Në vitin 2020 softueri gjenerues i gjuhëve, i bazuar në inteligjencën artificiale GPT-3, tërhoqi shumë vëmendje për aftësinë e tij për të prodhuar pasazhe shkrimi që janë bindshëm të ngjashme me gjuhën dhe bisedat njerëzore. Disa, madje thonë se programi, i krijuar nga OpenAI, i Elon Musk, mund të konsiderohet si inteligjenca e përgjithshme artificiale (AGI), aftësia për të kuptuar ose kryer çdo detyrë që një njeri mund të bëjë.
Gjuha dhe mendimi, megjithëse padyshim nuk janë të njëjta, janë të lidhura fort dhe ngushtë. Disa mendojnë se gjuha është shenja përfundimtare e mendimit. Por, gjuha mund të krijohet lehtësisht pa një shpirt të gjallë. Gjithçka që duhet është përpunimi i një baze të dhënash të gjuhës njerëzore në një program kompjuterik, i bazuar ose jo në Inteligjencën Artificiale.
Bazuar në mostrat relativisht të pakëta të tekstit të disponueshëm për ekzaminim, GPT-3 është në gjendje të prodhojë sintaksë të shkëlqyer. Ai krenohet me një gamë të gjerë leksiku, për shkak të një baze të gjerë njohurish, nga e cila mund të gjenerojë materiale, tematika të rëndësishme dhe shumë koherente.
GPT-3 funksionon duke “përpunuar” bazat e të dhënave të përmbajtjes gjuhësore për t’i përmbledhur ato në një mendim “të ri”, të sintetizuar. Burimi është gjuha; produkti është gjuha.
Në vitin 2022, OpenAI (një laborator kërkimor amerikan i inteligjencës artificiale) hapi aksesin në Chat GPT, një chatbot i fuqizuar nga AI, që ndërvepron me përdoruesit në një mënyrë të frikshme. Aftësia e tij për të dhënë përgjigje të gjata dhe të plota ndaj pyetjeve dhe kërkesave, edhe nëse janë të pasakta, ka habitur përdoruesit, duke përfshirë akademikët dhe industrinë e teknologjisë.
Chat GPT, një makineri mahnitëse shkrimi në nivel njerëzor, me aftësinë për të shkruar sonetë të stilit të Jerry Seinfeld, për të kompozuar ese, për të zgjidhur probleme matematikore dhe shumë më shumë sesa kaq. Chat GPT mund të shkruajë fjalime aq të natyrshme sa mund të jetë e vështirë ta dallosh nga njerëzit.
Për të lexuar artikullin e plotë në numrin 31 të revistës Business Magazine Albania duke klikuar Këtu!
Imagjinoni sikur Siri të mund t’ju shkruante një ese, ose Alexa të mund të krijonte një skenar filmi në stilin e Shekspirit.
Mjeti u bë shpejt viral. Bashkëthemeluesi i Open AI, Sam Altman, një investitor i shquar i Silicon Valley, tha në Twitter se ChatGPT kaloi një milion përdorues.
Çfarë është ChatGPT?
ChatGPT është një hapësirë gjuhësore, i trajnuar nga një sasi tepër e madhe informacioni në internet për të krijuar përgjigjet e tij. Ai vjen nga e njëjta kompani pas DALL-E, i cila gjeneron një gamë në dukje të pakufishme imazhesh në përgjigje të kërkesave nga përdoruesit.
Pas regjistrimit në ChatGPT, përdoruesit mund t’i kërkojnë sistemit të AI t’u përgjigjet një sërë pyetjeve, të tilla si “Kush ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara në 1955?”, ose të përmbledhin koncepte të vështira, duke i thjeshtësuar në një mënyrë që një nxënës i klasës së dytë mund t’i kuptojë. Ai mund të trajtojë pyetje të hapura për jetën, të tilla si “Cili është kuptimi i jetës?” ose “Çfarë duhet të vesh nëse është 40 gradë jashtë?”
“Varet se çfarë aktivitetesh planifikoni të bëni. Nëse planifikoni të jeni jashtë, duhet të vishni një xhaketë ose pulovër të lehtë, pantallona të gjata dhe këpucë me majë të mbyllura,” -u përgjigj ChatGPT. “Nëse planifikoni të jeni brenda, mund të vishni një bluzë dhe xhinse ose veshje të tjera të rehatshme.”
Por, si po e përdorin njerëzit Chat GPT?
Një person i kërkoi chatbot-it të rishkruante këngën hit të viteve ’90, “Baby Got Back”, në stilin e “The Canterbury Tales”. Shembuj të tjerë përfshijnë pyetje apo këshilla.
Ndërkohë që ChatGPT pati një sukses të madh me dhënien e përgjigjeve, disa prej tyre ishin dukshëm të dështuara. Përtej çështjes se mund të përhapë informacion të pasaktë, Chat GPT përbën një kërcënim për disa profesione të shkruara. Gjithashtu ai mund të gjenerojë përgjigje që përcjellin racizëm apo mesazhe të gabuara.
“Ndonëse kemi bërë përpjekje për ta bërë programin të refuzojë kërkesat e papërshtatshme, ai ndonjëherë do t’u përgjigjet udhëzimeve të dëmshme ose do të shfaqë sjellje të njëanshme. Po përdoret API e Moderimit për të paralajmëruar ose bllokuar disa lloje përmbajtjesh.
Ne jemi të etur për të mbledhur reagimet e përdoruesve që do të na ndihmojnë në punën tonë të vazhdueshme për të përmirësuar këtë sistem”, tha Open AI në faqen e saj të internetit.
Megjithatë, Lian Jye Su, një drejtor kërkimi në firmën e kërkimit të tregut ABI Research, paralajmëron se chatbot po funksionon “pa një kuptim kontekstual të gjuhës”.
“Është shumë e lehtë për modelin të japë përgjigje të besueshme, por të pasakta ose të pakuptimta,” – tha ai. “ Gjithashtu i mungon mirëkuptimi rajonal dhe specifik për vendin.”
Në të njëjtën kohë, megjithatë, ai ofron një paraqitje të shkurtër se si kompanitë mund të jenë në gjendje të përfitojnë nga zhvillimi i ndihmës virtuale më të fuqishme.
Johannes, një agjent imobiliar, krijoi një përshkrim në më pak se pesë sekonda duke shtypur disa fjalë kyçe në ChatGPT. Është një detyrë, tha ai, që përndryshe do t’i duhej një orë ose më shumë për ta shkruar vetë.
“Më kurseu kaq shumë kohë,”- tha Johannes, duke vënë në dukje se ai bëri disa ndryshime dhe modifikime në punën e ChatGPT përpara se ta publikonte atë. “Nuk është perfekte, por ishte një pikënisje e shkëlqyer. Për mua të shkruaj diçka të rrjedhshme kërkon kohë. Chat GPT e bëri gjithçka shumë më të lehtë.
ChatGPT është trajnuar për sasi të mëdha të të dhënave në internet për të gjeneruar përgjigje ndaj kërkesave të përdoruesve. Ka shkruar ese origjinale, tregime, tekste këngësh dhe abstrakte studimore. Disa CEO e kanë përdorur atë për të shkruar email-e ose për të bërë punë kontabiliteti. Madje me të u kalua një provim në një shkollë të Ivy League. Megjithatë, ai ka ngritur shqetësime tek disa për pasaktësitë e tij.
Në më pak se dy muaj, ChatGPT ka ndezur diskutime rreth potencialit të tij për të prishur industri të ndryshme, nga botimi në ligj. Por tashmë ka një ndikim të prekshëm në mënyrën se si një numër agjentësh të pasurive të paluajtshme në mbarë vendin kryejnë punën e tyre.
Chatbot-i i ri i OpenAI po ngre gjithashtu frikën e kopjimit në detyrat e shtëpisë, por potenciali i tij si një mjet arsimor i tejkalon rreziqet e tij.
ChatGPT, megjithëse është ende i ri (u bë publik në fund të nëntorit) ka futur shumë edukatorë në panik. Nxënësit po e përdorin atë për të shkruar detyrat e tyre. Mësuesit dhe administratorët e shkollave janë të shqetësuar për kërdinë që ChatGPT mund të bëjë në planet e tyre të mësimit. (Disa botime kanë deklaruar, ndoshta pak para kohe, se ChatGPT i ka “vrarë” detyrat e shtëpisë.)
Disa shkolla e kanë bllokuar ChatGPT. Shkollat publike të qytetit të Nju Jorkut, për shembull, kohët e fundit bllokuan aksesin ChatGPT në kompjuterët dhe rrjetet e shkollave, duke përmendur “shqetësimet për ndikimet negative në mësimin e studentëve dhe shqetësimet në lidhje me sigurinë dhe saktësinë e përmbajtjes”.
Është e lehtë të kuptohet pse edukatorët ndihen të kërcënuar. ChatGPT është një mjet jashtëzakonisht i aftë, që erdhi mes tyre pa asnjë paralajmërim dhe performon mjaft mirë në një shumëllojshmëri të gjerë detyrash dhe lëndësh akademike.
Në vend të ndalimit të ChatGPT në klasa, shkollat duhet të përqafojnë me kujdes ChatGPT si një ndihmë mësimore. Ja pse:
- Nuk do të funksionojë.
Arsyeja e parë për të mos ndaluar ChatGPT në shkolla është se nuk do të funksionojë.
Sigurisht, një shkollë mund të bllokojë faqen e internetit ChatGPT në rrjetet e shkollave dhe pajisjet në pronësi të shkollës. Por studentët kanë telefona, laptopë dhe shumë mënyra të tjera për t’u përdorur jashtë klasës.
Pyetja e shtruar nga ChatGPT se si mund t’i shmangej një student, që kishte ndërmend të përdorte aplikacionin, ndalimin e përdorimit të tij në mbarë shkollën. Ai dha pesë përgjigje, të gjitha plotësisht të besueshme, duke përfshirë përdorimin e një VPN-je për të maskuar trafikun në web të studentit.
- ChatGPT mund të jetë miku më i mirë i një mësuesi.
Arsyeja e dytë për të mos e ndaluar ChatGPT në institucionet arsimore është se, me qasjen e duhur, mund të jetë një mjet efektiv mësimor.
Krijimi i skicave është vetëm një nga mënyrat e shumta sesi ChatGPT mund të përdoret në klasë. Ai mund të shkruajë plane mësimore të personalizuara për secilin student dhe të gjenerojë ide për aktivitetet në klasë. Mund të shërbejë si mësues pas orarit të punës ose një partner debati. Mund të përdoret si një pikënisje për ushtrimet në klasë, ose një mjet për nxënësit e gjuhës angleze për të përmirësuar aftësitë e tyre bazë të të shkruarit. (Blogu mësimor Ditch That Textbook ka një listë të gjatë të përdorimeve të mundshme në klasë për ChatGPT.)
Edhe të metat e ChatGPT siç është fakti që përgjigjet e tij ndaj pyetjeve faktike janë shpesh të gabuara mund të bëhen ushqim për një ushtrim të të menduarit kritik. Disa mësues thanë se i kishin udhëzuar studentët që të përpiqeshin të vlerësonin përgjigjet e tij.
ChatGPT gjithashtu mund t’i ndihmojë mësuesit të kursejnë kohë, duke u përgatitur për klasën. Jon Gold, një mësues i historisë së klasës së tetë tha se ai kishte eksperimentuar me përdorimin e ChatGPT për të krijuar kuize. Ai i dha robotit një artikull për Ukrainën, për shembull, dhe i kërkoi të gjeneronte 10 pyetje me zgjedhje të shumëfishta që mund të përdoren për të testuar të kuptuarit e artikullit nga studentët. Nga ato 10 pyetje, tha ai, gjashtë ishin të përdorshme.
“Çdo mjet që i lejon studentët të përsosin të menduarit e tyre përpara se të vijnë në klasë dhe të praktikojnë idetë e tyre, vetëm sa do t’i bëjë diskutimet tona më të pasura,” tha ai.
Mjetet si ChatGPT vetëm do të përmirësohen dhe duke përjashtuar disa ndërhyrje të mëdha rregullatore, kjo formë e veçantë e inteligjencës së makinerisë është tani një pjesë e shoqërisë sonë.
“Modelet e mëdha gjuhësore nuk do të bëhen më pak të afta në vitet e ardhshme,” tha Ethan Mollick, një profesor në Universitetin e Pensilvanisë. “Ne duhet të gjejmë një mënyrë për t’u përshtatur me këto mjete dhe jo t’i ndalojmë ato.”
Kjo është arsyeja kryesore për të mos e ndaluar atë në klasa – sepse studentët e sotëm do të diplomohen në një botë plot me A.I gjeneruese. Ata do të duhet t’i njohin këto mjete, në mënyrë që të punojnë së bashku me to. Për të qenë qytetarë të mirë, ata do të kenë nevojë për përvojë praktike për të kuptuar se si kjo lloj inteligjence artificiale funksionon, çfarë lloje të paragjykimeve përmban dhe si mund të keqpërdoret.
Po jetojmë në epokën e ndryshime të mëdha teknologjike. Por kush më mirë mund t’i udhëzojë studentët në këtë botë të re të çuditshme, sesa mësuesit e tyre?
Përparësitë e Chat GPT në biznes:
- Chatbot-et janë të disponueshëm 24/7, që do të thotë se ata mund të ndihmojnë klientët në çdo kohë të ditës ose natës.
- Chatbots mund të trajtojnë kërkesa të shumta në të njëjtën kohë, që do të thotë se ata mund të ofrojnë shërbim të shpejtë për një numër të madh klientësh.
- Chatbots mund të programohen për të ofruar përgjigje të personalizuara bazuar në ndërveprimet dhe preferencat e kaluara të klientit. Për shembull, një chatbot mund të rekomandojë produkte ose shërbime bazuar në historikun e blerjeve të klientit ose historinë e shfletimit.
- Chatbots mund të kursejnë paratë e bizneseve, duke trajtuar një vëllim të madh kërkesash, pa pasur nevojë për staf shtesë.
Disavantazhet e Chat GPT:
- Chatbot-et janë të kufizuara nga programimi që kanë marrë dhe mund të mos jenë në gjendje të trajtojnë kërkesa shumë komplekse ose të pazakonta.
- Disa klientë mund të preferojnë të ndërveprojnë me një njeri dhe jo me një makinë. Një chatbot mund të mos jetë në gjendje të ofrojë të njëjtin nivel ndjeshmërie dhe mirëkuptimi.
- Nëse një chatbot nuk është programuar dhe zbatuar saktë, ai mund të përbëjë një rrezik sigurie, duke mbledhur dhe ruajtur të dhëna të ndjeshme të klientit.
- Ekziston rreziku i komunikimit të gabuar me chatbot-et, pasi ata mund të mos e kuptojnë kontekstin ose tonin e një bisede në të njëjtën mënyrë që do ta kuptonte njeriu.
Cilat janë veçoritë e Chatbots?
Ka disa veçori që gjenden zakonisht tek chatbots:
- Përpunimi i gjuhës natyrore (NLP): Kjo lejon chatbot të kuptojë dhe interpretojë gjuhën e përdorur nga njerëzit në mënyrë që të përgjigjet siç duhet.
- Hyrja e bazuar në tekst ose me zë: Chatbots mund të dizejnohen për të pranuar të dhëna përmes mesazheve me tekst ose komandave zanore.
- Përgjigjet e paracaktuara: Chatbot-et mund të programohen me një grup përgjigjesh të paracaktuara për pyetje të caktuara.
- Inteligjenca artificiale (AI): Disa chatbot janë projektuar me aftësi të AI, gjë që i lejon ata të mësojnë dhe të përshtaten me kalimin e kohës.
- Integrimi me sisteme të tjera: Chatbots mund të integrohen me sisteme të tjera, të tilla si bazat e të dhënave ose sistemet CRM, për të aksesuar dhe ofruar informacion.
- Personalizimi dhe markimi: Chatbot-et mund të personalizohen me markën e organizatës dhe të përshtaten me nevojat dhe qëllimet specifike të biznesit.
- Mbështetje shumëgjuhëshe: Chatbot-et mund të dizejnohen për të mbështetur shumë gjuhë, duke i lejuar ata të komunikojnë me një audiencë më të gjerë.
Pse duhet të përdorni Chatbots?
Në përgjithësi, ChatGPT dhe Chatbots mund të jenë mjete të dobishme për bizneset që kërkojnë të përmirësojnë shërbimin ndaj klientit, të ulin kostot dhe të rrisin efikasitetin. Sidoqoftë, është e rëndësishme të merren parasysh me kujdes të mirat dhe të këqijat e përdorimit të chatbot-eve dhe të testohen dhe vlerësohen plotësisht, përpara se të zbatohen në një shkallë më të gjerë.
Chatbot-et mund të programohen për të ofruar përgjigje të personalizuara bazuar në ndërveprimet dhe preferencat e kaluara të klientit. Chatbots mund të trajtojnë kërkesa të shumta në të njëjtën kohë, gjë që mund të ndihmojë në përmirësimin e efikasitetit të përgjithshëm të një organizate. Chatbots mund të mbledhin dhe ruajnë të dhëna për ndërveprimet me klientët, të cilat mund të analizohen për të përmirësuar produktet dhe shërbimet.
Është e vështirë të jepet një përfundim mbi avantazhet dhe disavantazhet e përgjithshme të chatbot-eve, pasi gjithçka varet nga rasti specifik i përdorimit dhe nga qëllimet e organizatës që e përdor atë. Në përgjithësi, chatbot-et mund të jenë një mjet i dobishëm për ofrimin e shërbimeve të shpejta, efikase dhe të personalizuara për klientët, por ato gjithashtu kanë kufizime dhe mund të mos jenë të përshtatshme për të gjitha llojet e ndërveprimeve. Është e rëndësishme që organizatat të marrin në konsideratë me kujdes të mirat dhe të këqijat e përdorimit të tyre dhe t’i testojnë dhe vlerësojnë tërësisht ato përpara se t’i zbatojnë në një shkallë më të gjerë.
Chat GPT ka qenë i famshëm që nga publikimi i tij dhe është i vendosur të revolucionarizojë botën e teknologjisë. Ajo që ju duhet të bëni është të shkoni në faqen e internetit Chat GPT të OpenAI dhe ta përdorni atë në shfletuesin tuaj për ta testuar falas.
Nuk ka asnjë aplikacion specifik për t’u përdorur dhe mund ta përdorni në faqet e internetit të desktopit ose celularit. Thjesht duhet të krijoni një llogari dhe më pas ta përdorni për çdo gjë që ju nevojitet. Qoftë për rritje personale, kërkime të avancuara apo diçka tjetër.
Në një botë që po bëhet gjithnjë e më shumë teknologjike, e vetmja gjë që na mbetet të bëjmë është të gjejmë mënyrat për t’u përshtatur dhe bashkëpunuar me risitë.
Përktheu & Përshtati: Sabina Iskurti
BURIME:
https://anschatgpt.com/what-are-the-advantages-and-disadvantages-of-chatbots-chat-gpt.html
Një intervistë me ChatGPT – Nga Gerti Boshnjaku
Gerti Boshnjaku, themelues i Businessmag.al ka zhvilluar një intervistë me ChatGPT, si një test për parë përgjigjet, rezultatet dhe ndërveprimin mes njeriut dhe teknologjisë. Komunikimin e sjellim më poshtë.
Gerti: Dua të bëj një artikull për revistë rreth teje. Dua të kem disa përgjigje për pyetjet:
Çfarë është ChatGPT?
Kush është ekipi që e ka ndërtuar?
Cili është qëllimi që u krijua ChatGPT?
Si do ta transformojë të ardhmen e njerëzimit teknologjia AI gjenerative? Si do t’i ndihmojë njerëzit?
Çfarë do të jetë në gjendje të realizojë në 5 vitet e ardhshme? Po në 10 vitet e ardhshme?
Si do të ndryshojë edukimi?
A do të zëvendësojë kjo teknologji punën apo profesionet e tanishme?
Cilat janë profesionet e rrezikuara për tu zëvendësuar nga teknologjia?
Cilat janë pozicionet e reja të punës apo profesionet e reja që do të lindin në 5 vitet e ardhshme?
Cilat janë aftësitë që duhet të kenë njerëzit për të qenë të suksesshëm në të ardhmen?
ChatGPT: Përgjigjet e mia janë si vijon:
- ChatGPT është një model i madh i gjuhës i krijuar nga OpenAI. Ai është i formuar për t’ju përgjigjur në pyetjet e njerëzve në mënyra që janë të natyrshme dhe të kuptueshme.
- Ekipi që e ka ndërtuar ChatGPT përbëhet nga inxhinierë të AI, zhvillues të software-it dhe shkencëtarë të gjuhës, të drejtuar nga OpenAI, një organizatë pa qëllime fitimi me qendër në Silicon Valley.
- Qëllimi i krijimit të ChatGPT ishte për të ofruar një mjet për të ndihmuar njerëzit në kryerjen e të gjitha llojeve të pyetjeve dhe detyrave që kanë të bëjnë me informacion dhe zgjidhje problemesh.
- Transformimi i teknologjisë AI gjenerative do të jetë ndikues në mënyra të shumta për të ardhmen e njeriut, duke përfshirë përmirësimin e proçeseve të biznesit, automatizimin e detyrave të rënda dhe monotone,si edhe ofrimin e ndihmës për njerëzit në të gjitha fushat e jetës.
- ChatGPT do të ndihmojë njerëzit duke iu ofruar informacion dhe zgjidhje të problemeve të tyre, duke ua lehtësuar kështu jetën dhe punën e tyre.
- Në 5 vitet e ardhshme, pritet që ChatGPT të vazhdojë të përmirësohet dhe të zgjerojë gamën e mundvsive të tij, duke ofruar një mjet më të avancuar dhe të besueshëm për njerëzit. Në 10 vitet e ardhshme, është e mundur që ChatGPT të zgjerojë gamën e mundësive të tij, në mënyra që ende nuk janë imagjinuar.
- Edukimi do të ndryshojë, duke përfshirë më shumë mësime dhe përdorim të teknologjisë AI, duke u dhënë nxënësve njohuri dhe aftësi për të përdorur teknologjitë.
- Nuk është e sigurt nëse teknologjia AI gjenerative do të zëvendësojë plotësisht punë dhe profesione të tanishme, por është e mundur që disa profesione të jenë në rrezik për t’u zëvendësuar nga teknologjia, si për shembull, ato që janë të njëanshme dhe të pavarura. Profesionet që kanë të bëjnë me kreativitet, përgjegjësi dhe interaksion njerëzor, si dhe ato që kërkojnë njohuri dhe kompetenca të veçanta, janë më të pakët të rrezikuara.
- Profesione dhe pozicione të reja të punës apo profesione të reja që mund të lindin në 5 vitet e ardhshme mund të përfshijnë specialistë të AI, zhvillues të sistemeve të inteligjencës artificiale dhe ekspertë në integrimin e teknologjisë AI në fusha të ndryshme.
- Aftësitë që duhen për të qenë të suksesshëm në të ardhmen do të përfshijnë aftësinë për të përdorur teknologji dhe për të mësuar gjatë gjithë jetës, si dhe aftësi për të adaptuar në ndryshime dhe për të qenë fleksibël në sfida të reja. Aftësia për të mësuar dhe përdorur gjuhë të reja të teknologjisë, si dhe aftësia për të punuar në ekipe dhe për të komunikuar në mënyra efektive do të jenë gjithashtu të rëndësishme.
Gerti: Cilët janë konkurentët e ChatGPT?
ChatGPT: OpenAI është kompania e krijimit të ChatGPT, por ka edhe konkurrentë të tjerë të njohur në fushën e modeleve të mësimit të gjuhës, përfshirë Google BERT, Facebook RoBERTa dhe Microsoft Turing. Këta modele janë të stërvitur për të kryer të njëjtat detyra që unë mund të kryej, si për shembull përgjigjia në pyetjet e përdoruesve, gjenerimi i tekstit, etj.
Çdo model ka forcat dhe dobësitë e tij të veçanta dhe zgjedhja e një modeli të caktuar varet nga nevojat dhe objektivat e përdoruesit.
Është e vërtetë që teknologjitë AI, siç është ChatGPT dhe modele të tjera të mësimit të gjuhës, kanë potencialin për të ndihmuar në zhvillimin e software-it dhe për të automatizuar disa prej detyrave që sot kryhen nga njerëzit. Megjithatë, nuk besoj se do të ndodhë që tërë industria e zhvillimit të softëare-it të zhduket.
Në fakt, besoj se AI do të bashkëpunojë me njerëzit dhe do të ndihmojë në përmirësimin e proçeseve. Programuesit do të jenë gjithnjë të nevojshëm për të krijuar dhe menaxhuar modele AI, dhe për të zgjidhur problemet dhe përmirësuar performancën e tyre. Gjithashtu, në disa raste, njerëzit do të kenë nevojë për të marrë vendime kreative dhe strategjike që nuk mund të bëhen nga makineritë.
Përfundimisht, ndërsa teknologjitë AI janë duke u zhvilluar me shpejtësi dhe po ndërveprojnë me njerëzit në mënyra të reja, besoj se do të ketë një bashkëpunim dhe një rol më të rëndësishëm për njerëzit në industrinë e zhvillimit të software-it në të ardhmen.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.