Është interesante se si punëdhënësit shpesh duan punonjës të motivuar nga brenda, por nga ana tjetër mendojnë se performanca dhe lumturia në punë vijnë kryesisht nga bonuset. Natyrisht, të gjithë kemi nevojë për pagën tonë, por a është ajo që na shtyn të japim më të mirën dhe të lulëzojmë në vendin e punës?
Shumë kërkime tregojnë se pagesa mbi bazë performance e rrit produktivitetin. Por, ajo që nuk është marrë gjithmonë parasysh është se punët më komplekse (që kërkojnë njohuri të thelluara, përpunim informacioni dhe zgjidhje problemesh), si dhe ato që ofrojnë më shumë autonomi në vendimmarrje (p.sh. pozicionet menaxheriale), zakonisht shpërblehen më mirë dhe shpesh lidhen me arritjen e objektivave të performancës (p.sh. bonuse). Kjo nënkupton se rezultatet e kërkimeve që tregojnë lidhjen mes pagesës për performancë dhe produktivitetit mund të kenë anashkaluar një faktor të rëndësishëm: dizajnin e punës. Nga studimet e mëparshme dihet se mënyra si është ndërtuar puna ka ndikim të madh te motivimi. Për të kuptuar më saktë nëse është paga apo vetë dizajni i punës që ndikon në performancë dhe mirëqenie, në bashkëpunim me studiues në Australi dhe Evropë, u zhvillua një studim mbi këtë temë.
Lexo edhe:Pse truri gjithmonë aktiv po saboton vendimet tuaja më të mira
Çfarë u analizua?
U krahasua ndikimi i kompensimit (niveli i pagës dhe shpërblimi i lidhur me performancën) dhe dizajnit të punës (kompleksiteti dhe larmia e saj, autonomia dhe feedback-u) te motivimi, performanca dhe mirëqenia e punonjësve. Në veçanti u vlerësua motivimi autonom—ndjenja “dua ta bëj këtë” që buron nga interesi apo vlerat personale, sepse kjo formë motivimi është shumë më e fuqishme sesa motivimi i jashtëm (pra “e bëj për paratë”). U analizuan tre dimensione të performancës (aftësia, përshtatja, proaktiviteti) dhe mirëqenia (lulëzimi, lodhja/burnout, stresi).
Rezultatet kryesore
-
Dizajni i punës fiton mbi pagën. Karakteristikat e përditshme të punës ishin faktori më i fortë që nxiste motivim autonom, performancë dhe mirëqenie.
-
Pagesa e lidhur me performancën nuk ka efekt të madh kur merret parasysh dizajni i punës. Në disa mostra, incentivat madje e ulën aftësinë për t’u përshtatur dhe ndjenjën e lulëzimit. Kjo lidhet me faktin që shpërblimet shpesh cenojnë ndjenjën e autonomisë.
Çfarë rekomandohet?
-
Investoni te dizajni i mirë i punës, jo te skemat e komplikuara të pagesës. Jepuni punonjësve detyra domethënëse, stimuluese, që u ofrojnë hapësirë për vendimmarrje (vetë ose përmes menaxhimit pjesëmarrës) dhe jepuni feedback konstruktiv. Këto janë levat më të fuqishme për të nxitur motivimin, performancën dhe mirëqenien, pasi përmbushin nevojat për kompetencë, autonomi dhe lidhje sociale.
-
Mbajini incentivat monetare modeste. Mbështetja e tepruar te pagesa mbi bazë performance mund të ketë efekt të kundërt, sidomos në situata që kërkojnë përshtatje.
-
Mos neglizhoni pagën bazë të drejtë. Siguroni një pagë të ndershme dhe të mjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë, në mënyrë që punonjësit të mos fokusohen te shqetësimet financiare, por te puna e tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto