Çfarë i ndodh Shqipërisë po të mbyllen Call Center-at? - Business Magazine Albania

Çfarë i ndodh Shqipërisë po të mbyllen Call Center-at?


Të gjithë të punësuarit në Call Center, duhet të marrin seriozisht vendimin e parlamentit italian, i cili rrezikon të mbyllë shumë kompani që operojnë këtu.

“Lufta” për të mbërritur në këtë pikë nuk është e vonë, pasi sindikatat në Itali kanë kërkuar miratimin e një ligji të tillë. Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, në një intervistë për “Shekulli”-n analizon pasojat që do të shfaqen në krye të një viti dhe komenton përpjekjet që po bën pala shqiptare për të bindur italianët të fshijnë nenin “ndëshkues”. Ajo shton gjithashtu se, edhe vetë italianët nuk do të favorizohen me klauzolën që kanë ngritur.

Znj. Muçostepa, parlamenti italian ka miratuar javën e kaluar një ligj, i komentuar si “lufta kundër sektorit Call Center” në vendin tonë. Realisht si duhet interpretuar për efektet që pritet të japë?

Me këtë ligj të aprovuar nga parlamenti Italian, në qoftë se do të kalojë dhe në Senat, patjetër që pasojat do të ndihen, ndoshta jo në mënyrë të menjëhershme, por në mënyrë graduale dhe ne rrezikojmë të humbasim disa mijëra vende pune. Me statistika janë mbi 25 mijë të punësuar, të deklaruar, ku vetëm 3-4 kompanitë më të mëdha kanë rreth 10 mijë punonjës. Ka disa muaj që edhe në ambientet italiane, shpesh është ngritur problemi që Shqipëria po u heq punën kompanive “Call Center” në Itali, derisa u miratua nga parlamenti.

Ky është më tepër edhe një problem sindikatash. Në Itali në këto momente, një kompani e madhe është duke hequr nga puna rreth 2000 vetë, sepse tregu është spostuar jashtë. Në këto momente problemi qëndron vetëm për Shqipërinë. Deklarata është bërë e qartë në Itali vetëm me faktin që Shqipëria ka hequr mijëra vende pune, ndërsa në ligj nuk del në pah Shqipëria, por çështja e delokalizimit të këtij sektori në vendet jashtë Bashkimit Europian. Kështu që, nëse do të fillojmë të bëjmë një analizë të thjeshtë, matematika është shumë e thjeshtë që i vetmi vend që preket është Shqipëria.

Meqë ligji ka kohë që diskutohet në qarqet italiane, a është lobuar nga ana jonë për të mos u kaluar në Senat?

Normalisht që është punuar, por paralelisht duhet theksuar se ka qenë shumë i fortë presioni i sindikatave italiane. Në Itali, sindikatat janë shumë të forta dhe vendosin edhe në politikë, përkundër sindikatave në Shqipëri. Lobimi nuk ka munguar dhe ne ende nuk kemi hequr dorë nga kjo pjesë. Në këtë moment jemi duke përgatitur dhe një material. Unë, si kryetare e Dhomave të Tregtisë, prezantova dhe i shpjegova palës italiane, faktin se Shqipëria tashmë është në prag të negociatave dhe si e tillë ka kaluar shumë faza, e tashmë konsiderohet se është e pranueshme pjesa e mbrojtjes së të dhënave që kemi në konventat e KE-së. Pra, ne nuk mund të konsiderohemi më si vend i pasigurt dhe ne japim garanci që jemi në prag të hyrjes në KE. Pra, duhet të bëjmë lobim, sidomos me këtë argument.

Për ne është shumë e rëndësishme që t’i mbajmë. Ato Call Center, më të mirë që ne kemi sot, ku ofrohet punë për 2000-3000 vetë, në këtë moment janë duke hapur filiale jashtë, në Slloveni, Rumani, Bullgari etj, sepse në to vijon të ketë një presion fiskal të ulët, sesa Italia, por kostot janë më të larta sesa në Shqipëri dhe më të ulëta se në Itali. Kështu që në këto momente, këto kompani po demonstrojnë që nuk janë të interesuara të kthehen në Itali. Politika italiane me këtë formë që po voton, nuk do të ketë shanse. Pra, aplikimi i këtij ligji nuk do të sjellë asnjë konkluzion pozitiv për Italinë, përveç faktit që ne do të na prishë punë.

Në rastin më të keq, nëse ligji miratohet në Senat, ç’ka është në disfavorin tonë, si parashikohet rrjedha për ecurinë e këtij sektori në Shqipëri?

Unë mendoj se efektet mund të fillojnë të ndihen në mënyrë graduale, sepse ata klientë që ofrojnë këtë treg pune në Shqipëri, normalisht do të tërhiqen ngadalë. Kjo nuk përcaktohet për të filluar sot apo nesër, por besoj se pas një viti do të shihet rezultati.

A ka gjasë që sektori “Call Center” me këtë ligj që po votohet të dalë nga tregu, të mbyllet përfundimisht në vendin tonë?

Tendenca është që, Italia t’i rikthejë këto aktivitete aty. Edhe pse nuk specifikohet që është veçmas Shqipëria, por vendet jashtë KE-së, patjetër që cenohemi ne. Efektet kanë filluar të shfaqen, për faktin se klientët janë duke ndjerë presionin. Unë e kam aq për zemër këtë sektor, ndaj luftojmë dhe lobojmë duke i bërë thirrje edhe qeverisë shqiptare. Kini parasysh se këto kompani kanë disa klientë, të cilët në këtë moment nuk kanë dëshirë të dalin me emra, kështu që le të mos t’i cenojmë duke nxjerrë emra, por t’i mbrojmë. Sektori “Call Center” është një aktivitet, i paragjykuar si i rëndomtë, por duke konceptuar numrin e të punësuarve dhe familjet që mbahen nga kjo punë, duhet ta mbrojmë. Aty punojnë njerëz të kualifikuar, me diploma universitare, madje dhe shumë individë të kthyer nga jashtë, e që brenda këtij profesioni kanë mundësi për t’u rritur në karrierë, kështu që duhet ta mbrojmë, sepse aty janë mësuar njerëzit të punojnë me seriozitet. Pa përmendur këtu pagat, mesatarja neto e të cilave arrin në 400 euro.

Neni
Parlamenti italian në datën 23 nëntor ka aprovuar ligjin i cili do të ndalojë funksionimin e Call Center në vendet që nuk janë pjesë e BE siç është Shqipëria. Neni 35/a parashikon se “kur një tregtar vendos për lokalizimin, duke përfshirë caktimin ndaj palëve të treta, aktivitetet e Call Center jashtë territorit kombëtar në një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian, duhet të njoftojë së paku tridhjetë ditë para transferimit në Ministrinë e Punës, duke treguar numrat e telefonit në dispozicion të publikut dhe të sigurohen mbrojtja e të dhënave personale “.

Për më tepër, kur një qytetar telefonohet nga Call Center duhet të njoftohet paraprakisht për vendin në të cilin operatori po telefonon dhe në qoftë se vendndodhja e operatorit në një vend nuk është anëtare e Bashkimit Evropian. Rritja e frikshme ekonomike nga kompanitë “Alo Numri i kompanive “Call Center” është rritur me shpejtësi të frikshme që nga koha kur u hap kompania e parë 10 vjet më parë. 3 vitet e fundit ka një rritje deri në dyfishim brenda vitit, ndërsa çdo sipërmarrje raporton se është rritur minimalisht 10 për qind në vit. Sipas INSTAT-it në vitin 2014 operonin 414 biznese “Call Center” në të gjithë vendin, ose 35 për qind më shumë se një vit më parë dhe në 2015-n, ata arritën në 847.

Krahas rritjes në Tiranë (ku janë dhe më shumë qendra universitare) ky lloj shërbimi është zgjeruar në të gjithë vendin. Shërbimet “Call Center” kanë rezultuar ndër punëdhënësit më të rëndësishëm në Shqipëri, duke amortizuar plagën sociale të punësimit. Përtej kësaj, dritaret duken më të shumta e më të hapura për t’i zhvilluar brenda vetes, krahasuar me fasonin, një tjetër sektor madhor.

“Call Center”, rritje dyshifrore
Por për nga ritmet e rritjes, sektori është i pakrahasueshëm. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vite kur ekonomia po rritet mes 1-2%, ky sektor shërbimesh është zgjeruar në nivele dyshifrore. Të dhënat tregojnë për rritje të numrit të kompanive deri në dyfishim në një vit, ndërsa çdo sipërmarrje raporton se është rritur minimalisht 10% në vit. Sipas të dhënave të INSTAT, gati 80% e numrit të sipërmarrjeve janë regjistruar në Tiranë, ndërsa qytete të reja si Korça e Elbasani, janë zhvilluar së fundmi.

Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, shërbimet Call Center ishin kontribuuesit e dytë për nga renditja në rritjen e ekonomisë me 2.98 për qind. Sektori u rendit kështu krahas një zëri të rëndësishëm si punët publike. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e tretë të 2015-s, punët publike ndikuan në rritjen e sektorit të ndërtimit në tremujorin e tretë, me disa kompani që kanë raportuar rritje të lartë të volumit të aktivitetit të tyre. Ndërsa për sektorin e dytë më të madh që ka kontribuar në rritjen ekonomike, aktivitete profesionale dhe shërbime administrative, efektin kryesor e ka dhënë rritja e kompanive Call Center, të cilat kanë raportuar gjithashtu rritje të aktivitetit. Në rritjen e PBB-së me 2.98% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërtimi kontribuoi për 1,45 pikë përqindje, ndërsa aktivitetet profesionale dhe shërbime administrative me 0,53 pikë përqindje.

Burimi: fax.al 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0