Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi përmes podcast-it të tij ”Flasin”, nismën e re të qeverisë në mbështetje të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme ekzistuese.
Programi quhet “Dyfisho ndërmarrjen tënde” dhe synon të adresojë një nga dobësitë strukturore të peisazhit ekonomik shqiptar, fragmentimin e lartë të biznesit dhe dominimin e ndërmarrjeve të vogla me kapacitete të kufizuara për zgjerim. Edhe pse Shqipëria mbetet një nga vendet e vetme në Europë me zero taksë për biznesin e vogël dhe pa TVSH deri në 10 milionë lekë xhiro, kjo politikë fiskale ka prodhuar një numër të madh ndërmarrjesh të vogla, por jo domosdoshmërisht kompani të shkallëzueshme. Në këtë kontekst, nisma e re synon të ndërhyjë pikërisht në fazën kritike të rritjes.
Nga informacionet e bëra publike deri më tani, thelbi i programit lidhet me sigurimin e aksesit në financë. Qeveria parashikon të vendosë në dispozicion instrumente financiare dhe kredi të garantuara nga shteti për bizneset që synojnë zgjerimin e aktivitetit të tyre. Në terma praktikë, kjo redukton ndjeshëm riskun për bankat dhe rrit probabilitetin që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të financohen për investime kapitale, teknologji apo zgjerim tregu.
Për biznesin, përfitimet janë të shumëfishta. Së pari, nisma synon të rrië aksesueshmërinë në kredi. Një nga barrierat kryesore për bizneset shqiptare ka qenë mungesa e kolateralit dhe kostot e larta të financimit. Me garancinë sovrane, këto barriera pritet të zbuten ndjeshëm. Së dyti, nisma krijon një stimul të drejtpërdrejtë për formalizim dhe rritje. Ndërmarrjet që deri më tani kanë operuar në një nivel minimal për të shmangur kostot fiskale, mund të kenë më shumë incentivë për të rritur xhiron dhe për të hyrë në fazë zhvillimi.
Së treti, nisma në terma afatgjatë pritet që të këtë efekt zinxhir, pasi zgjerimi i bizneseve ekzistuese nënkupton më shumë punësim, rritje produktiviteti dhe potencialisht rritje të eksporteve.
Lexo edhe: Editorial: Shqipëria… e brezit që po vjen!
Modele të ngjashme në Europë
Në Europë sidomos, ekzistojnë modele të ngjashme që tregojnë se ndërhyrja publike, kur është e strukturuar mirë, mund të katalizojë rritjen e ndërmarrjeve dhe të përshpejtojë transformimin ekonomik. Në Gjermani, përmes bankës zhvillimore KfW, qeveria ofron kredi me garanci shtetërore dhe norma të favorshme për SME-të që investojnë në zgjerim dhe inovacion. Në Francë, institucioni publik Bpifrance luan një rol kyç duke kombinuar financimin, garancitë dhe asistencën teknike për ndërmarrjet në fazë rritjeje. Ndërkohë, në Itali programi Fondo di Garanzia per le PMI ka funksionuar si një mekanizëm kritik për të rritur kreditimin e bizneseve të vogla, sidomos pas krizave ekonomike. Në nivel më të gjerë, edhe Fondi Europian i Invetimeve ka ndërtuar instrumente garancie që mbështesin bankat në kreditimin e SME-ve në të gjithë BE-në,
Shqipëria dhe ”ankthi” për tregun e BE-së
“Dyfisho ndërmarrjen tënde” vjen në një moment kritik, kur ekonomia po përgatitet për fazën e integrimit në Bashkimin Europian. Kalimi nga një ekonomi ku mbizotërojnë nga mikro-biznese drejt një strukture me ndërmarrje më të konsoliduara është një kusht thelbësor për konkurrueshmëri në tregun e përbashkët europian. Rritja e kapaciteteve prodhuese, formalizimi dhe aksesimi i financave janë elementë kyç që lidhen drejtpërdrejt me standardet e BE-së. Në këtë kuadër, politika të tilla nuk janë vetëm mbështetje për biznesin, por edhe instrumente për përafrimin ekonomik me acquis -në e BE-së, duke përgatitur sipërmarrjet shqiptare për një mjedis më të hapur, më konkurrues dhe më të rregulluar.
Megjithatë, suksesi i “Dyfisho ndërmarrjen tënde” do të varet nga implementimi. Pyetjet kyçe mbeten: si do të përzgjidhen bizneset përfituese, cilat sektorë do të prioritizohen dhe sa efektiv do të jetë mekanizmi i garancisë në praktikë. Nëse zbatohet me transparencë dhe fokus strategjik, kjo nismë mund të shënojë një hap të rëndësishëm drejt transformimit të strukturës së biznesit në Shqipëri, nga ekonomi e mbështetur në mikro-ndërmarrje, drejt një ekosistemi më të konsoliduar dhe konkurrues.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto