Çfarë është tregu? Si krijohet çmimi dhe si ndryshon ai në funksion të kërkesë-ofertës? - Business Magazine Albania

Çfarë është tregu? Si krijohet çmimi dhe si ndryshon ai në funksion të kërkesë-ofertës?

Shkruar nga Elvis Shera, bashkëpunëtor

Të dashur lexues, Në artikujt e kaluar folëm për monedhën, si teknologjia e ndryshon atë dhe u futëm thellë në problemin e inflacionit. Ka ardhur momenti të kuptojmë disa koncepte bazë të ekonomisë të lidhura me tregun, çmimin dhe se si ndryshon ai nëpërmjet dinamikës së kërkesë-ofertës. Nëse dëshironi të thelloni njohuritë tuaja, regjistrohuni gjithashtu në kanalin: Financiarisht i Pavarur” ose për më shumë mund të më vizitoni në Elvis Shera.

Çfarë është çmimi?

Çmimi i një objekti është vlera e tij e matur nga sasia e një mjeti këmbimi të pranuar nga palët. Pra, një objekt mund të ketë çmim në gram ari, në USD (dollarë amerikanë), në euro, në pula, lopë, në një kripto-valutë etj., pra me çdo gjë për të cilën palët bien dakord. Sasia e mjetit të këmbimit gjithashtu duhet të dakordohet mes palëve. Pra, këmbimi i një objekti bëhet nëse jep 100 euro, ose 3 pula në këmbim të objektit ose 5 gramë ar, etj.

Por si mund të ndërtohet çmimi fillestar? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do të na duhet të dalim te kostoja unitare dhe për këtë na duhet një shembull. Imagjinojmë se do të ulemi përpara një shkolle dhe do të shesim petulla sepse nuk ka dyqan petullash ne afersi. Që ta mbajmë shembullin të thjeshtë, imagjinojmë që petullat i blejmë të gatshme te dyqani afër shtëpisë dhe nuk i gatuajmë vetë ato. Shkolla është larg shtëpisë dhe na duhet të shkojmë atje me autobus, ku bileta kushton 10 lekë dhe vendi që zëmë ka një tarifë prej 8 lekësh. Gjithashtu, do të konsiderojmë që një petull kushton 2 lekë.

Pra, me të dhënat e mëparshme, kostot tona fikse janë 18 lekë. Kostot e ndryshueshme janë vetëm ato të blerjes së petullave. Ajo që duam të kuptojmë është se si ndryshon kostoja unitare, pra kostoja e një petulle, me numrin e petullave që shesim para shkollës. Grafiku i mëposhtëm na e shpjegon këtë.

Po të shesim një petull, kostoja jonë për petull është 20 lekë; me 6 petulla, kostoja për petull ka rënë nga 20 lekë në 5 lekë. Kjo sepse kostot fikse, që janë 18 lekë, shpërndahen në më shumë petulla sipas formulës.

Pra, kostoja KVAR është niveli poshtë të cilit nuk mund të zbresim. Ndërsa KFIKSE ndahet sipas sasisë. Tani mund të krijojmë pika me kombinacione të ndryshme dhe të ndërtojmë një grafik. Me një numër shumë të madh petullash të shitura, kostoja fikse për petull do të shkojë gati në zero. Në këtë shembull cmimi nuk zbret më poshtë se 2 lekë (KVAR), sepse kaq lekë më duhen për të blerë një petull dhe kjo nuk ndryshon me shitjen. Pra, nëse duam që aktiviteti të ketë kuptim, duhet të rrisim çmimin e petullave me më shumë se 2 lekë për copë. Por sa?

Supozojmë se synojmë të shesim 100 petulla në ditë. Kostoja fikse për petull do të ishte 18/100 = 0.18 lekë, pra 18 qindarka. Kjo do të thotë se minimalisht, çdo petull që do të shes duhet të jetë 2 lekë + 18 qindarka = 2.18 lekë që të mos kemi humbje.

Në realitet, dua të nxjerr një fitim, pra duhet ti shtoj kësaj sasie diçka tjetër. Fitimi është temë më vete, por nëse dua të fitoj të paktën 12 lekë që të justifikoj ditën, atëherë duhet ti shtoj 12 qindarka çdo petulle dhe ta shes me një çmim final prej 2.18 + 0.12 = 2.3 lekësh. Ky është çmimi fillestar me të cilin mund të dal në treg për këtë sasi petullash.

Tani, ne nuk e dimë në realitet se sa petulla mund të shiten, por mund ta përllogarisim se sa do të ishte çmimi për një numër më të madh ose më të vogël shitjesh, në mënyrë që të garantojmë fitimin minimal prej 12 lekësh.

Shikoni se si ndryshon çmimi për petull nëse ndryshon numri i shitjeve. Në njëfarë mënyre, ky grafik tregon se cili është çmimi minimal i ofertës për volume të ndryshme shitjesh dhe është një informacion shumë i dobishëm për t’u pasur. Pra, nëse shes më pak petulla, do të më duhet ta ngre çmimin që të arrij targetin minimal të fitimit, dhe nëse shes më shumë, mund ta ul. Si shitës, ulja nuk është e dëshirueshme, sepse kemi qëllim të fitojmë sa më shumë, pra e lëmë çmimin njësoj, por nëse na duhet ta ulim, në rast negociatash, duhet të dimë sa është minimumi i pranueshëm. Pra për 150 petulla, nëse më kërkohet ulje, minimumi do ishte 2.2 lekë.

Gjithashtu, nëse pritshmëria për të shitur 100 petulla është me konfidencë të lartë, për të ulur rreziqet mund të supozojmë se do të shesim 60 petulla dhe jo 100, pra që ti dalim “të keqes” përpara, çmimi fillestar sipas grafikut duhet të jetë 2.6 lekë.

Kurba e ofertës

Le ta ndryshojmë pak eksperimentin tonë. Le të themi se kërkesa për petulla është më e madhe dhe shitësit tonë do ti duhet të mbajë një peshë të madhe mbi supe. Ndoshta ai nuk dëshiron ta bëjë këtë, ose do ti duhet të marrë dikë tjetër që ta ndihmojë në transport. Pra, ai nuk ka një incentiv të madh për ti hyrë kësaj pune. Por, nëse i ofrohen më shumë lekë për petull, atëherë do të ketë një arsye, një shtysë për të shitur më shumë.

 

 

Kurba e ofertës na tregon se sa petulla jemi të disponueshëm të ofrojmë me çmime të ndryshme. Pra, mund të ofroj 100 petulla me 2.3 lekë, por që të arrij në 1000 petulla, do ta bëja vetëm nëse e shes petullën me 12 lekë. Kjo nuk do të thotë që me 12 lekë për petull do të ketë treg, por tregon petullat që mund të ofrojë shitësi nëse i jepet mundësia me atë çmim. Arsyet për mos të ofruar me shum petulla mund të jenë të shumta për shitësin: rritje kostosh, vështirësi më e madhe për të gjetur sasinë, kohë më e madhe për këtë qëllim, etj.

Kurba e kërkesës

Çfarë është kërkesa mbi të gjitha? Kërkesa është sasia e mallrave dhe shërbimeve që blerësit janë të gatshëm të shkëmbejnë për nivele të ndryshme çmimesh. Sigurisht, blerësi dëshiron të paguajë sa më pak për ato që dëshiron të blejë, pra me rritjen e çmimit, sasia që ata do të blejnë do të jetë në rënie. Në të njëjtën mënyrë, mund të përdorim shembullin tonë për të treguar një grafik të kurbës së kërkesës për petulla.

 

Siç mund ta shikojmë dhe nga grafiku, leximi mund të bëhet duke parë se nëse çmimi është 4 lekë për petull, mund të blejmë 700 petulla, por nëse është 2 lekë, mund të marrim dhe 1000 petulla.

Lexo edhe:Inflacioni si elefanti në dhomë. Të gjithë e shohin. Të gjithë e injorojnë

Tregu

Çfarë është tregu? Historikisht, me fjalën treg është treguar një vend fizik ku shitësit dhe blerësit shkonin për të realizuar këmbimet e radhës. Në kohët moderne, tregu fizik ekziston akoma, si për shembull tregu i frutave dhe perimeve, por kemi dhe tregun dixhital. Kur blini mallra në Amazon, eBay ose AliExpress, ose kur blini tituj në bursë ose kripto në ndonjë exchange. Vendndodhja e tregut, fizike apo dixhitale, ka gjithmonë e më pak rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se tregu është treguesi i çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve dhe është ai që krijon çmimet e referimit për masat. Nga këtu fjala “me çmimin e tregut”.

Si krijohet çmimi i tregut?

Çmimi për të cilin folëm më parë është ai që mendon shitësi ose blerësi. Oferta ose kërkesa. Këto çmime janë virtuale sepse çmimi real krijohet vetëm kur këmbimi ndodh, pra shitësi dhe blerësi kanë rënë dakord në një vlerë të caktuar. Dinamika është e thjeshtë dhe mund të shpjegohet me një sekuencë hapash:

  • Në treg, kërkesa takon ofertën.
  • Kërkesa dhe oferta bisedojnë se sa duhet të jetë çmimi.
  • Nëse bien dakord, atëherë ka këmbim dhe një çmim është krijuar.

Ky çmim quhet edhe pika e ekuilibrit, e treguar dhe në grafikun e mëposhtëm nga vendi ku dy kurbat takohen. Çdo pikë tjetër e kurbave është imagjinare. Çmimi real i tregut është 450 petulla me 6 lekë petullen.

 

Deri këtu, është e lehtë për tu kuptuar, por shumë individë akoma nuk i kanë të qartë grafiqet e ofertës dhe kërkesës të mbivendosura dhe si ti interpretojnë ato. Vështirësi në veçanti është dinamika e ndryshimit të çmimit në funksion të ndryshimit të sasisë së kërkesës dhe ofertës në treg. Kjo sepse ajo që na serviret është thjesht një pikë ekuilibri në një grafik të thjeshtë. Por cilat janë elementet që e bëjnë dinamikën jo të lehtë për ta kuptuar? Le ti shohim ato:

  • Problemi i parë është ai i përkufizimit. Në vend të kërkesë-ofertës mund të përdorim dhe terma si prodhues-konsumator ose shitës-blerës. Në kontekstin e mësipërm, qartazi ato që takohen janë shitësi dhe blerësi. Pra, terminologjia duhet përdorur në kontekst.
  • Kërkesë-oferta në ekonomi janë koncepte abstrakte. Ato mund të kuptohen vetëm në kontekst duke folur për çmimin dhe dinamikat e përfshira në ndryshimin e çmimit.
  • Grafiku prezantohet si statik, por ka një komponent të fortë dinamik, pasi kërkesa dhe oferta në treg luhaten. Kjo pjesë dinamike shpesh humbet nëpër grafiqe.

 

Dinamika e tregut

Dinamika e tregut është luhatja e kërkesës apo ofertës dhe çmimeve përkatëse të mallrave dhe shërbimeve. Çfarë do të thotë që kërkesa rritet? Nga pikëpamja e kurbës, kjo do të thotë se kurba e kërkesës do të spostohet në të djathtën sepse kërkohet një sasi më e madhe, mundësisht me të njëjtin çmim.

Nga ana tjetër, oferta nuk mund të japë një sasi më të madhe me të njëjtin çmim, pra ekuilibri i ri kërkon një çmim më të lartë. Tregu pra do gjejë një pikë ekukuilibri të ri (pika portokalli) ndryshe nga ekuilibri origjinal (pika e kuqe).

Ajo që duhet vënë re, është dhe se si për të njëjtën sasi totale malli, të treguar nga viza jeshile, një rritje e kërkesës pasqyrohet me një rritje të çmimit (pika jeshile)

Mos harroni të na ndiqni në artikullin e ardhshëm, ku do të flasim për kontrollin e tregut, monopolet dhe pasojat e tyre dhe te kontrollit te cmimeve ne ekonomi.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0