Nga Eni Muça- Si është të ndërtosh një startup pa asnjë investim nga jashtë, në një nga ekosistemet më dinamike të Europës? Laert Bejtaj, një shqiptar që jeton në Paris prej gati dy dekadash, ia ka dalë me Bricks.ai, një platformë që po transformon mënyrën se si krijohen dokumentet e shitjes në kompani të mëdha si Allianz Partners apo Leboncoin. Duke kombinuar aftësitë teknologjike me një ndjeshmëri reale për nevojat e terrenit, Laerti na tregon në këtë intervistë ekskluzive sesi mund të ndërtohet një biznes i qëndrueshëm, i orientuar drejt klientit dhe i gatshëm për t’u zgjeruar në tregje të reja përfshirë edhe Shqipërinë.
Laert, si nisi rrugëtimi yt drejt sipërmarrjes dhe si lindi ideja për Bricks.ai?
Në eksperiencën time të parë profesionale pata fatin të punoja në një startup francez që kishte zhvilluar një teknologji për dixhitalizimin dhe shpërndarjen online të ofertave të punës. Kjo eksperiencë më dha mundësinë të shihja nga afër si ndërtohet një biznes teknologjik dhe gjithashtu të identifikoja vështirësitë apo nevojat reale që kishin ekipet e brendshme, veçanërisht ato të shitjeve dhe marketingut. Ideja për Bricks lindi pikërisht nga një nevojë konkrete: shitësit kishin shumë pak kohë për të përgatitur prezantime të personalizuara, por kjo ishte thelbësore për suksesin në terren. Në të njëjtën kohë, si inxhinier, isha duke punuar në projekte që automatizonin krijimin e raporteve statistikore në formate të ngjashme me PowerPoint apo Word. Këto dy botë , nevoja në shitje dhe aftësia teknike për automatizim, u bashkuan natyrshëm në idenë për Bricks.ai: një teknologji për të rritur produktivitetin dhe koherencën në krijimin e dokumenteve të biznesit.
Çfarë të frymëzoi ta zhvillosh këtë startup pikërisht në Francë dhe jo në një treg tjetër?
Franca ka një ekosistem shumë mbështetës për startup-et, me rrjete mentorësh, programe akselerimi, dhe një kulturë teknologjie në rritje të vazhdueshme. Jetoj në Paris prej afro 20 vitesh , këtu kam kryer studimet, kam ndertuar jetën profesionale dhe krijuar rrjetin tim. Ishte logjike që rrugëtimi sipërmarrës të niste këtu. Nga ana tjeter tregu francez B2B është i madh, kërkues dhe i hapur ndaj inovacionit. Kjo krijon një terren te përshtatshëm për të testuar dhe ndertuar një ide apo produkt si Bricks. Parisi nderkohe është një nga 10 qytetet më të mire në botë për startup-e, përkrah me San Francisco, Londer, Berlin apo Tel Aviv. Sigurisht qe keto elemente dhe kjo frymë dinamike ndihmon shumë në ndërtimin e një kompanie.

Si ka ndikuar ambienti inovativ i Station F në zhvillimin e kompanisë suaj?
Station F perfaqeson simbolin e nje arritjeje te pare dhe një komunitet që të vendos në kontakt me njerëz që kanë të njëjtën energji për të ndërtuar. Fillimisht, të qenit aty të jep një formë legjitimiteti: është një sinjal që ideja jote është vlerësuar nga ekspertë, mentorë apo investitorë. Në përditshmëri, Station F është një vend ku kupton dy të vërteta të rendesishme : e para, që gjithçka është e mundur; dhe e dyta, që asgjë nuk të jepet gati. Duhet të marrësh vetë iniciativën, të testosh, të kërkosh këshilla, të përmirësosh. Nderkohe kur je i rrethuar nga njerëz që kanë të njëjtën etje për të çuar përpara idetë e tyre, ritmi yt rritet natyrshëm. Është si një laborator i madh idesh, energjie dhe përpjekjesh kolektive. Me Bricks.ai kemi pasur fatin të jemi pjesë e Station F që në fillimet e saj. Dhe ndërkohë që trendet ndryshojnë rregullisht qe nga Blockchain te Inteligjenca Artificiale tashme, një gjë ka mbetur konstante: rëndësia për të mbajtur fokusin dhe për të qëndruar të dobishëm. Në vitin 2020, Bricks u përzgjodh në programin prestigjioz Future 40 – një njohje që na motivoi edhe më shumë për të vazhduar pa marrë fonde të jashtme, duke u bazuar mbi forcën e produktit dhe mbi besimin e klientëve tanë. Sot, 8 vite pas hapjes së Station F, mund të them me bindje se është ende një terren eksperimentimi teper frymëzues. Dhe mbi të gjitha, një vend ku mëson se suksesi i një projekti Tech nuk varet vetëm nga forca e teknologjisë, por nga cilësia e marrëdhënieve njerëzore që e mbështesin atë çdo ditë.
Bricks.ai ofron një zgjidhje inovative për personalizimin e dokumenteve të shitjes, si funksionon konkretisht teknologjia që qëndron pas produktit?
Bricks është një platformë që lehtëson bashkëpunimin midis ekipeve të marketingut dhe të shitjeve për krijimin e dokumenteve të personalizuara: prezantime, oferta, raporte performancash, dosje tenderash, kontrata – të gjitha në formatet PowerPoint apo Word. Përmbajtja ndahet në module të organizuara sipas tematikave apo segmenteve të klientëve, dhe shitësit mund të ndërtojnë në pak klikime një dokument të personalizuar duke përzgjedhur pjesët që i interesojnë. Platforma më pas prodhon automatikisht një dokument të formatuar, që respekton brand-in dhe stilin e kompanisë. Kjo sjell efikasitet, kontroll dhe personalizim në një proces që më parë kërkonte shumë kohë dhe përpjekje manuale.
Lexo edhe:Match4Research – Si po ndërton Dr. Alba Skendaj një urë të re mes akademisë dhe industrisë në Shqipëri
Cilat janë avantazhet që Bricks.ai i ofron ekipeve të shitjes dhe marketingut krahasuar me zgjidhjet tradicionale?
Me Bricks, mënyra e punës ndryshon rrënjësisht. Në vend që marketingu të shpërndajë një prezantim gjigand prej 100 slidësh në një drive, ata strukturojnë përmbajtjen në module dhe ua vënë në dispozicion shitësve në platformë. Shitësit mund të krijojnë prezantimin që u nevojitet, me vetëm disa klikime. Për më tepër, Bricks përshtatet me dokumentet që kompania ka tashmë: mund t’i ngarkoni dhe t’i përdorni si bazë. Dhe përkundër mjeteve tradicionale, Bricks ofron gjurmueshmëri – mund të shihni çfarë përdoret, nga kush dhe për çfarë lloj klientësh. Kjo përkthehet në më shumë koherencë, më pak gabime dhe më shumë efikasitet në terren.
Si e përdorni inteligjencën artificiale në platformën tuaj dhe si mendon se AI do të ndikojë në të ardhmen e SalesTech?
AI është gjithnjë e më shumë pjesë e ADN-së së Bricks. Ne e përdorim për të ndihmuar në sugjerimin e përmbajtjes më të përshtatshme sipas sektorit të klientit, për të organizuar modulet ne menyre me optimaile apo edhe për të ndihmuar në shkrimin ose përmirësimin e përmbajtjeve. Në të ardhmen, AI do të bëhet gjithnjë e më shumë një “co-pilot” për shitësit, do i sherbej perhere e me teper te organizojne informacionin te analizojne segmentet e tregut nepermjet te dhenave por nepermjet saj te trajnojne vetveten ne menyre qe te behen shites edhe me te zote.
Kompania juaj është vetëfinancuar që nga fillimi. Si e menaxhuat këtë proces dhe cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë rrugës?
Vetëfinancimi ka qenë një zgjedhje strategjike që në fillim, sepse donim të ruanim fokusin, pavarësinë, dhe të ndërtonim një produkt që funksionon realisht në treg – jo vetëm “në letër”. Ky vendim u mundësua nga dy faktorë kyç: së pari, fakti që brenda ekipit kishim kompetencat e nevojshme për të ndërtuar versionin fillestar të produktit, pa pasur nevojë për burime të jashtme; së dyti, një filozofi shumë e qartë: të dilnim sa më shpejt në treg, për të marrë feedback konkret dhe të sinqertë nga përdoruesit. Një nga parimet tona ka qenë të mos ofrojmë produktin falas – as për pilotime. Kjo sepse, kur dikush nuk paguan për një shërbim, rrallëherë jep një opinion të thelluar. Kur përdoruesi vendos të investojë, edhe qoftë një shumë simbolike, ai bëhet më i angazhuar dhe feedback-u që jep është më i vërtetë, më praktik, dhe mbi të gjitha, më i vlefshëm për rritjen e produktit. Sa i përket sfidave, ndoshta më e madhja ka qenë ruajtja e fokusit afatgjatë dhe përqendrimi i vazhdueshëm te klientët. Në një ekosistem që është gjithmonë në lëvizje, mes entuziazmit për risitë dhe lodhjes që sjell ritmi intensiv, është e lehtë të humbasësh drejtimin. Prandaj, qëndrueshmëria emocionale dhe kthimi i vazhdueshëm te “pse”-ja fillestare e projektit, janë bërë për ne faktorë kyç për të ecur përpara.
Duke qenë se tashmë keni më shumë se 40 klientë B2B, si e keni ndërtuar besimin me markat e mëdha si Allianz Partners apo Leboncoin?
Që në fillim, kemi zgjedhur të mos e shohim marrëdhënien me klientin si një shitje produkti, por si një shoqërim drejt suksesit konkret. Te Bricks, suksesi nuk vjen vetëm nga teknologjia që ofrojmë – ai ndërtohet mbi tre shtylla thelbësore: cilësia e produktit, cilësia e përmbajtjes që kompanitë vendosin në platformë, dhe mbi të gjitha, cilësia e marrëdhënieve ndërnjerëzore. Këto tre elementë, të ndërvepruar si duhet, janë ato që e bëjnë të mundur një transformim dixhital real dhe të qëndrueshëm. Ne i kushtojmë shumë rëndësi mënyrës se si integrohemi në mjedisin e klientit – duke dëgjuar, përshtatur dhe mbështetur ekipet në përdorimin konkret të Bricks në përditshmërinë e tyre.
Si është të jesh një sipërmarrës shqiptar në një nga ekosistemet më dinamike të startup-eve në Europë, siç është Franca?
Të jesh sipërmarrës shqiptar në një mjedis si Franca është një përzierje sfide dhe force. Ne shqiptarët kemi një histori që tregon se jemi një popull paqësor, por njëkohësisht qëndrestar – dhe këto dy cilësi janë thelbësore në sipërmarrje. Personalisht, besoj se më kanë ndihmuar shumë gjatë rrugëtimit tim aktual. Nga ana tjetër, përpiqem të kultivoj një identitet të pasuruar edhe me kodet e shoqërisë franceze. Nje ndërthurje e tille, kur bëhet me vetëdije dhe respekt për të dyja kulturat, kam pershtypjen se sjell një vlerë të shtuar e cila të ndihmon të kuptosh më mirë njerëzit, të krijosh ura, dhe shpesh të kesh një avantazh të padukshëm ndaj atyre që kanë ndjekur vetëm një trajektore lineare.
A sheh ndonjë mundësi për bashkëpunime me startup-e apo talente nga Shqipëria apo Ballkani?
Patjetër. Ka shumë talente në Shqipëri dhe në rajon që kanë energji, kreativitet dhe përgatitje teknike shumë të mirë. Unë sot jam mentor për disa projekte në kuadër të Startup Albania dhe përpiqem të aktivizoj rrjetet që kam në Francë kur shoh produkte që ia vlejnë. Gjithçka nis nga një ide e qartë dhe një ofertë konkrete, nëse këto janë aty, eshte shume me e lehte per krijuar mundësitë ne vazhdim.
Cilat janë planet tuaja të ardhshme për Bricks.ai? A synoni zgjerim ndërkombëtar përtej Francës?
Po, Bricks ka kaluar tashmë fazën e “product-market fit” në Francë dhe tani jemi duke hyrë në fazën e scale-up. Objektivi ynë është të bëhemi një nga liderët europianë në fushën e krijimit dhe personalizimit të dokumenteve të shitjes. Kemi tashmë kontaktet e para me kompani në Irlandë dhe Zvicër, dhe për 12 muajt e ardhshëm synojmë një zgjerim të qëndrueshëm në disa tregje të reja. Mes tyre, kemi gjithashtu interes të veçantë për tregun shqiptar dhe rajonin e Ballkanit, ku shohim potencial real për bashkëpunime me kompani që po kërkojnë të modernizojnë proceset e tyre komerciale dhe të rrisin efikasitetin e ekipeve të tyre.
Çfarë këshille do t’u jepje të rinjve shqiptarë që duan të nisin një startup, por ndihen të pasigurt për të hedhur hapin e parë?
Nëse do të mund t’i influencoja në një drejtim, do t’u thoja se është thelbësore të besojnë realisht në vlerën që mund të sjellin me produktin apo shërbimin që duan të krijojnë. Në të njëjtën kohë, duhet të synojnë ndërtimin e një projekti rentabël, që do të thotë të provojnë sa më shpejt nëse njerëzit janë të gatshëm të paguajnë për atë që ofrojnë. Dhe është normale të mos ndiheni plotësisht “gati” për të nisur një sipërmarrje, askush nuk është. Por nëse ndjeni një formë pasioni të vërtetë, dhe keni një ide të qartë për hapat e parë që duhet të ndërmerrni, atëherë jeni shumë më gati sesa mendoni keshtu qe mjafton të filloni.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.
