Çfarë po ndodh me aeroportin e Kukësit? - Business Magazine Albania

Çfarë po ndodh me aeroportin e Kukësit?


Pesë muaj pas miratimit të marrëveshjes me koncesionarin e Rinasit, nuk ka ende asnjë lajm se çfarë po ndodh me aeroportin e Kukësit. Qytetarët shqiptarë vijojnë të paguajnë biletat e shtrenjta, edhe pse Parlamenti i fali 2 vite të tjera palës gjermane. Sot nuk ka një datë se kur do të nisë investimi për ta bërë atë funksional, e po kështu nuk është vendosur forma e menaxhimit të tij: publike apo private? Kohë shtesë do të kërkojë edhe ardhja e kompanive low cost…

Një dhuratë e Emirateve të Bashkuara Arabe vendosi në mënyrë të rastësishme fatin e një qyteti jo shumë të zhvilluar ekonomikisht. Nëse Rruga e Kombit, u projektua për të ndihmuar banorët e kësaj zone dhe për të nxitur shkëmbimin tregtar mes dy vendeve, aeroporti ishte një rastësi për këta qytetarë. Të pasigurt se si do të dilnin negociatat me kompaninë Tirana International Airport, zyrtarët e qeverisë vendosën si kusht në zgjatjen e kontratës aeroportin e Kukësit, i cili ishte projekti më konkret dhe tashmë i ndërtuar.

Që prej vitit 1939, fusha e Meteorit në Shqitën në jug të qytetit është përdorur për veprimet ushtarake që ndodhën gjatë dy luftërave botërore. Përdorimi fillimisht nisi në kohën e mbretit Zog, por më pas ushtria italiane mori këtë vend për të vendosur mjetet e saj duke e zgjeruar. Interesi për këtë tokë prej 65 hektarësh lindi edhe gjatë kohës së luftës së Kosovës. Avionët e NATO-s e përdorën për të sjellë ndihmat humanitare për refugjatët kosovarë. Pista e tij u shfrytëzua më pas për të kryer transportin e qytetarëve të larguar nga Kosova, për t’i kthyer sërish në atdhe. Për të ndihmuar në këtë luftë nuk ishin vetëm forcat e aleancës, por edhe Emiratet Arabe. Presidenti i ndjerë, Zayed Bin Sulltan, pas dy vitesh vendosi të japë 16 milionë euro për ndërtimin e plotë të aeroportit. Punimet zgjatën 4 vjet dhe vdekja e tij bëri që ai të mos e shihte veprën të përfunduar, në nder të tij aeroporti mban emrin Zayed Bin Sultan Al – Nayah.

Tre kilometra larg qendrës së qytetit të Kukësit, aeroporti qëndron në nivelin e 353 metrave mbi nivelin e detit, për shkak edhe të vetë tipareve të kësaj zone. Në shumë raste, ekspertët thonë se ulja e avionëve kërkon rrotullime në hapësirë, për shkak se aerporti është mes malesh, drejtimi i erës mund të krijojë probleme në uljen dhe manovrimin e avionëve, apo dhe fluksi i fluturimeve mund të jetë i kufizuar për shkak se vendqëndrimi i mjeteve fluturuese është i përshtatur për 5 deri në 6 tipe avionësh. Afërsia me aeroportin e Prishtinës është një tjetër faktor që mund të ulë interesin e operatorëve ajrorë për të kryer fluturime edhe në Kukës.

Sot ky aeroport ka terminalin e pasagjerëve, kullën e drejtimit, pistën për uljet e avionëve, vendqëndrimin për 7 të tillë, sistemin e ndriçimit, vendparkimin e mjeteve dhe rrethimin me një perimetër prej 5 mijë metrash.

Vendi i papërshtatshëm
Në shumë raste, ekspertët thonë se ulja e avionëve kërkon rrotullime në hapësirë, për shkak se aerporti është mes malesh, drejtimi i erës mund të krijojë probleme në uljen dhe manovrimin e avionëve, apo dhe fluksi i fluturimeve mund të jetë i kufizuar për shkak se vendqëndrimi i mjeteve fluturuese është i përshtatur për 5 deri në 6 tipe avionësh.

Kompanitë low cost të interesuara
Në vite, kompani të ndryshme ajrore të cilat operojnë në tregun e low cost kanë paraqitur interes për të hapur këto lloj fluturimesh në Shqipëri, por pengesë ka qenë marrëveshja për ekskluzivitetin e ajrit që qeveria “Nano” firmosi me palën gjermane. Dhe sot, Wizz Air, Ryan Air dhe Adria Airways kanë kërkuar hapjen e fluturimeve në këtë pistë, por shkak është bërë vonesa në investimet e fundit që kërkon aeroporti i Kukësit për t’u vënë në operim. Ende sot, qeveria nuk ka vendosur mënyrën se si do ta bëjë këtë investim: partneritet publik privat ku operuesi të jetë po ashtu firma që operon apo të bëjë vetë ndërtimin e saj dhe më pas një ent publik të bëjë menaxhimin. Katër muaj pas miratimit të kuvend, ende buxheti i shtetit nuk ka miratuar një fond për të bërë investimet e duhura, ku dhe me buxhetin e rishikuar asnjë shtesë nuk kaloi për aeroportin. Nëse deri në fund të vitit, asnjë kompani nuk interesohet për të marrë me koncesion operimin e tij, atëherë një vit në zgjatjen e kontratës me palën gjermane digjet në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe në interes të kompanisë TIA. Megjithatë dhënia në përdorim të një enti privat, do të rrezikonte sërish tarifat që ky operator do t’u vendoste kompanive të fluturimit, duke ndikuar sërish në çmimin e biletave.

Marrëveshja e rishikuar me Tirana International Airport

Ka më shumë se 10 vite që aeroporti pret të kryejë funksionin për të cilin u krijua, ku më shumë, për ironi të fatit, i shërbeu në kohën që nuk kishte gati asnjë pistë për të bërë fluturimin e avionëve. Marrëveshja 20-vjeçare e qeverisë shqiptare me koncesionarin e Tirana International Airport nuk lejoi që të ndodhë asnjë fluturim ndërkombëtar, duke u shitur klientëve shqiptarë çmime trefish më të larta se vendet e rajonit dhe Europës. Një zgjidhje për disa ishte dhe blerja e biletave në vende si Shkupi, Prishtina apo Podgorica, e ndërsa disa të tjerë blinin biletat e “kripura” që vijon të tregtojë koncesionari i Rinasit. Sot, 5 muaj pas miratimit të marrëveshjes me TIA për lejimin e fluturimeve në Kukës, ende asnjë nga ne nuk ka një datë të saktë se kur kjo pistë do të bëhet funksionale.
Marrëveshja përcakton qartë që dy vitet shtesë nga kompania Tirana International Airport përfitohen menjëherë pas miratimit të kontratës së re që bëri qeveria me palën koncesionare. Çdo vonesë në fillimin e fluturimeve penalizon qytetarët shqiptarë, të cilët do të vijojnë të paguajnë biletat e shtrenjta të Rinasit dhe për dy vite më shumë, pa pasur mundësi të kenë një alternativë tjetër.

Çfarë-po-ndodh-me-aeroportin-e-Kukësit-business-mag

“a) Koncesioni jepet për një afat prej 22 vitesh duke filluar nga data e fillimit (“Afati i koncesionit”). Në rast se ndonjë aeroport apo aeroporte, përveç Aeroportit të Kukësit, fillon operimin për fluturime tregtare (që për këtë qëllim do të thotë data në të cilën kryhet fluturimi i parë tregtar) në Republikën e Shqipërisë përpara datës 23 prill 2025 (“Operimi i një aeroporti të ri tregtar”), afati i koncesionit do të zgjatet si më poshtë (zgjatja e afatit të koncesionit nuk do të tejkalojë limitin maksimal prej 4.5 vitesh në total).” citon marrëveshja e re. Ndryshimet ku koncesionari duhet të përfitojë zgjatjen e ekskluzivitetit të tij në një zonë me radiacion prej 100 km² do të ndodhin për një aeroport të dytë apo të tretë.

 

 

 

Konkurrenca paralajmëroi: Mos bëni lëshime për Rinasin

Që në dhjetor 2015, kur ende po negociohej për ndryshimin e marrëveshjes koncesionare me Rinasin Autoriteti i Konkurrencës i rekomandoi Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Ekonomisë që të mos të mos zgjaste afatin e eksluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare pavarësisht kushteve të vendosura nga koncensionari për rishikimin e marrëveshjes. Sipas burimeve nga Autoriteti, koncesionari kishte aftësi financiare të tilla që të mundësonte liberalizimin e Aeroportit të Kukësit, pa kosto shtesë për ekonominë, përsëri duke ruajtur mirëqenien ekonomike të koncesionarit.
Shqetësimi kryesor ishtë nëse Aeroporti i Kukësit do të arrihej të bëhej funksional në dy vjet. Sipas relacionit, Në nenin 3 të Amendamentit parashikohet zgjatja e afatit të eskluzivitetit të operimit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” të paktën me dy vite (pavarësisht nëse do të operojë ose jo ndonjë aeroport tjetër në territorin e Shqipërisë) dhe në varësi të datës së operimit zgjatjen e afatit sipas tabelës me minimalisht 0.5 vite nëse një aeroport tjetër fillon në vitin 2024 dhe maksimalisht 5 vite nëse ndonjë aeroport tjetër fillon të operojë që këtë vit.

Dyshimet janë nëse aeroporti i Kukësit do të arrijë të jetë funksional për dy vjet, për shkak të gjendjes së amortizuar në të cilën ndodhet dhe investimeve të mëdha shtesë që duhen për ta kthyer atë në punë. Nuk është bërë ende e qartë nëse Kukësin do e menaxhojë vetë shteti, apo ky i fundit, në pamundësi për të investuar do e japë me koncesion te privatët. Nuk ka të dhëna as nëse operatorët me kosto të ulët do të kenë interes të operojnë në Aeroportin e Kukësit, në gjendjen në të cilën është si dhe konkurrencën e fortë që mund të ketë nga Aeroporti i Prishtinës, ku operojnë tashmë disa low cost.

Dhe sot, shtatë muaj pas rishikimit të kontratës koncesionare, Tirana International Airport, që menaxhon me koncesion Rinasin ka arritur të marrë edhe dy vjet zgjatje kontrate, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse brenda dy viteve të ardhshme shqiptarët do të mund të fluturojnë me çmime të uëta nga Aeroporti i Kukësit.

Burimi: Shkruar nga Ola Xama dhe publikuar në montor.al 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0