“China Everbright”, kompania kineze që po kontribuon për zhvillimin e Shqipërisë - Business Magazine Albania

“China Everbright”, kompania kineze që po kontribuon për zhvillimin e Shqipërisë


Në Prillin e vitit të kaluar, kompania kineze “China Everbright” deklaroi blerjen e 100 % të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”. Blerja u bë nëpërmjet “Keen Dynamics”, një konsorcium i “China Everbright” dhe “Friedmann Pacific Asset Management”. Si pronare kryesore e “Keen Dynamics”, “China Everibright” zotëron të drejtën e posaçme të menaxhirimit të aeroportit deri në vitin 2027.

Një vit pas blerjes, numri i udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” ka pasur një rritje vjetore 10 %, duke dhënë kontribut në ngritjen e të ardhurave tatimore dhe të punësimit vendor.

Me pozitën e favorshme gjeografike në Mesdhe dhe lehtësinë e qasjes në pjesën e brendshme të kontinentit europian, Shqipëria ka epërsi të veçantë si pikë hyrëse në tregun e Bashkimit Europian. Ndërkohë, si nyja më e rëndësishme e transportit ajror të Shqipërisë, aeroporti “Nënë Tereza” është një ndër aeroportet me zhvillim më të shpejtë në Europë. Numri i udhëtarëve në këtë aeroport u shtua nga 600 mijë në vitin 2005, në 2 milionë në vitin 2015, gjë që tregon edhe vitalitetin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Blerja e aksioneve të këtij aeroporti është një fryt i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomik midiskompanive kineze dhe atyre shqiptare në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”.

Në intervistën për Radion e Jashtme të Kinës, drejtori i menaxhimit të Departamentit të Fondeve Infrastrukturore të “Everbright”-it, Xu Weiguo, u shpreh se pas blerjes, kompania e tij dëshiron të ruajë pozitën e aeroportit si porta e parë e Shqipërisë ndaj botës së jashtme. “Prandaj, nuk do të bëjmë ndryshim të madh në nivel menaxhimi. Kemi ruajtur të gjithë përvojën e suksesshme të së kaluarës dhe jemi përqendruar më shumë në zgjerimin e fushave të reja të zhvillimit, për të shtuar fitimet ekonomike të aeroportit”, shtoi Xu.

Sipas tij, vetëm vitin e kaluar, aeroporti hapi dy linja të reja ndërkombëtare përkatësisht me Hollandën dhe Hungarinë. Kjo jo vetëm ka shtuar alternativat e udhëtimit të shqiptarëve, por edhe ka zgjeruar biznesin e fluturimeve ajrore në Europë.

Për bashkëpunimin me palën kineze, siç ka qenë edhe blerja e aeroportit “Nënë Tereza”, drejtori i Departamentit të Investimeve të Huaja në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Genc Çeli vuri në dukje se projekte të tilla jo vetëm kanë dhënë kontribut për shtimin e punësimit dhe të mbledhjes së taksave, por edhe kanë rritur kualifikimin dhe aftësimin profesional. “Po të shikojmë prirjen e tregut, vërehet se kompanitë kineze nuk janë këtu vetëm sepse importojnë mallra, por janë rritur së tepërmi importet e makinerive dhe pajisjeve. Përveç punësimit, janë rritur dhe njohuritë teknike të punonjësve”, tha Çeli.

Menaxhimi i mbarë i aeroportit është vlerësuar edhe nga stafi shqiptar. Drejtoresha e Departamentit të Komunikimit të aeroportit Arlinda Çausholli thotë se procesi i blerjes dhe menaxhimit ka qenë shumë njerëzor dhe se qasja e “China Everbright” ka qenë shumë profesionale. “Neve na kanë dhënë një energji pozitive, sepse ata kanë një respekt shumë të madh për profesionistët që kanë vite që punojnë këtu në aeroport. Deri tani nuk ka pasur ndryshime në menaxhim, por pronari i ri ka dëshirën për zhvillimin e aeroportit dhe që, përtej aeroportit, të ketë edhe zhvillime të tjera të rëndësishme në Shqipëri. Ndaj besoj se marrja e aksioneve nga ‘China Everbright’ ka qenë një hap i rëndësishëm,” vëren Çausholli.

“China Everbright” do të zhvillojë bashkëpunim me agjencitë turistike kineze dhe shqiptare për të tërhequr më shumë njerëz nga mbarë bota për ta vizituar Shqipërinë dhe për të investuar aty. Si një qendër e rëndësishme e udhëtimeve, aeroporti do të organizojë edhe veprimtari të ndryshme kulturore. Sipas Xu Weiguo, “China Everbright” dëshiron njëkohësisht që, për një periudhë afatgjatë, të shfrytëzojë epërsinë e aeroportit si nyjë transporti dhe mundësinë e zhvillimit bujqësor dhe industrial të Shqipërisë, për ta shndërruar Shqipërinë në një qendër logjistike në Europën Juglindore.

burimi: ata.gov.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0