Çfarë ndodhi në puntatën e dytë të “Do you have an idea”? » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 17/03/2017

Çfarë ndodhi në puntatën e dytë të “Do you have an idea”?

Share
nga Fiorela Jaupi
Mar 17, 2017
Studied at Faculty of Economy, Master of Science in Marketing. Content Editor at Business Magazine Albania
lexo me teper >

Mbrëmjen e djeshme u transmetua puntata e dytë e emisionit më të ri televiziv “Do you have an idea?” Vizion Plus nën prezantimin e Turjan Hyska, i cili ka si qëllim promovimin dhe mbështetjen e ideve inovative të biznesit. Pesë ide të reja u prezantuan para një jurie të përbërë prej 5 emrash që shënojnë histori suksesi në botën e sipërmarrjes në Shqipëri.

Pjesë e jurisë në këtë puntatë ishin:

1. Armand Peza është themelues i “Geraldina Sposa”, e cila është hapur në 3 Qershor të vitit 1995. Ai ishte i pari sallon vetëm me veshje nusërie dhe sot është ndër më të preferuarit në Shqipëri.

2. Antonela Hako është drejtuesja e “HAKO shpk”, një prej firmave më të njohura në Shqipëri dhe në rajon në prodhimin e sallamerisë. Ajo përveç se është një personazh që reflekton metodën model të punës në industrinë e mishit, të frymëzon edhe për filozofinë e saj për filantropinë. Sipas saj, filantropia duhet të heshtë. Ajo mendon se filantropia është në gjak, ajo kultivohet nga kultura familjare dhe nga besimi. Dhe Antonela këtë e reflekton edhe në punë.

3. Henri Çili që nga viti 2007 e në vazhdim është administrator i Universitetit Europian të Tiranës. Që nga viti 2003 është lektor i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit pranë Universitetit të Tiranës dhe lektor i jashtëm në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës. Ai është gjithashtu kryeredaktor dhe gazetar i lirë te Revista “Shqip”. Nga viti 1995 deri në vitin 1998 është gazetar dhe bashkëpunëtor i gazetës së përditshme “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Klan” etj.

4. Mirjana Kuka është CEO e “Diplomat Hotels” e krijuar 22 vite më parë. Me një filozofi të orientuar drejt konsumatorit, Hotelet Diplomat zbatojnë standarde shumë të larta të mikpritjes shqiptare dhe janë pjesë e elitës së industrisë së mikpritjes në Shqipëri.

5. Gentian Karaj është drejtori i “Ford Albanian Motor Company”, kompanisë që shënon sukses nga viti në vit në tregun shqiptar dhe botëror. Si një kompani botërore, ata janë të përkushtuar në uljen e impaktit kundrejt mjedisit, jo thjesht duke ulur emëtimet e gazrave të automjeteve, por njëkohësisht duke gjetur burime të reja energjie për të vënë në punë fabrikat, duke ricikluar materialet, investuar në pastërti dhe në teknologjinë e gjelbër.

5 konkurentët, të cilët ishin pjesë e puntatës së dytë prezantuan idetë e tyre përpara jurisë në një hark kohor prej 7 minutash secili. Në fund të çdo prezantimi anëtarët e jurisë bënin pyetje rreth produktit apo idesë së tyre.

– Konkurenti i parë ishte Emiland Skora me projektin “Organic Farming” i cili konsistonte në ndërtimin e një ferme organike për prodhimin e bimëve medicinale në Shqipëri. Ai kërkonte financim për ta ndërtuar fermën ku mund të rritet lënda e parë për të patur cilësinë më të mirë të këtyre bimëve.

– Ideja e dytë e prezantuar nga Valdrin Supaj, konkurrenti më i ri në “Do you have an idea” ishte “Mungeco”. Mungeco është një manga dhe ka të bëjë me një stil japonez të të vizatuarit. Patjetër që Valdrini u përgëzua nga juria për talentin e tij, por ata menduan se përmbajtja duhej ndryshuar dhe se do të ishtë më mirë që këto vizatime të bëheshin për personazhe shqiptare si psh. Gjergj Elez Alia, Muji dhe Halili, etj.

“Smart Trash”, ideja e tretë e prezantuar nga Martin Merberi konsistone në një kosh plehrash i cili do të bënte ndarjen e mbeturinave në mënyrë automatike. Kjo ide u vlerësua shumë nga ana e jurisë pasi do të zgjidhte problemin shumë të diskutuar të mbetjeve. Prototipi i ndërtuar ishte shumë interesant dhe u provua gjatë emsisionit. Ai madje mund të ndante mbeturinat edhe nëse ishin të vendosura në qese plastike falë mekanizmit të tij.

–Ideja e katërt u prezantua nga Meliha Zyberaj e cila merrej me punimin e veshjeve kombëtare, mbulesave të tavolinave me dorë për të mbajtur gjallë kulturën e esnafeve. Qëllimi për të cilin kishte ardhur në emisionin “Do you have an idea” ishte financimi për blerjen e një makinerie e cila do të ndihmonte në uljen e kostove të punimeve. Por kjo ide u replikua nga juria pasi ata sugjeruan se duhej të vazhdohej të punohej me dorë për të ruajtur autenticitetin e tyre dhe se për këtë ajo duhej të punësonte gratë e zonës.

– Ideja e pestë dhe e fundit e prezantuar nga vëllezërit Valentin dhe Kastriot Ndoji konsistone në një sistem të ri ngrohje me anën e tharjes së peletave, i cili është më ekonomik dhe më ekologjik se sistemet e tjera të ngrohjes. Ky sistem do të ishte i përshtatshëm për përdorim në shtëpitë tona dhe do të kursente deri në 70% energji.

Në fund të puntatës së dytë, vetëm tre prej ideve arritën të kalonin në fazën tjetër, të cilat ishin ajo e fermës së bimëve medicinale e prezantuar nga Emiljan Skora, “Smart Trash” e prezantuar nga Martin Merberi dhe ideja e fundit e prezantuar nga vëllezërit Valentin dhe Kastriot Ndoji.

“Do You Have an Idea?” i jep mundësi të gjithë atyre që kanë qëllim për t’i shërbyer njerëzve në nevojë apo t’ua lehtësojnë jetën, që të vijnë në program, ta paraqesin idenë e tyre përballë jurisë dhe të marrin fondin e nevojshëm për të bërë realitet planin e tyre të biznesit.

Business Magazine Albania ju fton që të merrni pjesë në këtë format televiziv për të ndarë me të gjithë idenë tuaj inovative të biznesit. Ndiqeni puntatën e tretë të “Do you have an idea?” të Enjten në datën 23 Mars në Vizion Plus.

Subscribe në kanalin tonë në YouTube