Çfarë sanksionesh janë ende të mundshme për Rusinë? - Business Magazine Albania

Çfarë sanksionesh janë ende të mundshme për Rusinë?

sanksionesh

Këtë javë do të hartohet paketa e pestë e sanksioneve për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Por për aq kohë sa nuk preken furnizimet me energji, nuk mbetet shumë hapësirë veprimi.

Imazhet e shumë civilëve të vrarë nga qyteti verior i Ukrainës, Butsha pranë Kievit e kanë detyruar sërish Perëndimin të vihet në lëvizje: Synohet që krimet e pandehura ruse të luftës të mos mbeten pa u ndëshkuar, por që edhe të mos dilet ushtarakisht në krah të Ukrainës duke u bërë kësisoj palë luftë kundër Rusisë.

Pra sanksionet ekzistuese ekonomike dhe financiare duhet të ashpërsohen: “Ne në rrethin e aleatëve gjatë ditëve të ardhëshme do të vendosim masa të tjera”, tha kancelari Olaf Scholz të dielën. “Presidenti Putin dhe përkrahësit e tij do t’i ndiejnë pasojat.”

Që tani janë pezulluar llogaritë jashtë vendit të Vladimir Putinit dhe të shumë përkrahësve besnikë të tij, janë ndaluar eksportet për prodhimet hightech, disa banka ruse janë shkëputur prej sistemit ndërkombëtar të pagesave dhe portet si dhe hapësira ajrore europiane janë mbyllur për anijet dhe avionët nga Rusia. Çfarë mundësie sanksionesh ekzistojnë përtej masave të deritanishme? Sa të arsyeshme do të ishin masat shtesë?

Lexoni: Rusia e ka ndërtuar ekonominë si një “kështjellë”. Sanksionet do jenë një goditje e fortë, por nuk e rrëzojnë dot

Sanksionet e mëtejshme “jashtëzakonisht të vështira”

“Tani për tani mbetet relativisht pak hapësirë veprimi”, thotë David Sirakov, drejtor i Akademisë Atlantike të landit të Renani-Palatina. Për Perëndimin e veçanërisht për Gjermaninë do të jetë “jashtëzakonisht e vështirë të vihen në fuqi të tjera sanksione, që do të mund t’i preknin edhe më fort të sanksionuarit”. Kjo ka të bëjë kryesisht me furnizimet me gaz”, thotë Sirakov.

Sa i përket gazit brenda BE-së Gjermania konsiderohet si frenuese. Tre vendet baltike Estonia, Letonia dhe Lituania nga 1 prilli i kanë ndërprerë tërësisht importet e gazit nga Rusia. Tani për tani ato i mbulojnë nevojat për gaz përmes rezervave të depozituara në Letoni, në maj Baltiku përmes një tubacioni do të lidhet me rrjetin europian të gazit. Gjermania në të kundërt në qendrimin e saj ndjek parimin: fillimisht sigurimi i furnizimeve alternativë, e pastaj anulimi i furnizimeve nga Rusia.

Industria kimike e Gjermanisë paralajmëron prej sanksioneve ndaj Rusisë: “Çdo kilovat orë, çdo fuçi gaz natyror, që i mungon prodhimit kimik, pakëson prodhimin në ndërmarrjet e tjera”, thotë Jörg Rothermel, drejtues i seksionit për energjinë dhe mbrojtjen e klimës në Shoqatën e Industrisë Kimikë, VCI . Pa sasinë e mjaftueshme të gazit mund të ketë mungesa në lëndët ngjitëse, llakun dhe bojërat. Po ashtu do të pakësohen plehërat kimike në bujqësi që duhen për prodhimet ushqimore, si dhe lëndë të posaçme artificiale.

A duhet të sanksionohet Banka Gazprom?

Qendra për realizimin e furnizimeve me energji janë institucionet monetare si Banka Gazprom. Britania e Madhe e ka sanksionuar në mars Bankën Gazprom; në BE deri tani kjo bankë nuk figuron në listat e sanksioneve. Jörg Krämer, kryeekonomist në Commerzbank, këshillon të mos ndërmerret një hap i tillë: “Perëndimi do të dëmtonte veten, nëse do të sanksionoheshin të gjitha bankat ruse, sepse në një rast të tillë importuesit perëndimorë të gazit nuk do të mund të shlyenin pagesat.”

Shumica e bankave të mëdha ruse prej sanksioneve të BE-së janë përjashtuar nga sistemi  ndërkombëtar i pagesave Swift, që përpunon transaksionet në mbarë botën; Banka Gazprom qëllimisht nuk u përfshi në këtë paketë sanksionesh.

Banka Gazprom konsiderohet gjithashtu edhe si një instrument shtesë i rëndësishëm, qëkurse Kremlini vendosi direktivën për pagesën me rubla të furnizimeve të gazit: Blerësit e gazit nga Gjermania dhe vende të tjera në Europë vazhdojnë të paguajnë në euro dhe dollarë, por pagesat transferohen në rubla në koncernin amë Gazprom, i cili mbulon pjesën më të madhe të biznesit rus të gazit.

Disa vëzhgues argumentojnë, se Banka Gazprom ka marrë tani rolin e Bankës Qendrore ruse të sanksionuar ndërkohë nga Perëndimi. Të tjerë thonë, se me këtë mënyrë ka ndryshuar diçka – vëren edhe kryeekonomisti i Commerzbank: Përpara valutat ndodheshin tek Gazprom, ndërsa tani ato derdhen tek Banka Gazprom, thotë Krämer. “Kjo nuk ka ndonjë dallim të madh në një sistem, ku valuta mund të centralizohet per dekret.”

Lexoni: Mastercard bllokon firmat ruse, bitcoin rritet pas sanksioneve të fundit ndaj Rusisë

Sanksione të mëtejshme në sektorin e teknologjisë?

Krahas tregut të financave po peshohet edhe sektori i mallrave të teknologjisë, deklaroi ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck të dielën në mbrëmje. “Eshtë sigurisht ende një mundësi, të shtohen edhe disa kategori prodhimesh”, thotë politologu Sirakov. Megjithatë shumë sektorë në Rusi qysh tani janë paralizuar, sepse ndërmarrjet në valën e sanksioneve financiare nuk po mund të furnizohen më me produkte nga jashtë.

/dw

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0