CEO e Frida zbulon strategjinë e saj fituese "Të ndihesh rehat du... - Business Magazine Albania

CEO e Frida zbulon strategjinë e saj fituese “Të ndihesh rehat duke shkuar kundër rrymës”

Në ekosistemin e startupeve, ku shpejtësia dhe rreziku shpesh shiten si receta të sigurta suksesi, Chelsea Hirschhorn, themeluese dhe CEO e kompanisë Frida, ka zgjedhur të ecë në drejtim të kundërt. Dhe pikërisht kjo zgjedhje, thotë ajo, është kthyer në strategjinë e saj më fituese si lidere.

Ndryshe nga profili klasik i themeluesit që “lëviz shpejt dhe thyen rregulla”, Hirschhorn e ka ndërtuar Frida-n me qetësi, organizim dhe vendime të menduara mirë. Në një intervistë për podcastin CNBC Changemakers and Power Players, ajo shprehet se kjo qasje, që shpesh nuk konsiderohet “e bukur” në botën e biznesit, është në fakt forca e saj kryesore.

Një rrugë jo e zakonshme drejt sipërmarrjes

Para Frida-s, Hirschhorn ishte avokate falimentimi, një profesion larg botës së produkteve për fertilitet, shtatzëni dhe foshnja. Megjithëse ambicioze, ajo e përshkruan veten si një person që nuk e kërkonte rrezikun.

Ideja për biznesin erdhi rastësisht, pas një dhurate nga një fqinj: NoseFrida, një pajisje suedeze për pastrimin e hundës së foshnjave. Hirschhorn pa menjëherë potencialin dhe mori një vendim vendimtar: bleu biznesin dhe në vitin 2014 e lançoi Frida-n, me NoseFrida si produktin kryesor.

Kalimi nga një karrierë e sigurt drejt sipërmarrjes nuk ishte i lehtë. Ajo pranon se pa mbështetjen dhe inkurajimin e bashkëshortit të saj, sot president i kompanis, hapi do të kishte qenë shumë më i vështirë.

Rritje e qëndrueshme, jo garë për shpejtësi

Që në fillim, Hirschhorn vendosi të mos ndjekë rrugën tradicionale të financimit me venture capital. Për Frida-n, rritja e shpejtë nuk ishte qëllim në vetvete.

“Ne nuk po ndërtonim për t’u rritur sa më shpejt, por për të ndërtuar saktë,” shprehet ajo.

Kjo filozofi e ndihmoi kompaninë të zhvillohej me baza të forta, duke shmangur presionin për zgjerim të menjëhershëm dhe vendime impulsive, një tjetër shembull i gatishmërisë së saj për të shkuar kundër rrymës.

Një stil lidershipi që ka evoluar

Në fazat e para të Frida-s, Hirschhorn ishte e fokusuar pothuajse ekskluzivisht te objektivat dhe ndërtimi i strukturës së biznesit. Ajo priste që ekipi të ndiqte të njëjtin nivel përkushtimi dhe disipline.

Me kalimin e viteve, stili i saj i drejtimit ka ndryshuar ndjeshëm. Sot, ajo e vlerëson lidershipin si një proces empatik, transparent dhe të ndjeshëm ndaj motivimeve personale të secilit punonjës.

Një ndikim të fortë ka pasur edhe përvoja e saj si nënë që punon, e cila e ka bërë më të vetëdijshme për kompromiset mes jetës personale dhe asaj profesionale.

Në Frida, kjo filozofi reflektohet edhe në përfitime jo të zakonshme për stafin, si shërbime javore estetike, që për Hirschhorn nuk janë luks, por mënyrë konkrete për të respektuar kohën dhe mirëqenien e ekipit.

Historia e Chelsea Hirschhorn sfidon idenë se suksesi vjen vetëm nga guximi ekstrem dhe rritja e shpejtë.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0