Çel siparin Festivali Global i Gastronimisë Shqiptare në Berlin - Business Magazine Albania

Çel siparin Festivali Global i Gastronimisë Shqiptare në Berlin

Çel siparin Festivali Global i Gastronimisë Shqiptare në Berlin

Sot, në Berlin, filloi Global Albanian Gastronomy Festival, një event dy-ditor që synon të krijojë dhe përforcojë lidhje midis kompanive shqiptare dhe komunitetit ndërkombëtar të gastronomëve. Mbajtur në Arena Halle, ky panair tregtar mbledh së bashku kompani nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora të cilat përfaqësojnë industrinë e kulinarisë, turizmit, hotelerisë dhe distribucionit.

Nën moton “Aty ku tradita bashkohet me tregtinë”, qëllimi i festivalit është të forcojë imazhin ndërkombëtar të kulinarisë shqiptare dhe të promovojë gastro-turizmin, duke ndjekur shembullin e popujve të tjerë të suksesshëm në këtë fushë.

Hapja u bë në prani dhe me fjalë të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, dhe figura të tilla ndërkombëtare si Ministri gjerman i Bujqësisë Cem Özdemir. Ceremonia nisi me fjalime të frymëzuara që vunë theksin tek potenciali i madh që ka gastronomia shqiptare për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe turizmin e vendit.

Në ditën e parë të festivalit, pas hapjes, vizitorët patën mundësinë të marrin pjesë në panele të dedikuara agroturizmit shqiptar, ku u diskutuan strategjitë për zhvillimin rural dhe promovimin e produkteve vendase. Ekspertë të industrisë, si Altin Prenga kreu i Mrizit të Zanave, dhe përfaqësues nga Unioni i Turizmit të Kosovës, ndanë eksperiencat e tyre.

Lexo edhe:CEO i GAG Festival: “Si gastronomia shqiptare po ndriçon skenën ndërkombëtare nga Berlini”

Pas vizitave në stendat e ekspozitës, paneli “Investimet e Diasporës” përqendroi vëmendjen te potenciali i kapitalit të shqiptarëve të diasporës për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, pati diskutime mbi sukseset ndërkombëtare të gastronomeve shqiptarë, duke theksuar histori frymëzuese si ajo e Albert Bisakut, bashkëthemelues i restorantit Luisenhof në Hamburg.

Në ditën e dytë, vizitorët dhe pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndjekin panelet për transformimin e gastronomisë përmes teknologjisë.

Ndërkohë, një pjesë e veçantë e festivalit do t’i dedikohet kuzhinës shqiptare, me shefat e njohur që do të prezantojnë receta tradicionale të kombinuara me teknikat moderne të gatimit.

Si partnerë mediatikë, ne kemi kënaqësinë të jemi pjesë e këtij festivali që promovon trashëgiminë dhe të ardhmen e gastronomisë shqiptare, duke krijuar mundësi të reja për bizneset shqiptare dhe ato ndërkombëtare që të ndërtojnë partneritete të qëndrueshme në fushën e turizmit, dhe shërbimit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0