Çfarë i ndodh trupit dhe mendjes gjatë një maratone? - Business Magazine Albania

Çfarë i ndodh trupit dhe mendjes gjatë një maratone?

Sezoni i maratonave në Europë është tashmë në kulmin e tij. Të dielën, qytete të mëdha në kontinent dhe më gjerë do të mbyllin rrugët kryesore për t’i lënë hapësirën qindra e mijëra vrapuesve që do të nxjerrin në pah muaj të tërë përgatitje , qofshin këta në kërkim të një rekordi personal, një medaljeje të re, apo thjesht krenarisë për të thënë: “Unë isha aty”.

Ndërsa maratona të mëdha si ajo e Parisit dhe Vienës janë zhvilluar tashmë, qytete si Londra dhe Mançesteri do të ndalin qarkullimin këtë fundjavë për të pritur si profesionistët ashtu edhe amatorët që synojnë të përballen me sfidën e famshme 42.2 km.

Por çfarë ndodh realisht me trupin, mendjen dhe ndoshta edhe shpirtin gjatë një maratone?

Po, realisht do të bëheni më të shkurtër
Studime të ndryshme sugjerojnë se mund të humbisni deri në 1.25 cm në lartësi gjatë një maratone (mos u shqetësoni, zonja e zotërinj, kjo ka të bëjë vetëm me shtyllën kurrizore).
Kjo mendohet të ndodhë për shkak të tensionit muskulor dhe humbjes së lëngjeve mes disqeve kurrizore.

Mos e nënvlerësoni dehidratimin
Nëse hipni në peshore menjëherë pas përfundimit të garës, ka shumë gjasa të jeni disa kilogramë më të lehtë , nga djersitja e deri në 5 kg ujë.
Maratonat e organizuara kanë pika ndalimi për furnizim me ujë, përfitoni prej tyre.
Hidratimi ndihmon jo vetëm për të shmangur ndjesinë e marramendjes gjatë garës, por edhe për rikuperimin muskulor më pas.

Do të digjni shumë kalori
Një maratonë mund të djegë deri në 3,500 kalori, në varësi të gjatësisë, peshës, moshës dhe formës suaj fizike.
Kjo është arsyeja pse “carb-loading”-u (karbohidratet një natë më parë) është kthyer në rutinë për maratonistët.
Gjatë garës, trupi mbështetet kryesisht te karbohidratet dhe yndyrnat si burim energjie – ndaj xhelet energjetike janë kaq të përhapura për të rikthyer rezervat.

Lexo edhe: Pushimi nga lajmet negative ju ndihmon në shëndet/ Pse?

Por mos u çudisni nëse nuk keni uri pas garës
Në kilometri e 25-të keni ëndërruar të hani gjithçka që ju del përpara, por menjëherë pas garës, mund të mos keni aspak oreks.
Kjo lidhet me ndryshimet hormonale që ndodhin gjatë ushtrimeve intensive, për shembull, hormoni i urisë bie ndjeshëm, pasi trupi përqendrohet te zemra dhe këmbët.

Gjumi? Harrojeni
Keni kaluar një nga sfidat më rraskapitëse të jetës, por nuk mund të flini dot?
Faji është adrenalina, e cila qëndron e lartë edhe pas garës, si dhe kortizoli (hormoni i stresit), që ndihmon trupin të përballojë lodhjen ekstreme.
Çdo trup reagon ndryshe, por nëse keni pagjumësi, këta janë fajtorët më të mundshëm.

Gjymtyrë të enjtura, thonj të rënë dhe… gjinj që rrjedhin gjak
Të gjithë e presim që të kemi vështirësi për të ngjitur shkallët pas një maratone, por askush nuk ju paralajmëron për gjinj të përgjakur, fërkime në vende të paimagjinueshme, apo humbjen e thonjve të këmbës. Vrapimi, në fund të fundit, është një sport… i egër.

“Marathon Blues” – pas euforisë vjen një boshllëk
Disa ditë pas garës mund të ndiheni të zbrazët emocionalisht.
Pas muajsh të tërë përgatitjeje, një ndalesë e menjëhershme mund të sjellë një ndjenjë boshllëku dhe mungese qëllimi.
Ju gjithashtu mund të përjetoni një “zbrazje” psikologjike nga ndjesia e triumfit, një fenomen krejtësisht normal dhe njerëzor. Në fund të ditës, maratona është më shumë se një garë fizike, është një provë për mendjen, trupin dhe shpirtin. Dhe çdo kilometër i vrapuar ka historinë e vet.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0