeut Kombëtar. Kutia 9-she do vijojë ne paketimet e tjera duke vendosur simbolet e kulturës shqiptare Butrintin, kuti e cila del së shpejti, por edhe site të tjera të mirënjohura kulturore që turistët i vizitojnë dhe i njohin.
Sapo nxorëm dhe kutinë tonë më të re Summer, e cila është pjesë e serisë së stinëve. Summer ka një dizajn veror me dallgët e Jonit dhe Adriatikut dhe ka 16 çokollata, 4 për secilin nga qytetet më të mëdha bregdetare: Saranda, Vlora, Durrësi dhe Shkodra (me Velipojën). Do vijojmë me stinët e tjera dhe kombinime të tjera.
Ju keni qenë edhe një ndër fitueset e fazës së parë të Challenge Fund, si mendoni se do ju ndihmojë ajo në zhvillimin dhe rritjen e Chocolab Albania? Cilat janë investimet kryesore që do të bëni me mbështetje të këtij fondi?
Chocoalb filloi si një punishte e vogël. Blemë një pajisje teknologjike për temperimin e çokollatës, por me rritjen e kërkesave nevojitej prodhim i shtuar dhe pajisje të tjera. Challenge Fund erdhi në momentin e duhur për të na ndihmuar për blerjen e këtyre pajisjeve. Tashmë falë fondit blemë dhe pajisjen e dytë dhe prodhimi është dyfishuar sepse makineritë temperojnë në të njëjtën kohë ty tipe çokollatash të ndryshme dhe kjo shkurton kohën e punës dhe rrit efektivitetin. Të parashikuara në fond janë dhe dy pajisjet tjera që mundësojnë veshjen me çokollatë të pralinave apo produkteve të tjera pasticerie dhe një pajisje që bën prerjen uniforme të tyre.
Si ndikon përdorimi i teknologjisë moderne në procesin e prodhimit të çokollatës dhe si e ruani cilësinë artizanale të produktit tuaj?
Shefi Ilir Hysaj, një çokolatier i njohur dhe me përvojë, krijon përzierjen e çokollatës me ingredientët me një formulë që mundëson ruajtjen e tyre në temperaturë ambienti, pa shtuar konservantë apo sheqer të tepërt, duke krijuar kështu një çokollatë të shijshme dhe të shëndetshme. Makineritë bëjnë temperimin që është në vetvete përzierja e çokollatës deri sa të krijohet një masë homogjene. Ky proces është i pamundur të bëhet nga njeriu sepse duhen orë të tëra pune krahu e sidomos kur bëhet fjalë për sasi të madhe. Makineria temperon 90 kg çokollatë në 1 orë. Patjetër që të lehtëson se te temperosh një sasi të tillë nuk është e mundur të bëhet nga njeriu dhe duhet shumëfish kohë.
Lexo edhe:Ledia Bregu do të flasë në INFINTECH 2024: Ngjarja kryesore rajonale e bankave në Porto Montenegro
Si e përshkruani ndikimin e Chocolab në tregun shqiptar dhe ndërkombëtar? A keni ndonjë plan për zgjerimin e linjës së produkteve ose për futjen në tregje të tjera?
Për tregun shqiptar është një risi, është një produkt që përveç shijes finesës që ka, krijon dhe një ndjenjë krenarie kombëtare, sepse ne synojmë të promovojmë edhe kulturën shqiptare përveç kulinarisë. Klientët tanë i përdorin këto si dhurata për miqtë e tyre të huaj, institucionet i dhurojnë delegacioneve që vijnë e kështu me radhë. Ne jemi shpërndarë tashmë në disa hotele dhe restorante të mira shqiptare dhe në dyqane turistike. Jemi prezent dhe ne Aeroportin e Tiranës. Synimi ynë është të jemi në të gjitha pikat e hyrjes së turistëve nga jugu në veri, porte dhe aeroporte që t’ia bëjmë më të lehtë jo vetëm turistëve, por edhe shqiptarëve që udhëtojnë jashtë që të marrin një dhuratë të denjë nga Shqipëria. Pasi të kemi realizuar këtë, plani tjetër është eksporti, kryesisht në vendet ku ka më shumë shqiptarë.
Cilat janë sfidat më të mëdha që keni hasur gjatë zhvillimit të Chocolab Albania dhe si i keni kapërcyer ato?
Kemi idenë se jemi duke hapur për herë të parë rrugën për një produkt të tillë në Shqipëri. Dhe këtë e bëjmë duke eksperimentuar dhe kjo ka një kosto shtesë financiare, sepse jo çdo eksperiment del me sukses. Psh ka qenë sfidë realizimi për herë të parë nga Shef Iliri prodhimi i një çokollate që mund të qëndrojë në raftin e një dyqani pa patur nevojë të jetë në frigorifer. Ky produkt gjithashtu ka një kohë më të gjate skandence jo si çokollatat e tjera qe ka në treg që duhen konsumuar brenda 2-3 ditëve. Sfidë ka qenë gjetja e ambalazhimeve me certifikata ushqimore, sepse nuk ka prodhues të tillë çokollatash në vend që të ketë treg edhe për paketimet e çokollatave. Sfidë ka qenë dhe ngelet transporti, sidomos ne periudhën e verës kur është shumë nxehtë dhe duhen makina të kondicionuara për transportin e çokollatave, gjë që tregu aktual i postave shpërndarëse nuk e ofron. Prandaj na është dashur të jemi pionerë në shumë hapa ndërkohë që një kompani e re ka nevojë për mbështetje financiare, për konsulencë për hapjen e tregut, marketingun, shitjet etj. Fituam Challenge Fund por kemi një ritëm shumë të mirë rritjeje dhe kemi ende nevojë për financime për të zgjeruar kapacitetin prodhues por edhe atë human. Për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje për këtë produkt si nga turistët e huaj që vetëm po shtohen por edhe nga tregu vendas që kërkon një produkt cilësor, do duhet të blejmë dhe pajisje të tjera. Veç kësaj do duhet të punësojmë dhe trajnojmë të rinj që të na ndihmojnë me prodhimin, apo paketimin që është po ashtu një proces artizanal dhe kërkon fuqi punëtore. Kemi investuar nga burimet tona dhe po aplikojmë dhe projekte, grante të ndryshme sepse investimi është në rritje.
Si e shihni të ardhmen e Chocolab Albania dhe çfarë planesh keni për të ardhmen afatgjatë të kompanisë?
Ne si ekip e kemi shumë për zemër, Chocoalb pasi është një produkt i bukur por edhe sfidues. Japim të gjithë kontributin tonë edhe pse jemi të angazhuar me shumë punë të tjera, Planet e afërta janë zgjerimi në tregun vendas dhe ndoshta synimi për eksport. Kurse përsa i përket gamës së produkteve, aty nuk mbaron fantazia e ideve dhe e paketimeve. Por synimi kryesor është të ngremë një ndërmarrje të qëndrueshme ekonomikisht që realizon të ardhura të qëndrueshme për të shpërblyer dhe punën e ekipit e qëndron pas saj.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.