MeZemër.com nuk lindi si një e-commerce e zakonshme, por nga nostalgjia për atdheun dhe dëshira për të rikthyer në shtëpi shijen e Shqipërisë, kudo që ajo ndodhet. Kjo platformë është një udhëtim emocional, një urë mes prodhuesve vendas dhe diasporës, që sjell në çdo cep të botës produkte me histori dhe identitet. Pas këtij vizioni qëndron Ilda Hila, e rritur në emigracion, por e lidhur fort me rrënjët dhe pasionin për të përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet. Me një qasje moderne dhe standarde ndërkombëtare, ajo dëshiron të tregojë se edhe një vend i vogël mund të ofrojë cilësi të madhe. Në këtë intervistë, Ilda na fton të shijojmë Shqipërinë … me zemër.“Mezemër.com” është e para platformë e-commerce e dedikuar vetëm kuzhinës dhe verës shqiptare. Çfarë ju shtyu ta nisni këtë nismë dhe pse pikërisht tani?
Mezemër lindi si përgjigje ndaj një malli të përhershëm: dëshirës për të sjellë aromën e shtëpisë kudo në botë. Si fëmijë e rritur në emigracion, kam parë gjithmonë në familjen time mallin për vendin të shprehur në valixhe të mbushura me produkte shqiptare, një mënyrë për të ruajtur lidhjen me rrënjët dhe me shijet e fëmijërisë.
Gjatë pandemisë, ndjeva gjithnjë e më fort dëshirën për të krijuar diçka që lidhej me origjinën time, një projekt ku të vija në shërbim të vendit tim dijet, përvojën dhe pasionin për ta përfaqësuar Shqipërinë denjësisht jashtë kufijve.
Kështu lindi “Me Zemër”: një urë mes Shqipërisë dhe botës, që i dhuron çdo shqiptari në diasporë një udhëtim emocional drejt shtëpisë dhe çdo personi tjetër mundësinë për të njohur Shqipërinë përmes shijes dhe trashëgimisë së saj. Një platformë që u jep zë prodhuesve vendas, të cilët ruajnë traditën me duar e zemër dhe që sjellin produkte të shëndetshme dhe autentike.
E nisa tani, sepse besoj se Shqipëria është gati të prezantohet jashtë kufijve përmes cilësisë. Konsumatori sot nuk kërkon vetëm një produkt, por një histori, një përjetim. Dhe kjo është ajo që përpiqemi të ofrojmë çdo ditë: një përvojë që ngroh zemrën dhe ruan identitetin.
Tradita shqiptare është e pasur, por shpesh e panjohur jashtë kufijve. Si i zgjidhni produktet që përfaqësojnë më mirë “shijen e vërtetë të Shqipërisë”?
Shqipëria ka një trashëgimi gastronomike të jashtëzakonshme, por fatkeqësisht një pjesë e madhe e saj mbetet ende e panjohur jashtë kufijve. Në Me Zemër, përzgjedhja e produkteve bazohet në tri shtylla: autenticiteti, cilësia dhe përfaqësimi i vlerave shqiptare.
Bashkëpunojmë me prodhues artizanalë nga zona rurale që ruajnë traditën dhe krijojnë produkte cilësore, shpesh në sasi të kufizuara dhe ekskluzive. Çdo produkt përzgjidhet me kujdes, duke vlerësuar jo vetëm shijen, por edhe origjinën, mënyrën e prodhimit dhe potencialin për treg ndërkombëtar.
Në këtë proces na mbështet një rrjet profesionistësh, nga somelierë dhe agronomë, te ekspertë të certifikimeve, ndërsa shpesh ndihmojmë vetë prodhuesit me përmirësimin e etiketimit, paketimit dhe dokumentacionit për eksport.
Qëllimi ynë është i qartë: të sjellim në treg ndërkombëtar produkte që nuk janë thjesht të mira, por që ruajnë identitetin shqiptar.
Si ka ndikuar përvoja juaj dhe e ekipit në universitetet dhe bizneset europiane në mënyrën si e menaxhoni këtë sipërmarrje me rrënjë shqiptare, por vizion ndërkombëtar?
Përvoja ime në universitetet italiane, puna në korporata europiane dhe qëndrimi mbi dy vite në Azi kanë ndikuar thellësisht në formimin tim profesional. Ato më kanë dhënë një vizion global, etikë pune në standarde ndërkombëtare dhe një dëshirë të fortë për të sjellë këtë përvojë në Shqipëri veçanërisht tek të rinjtë dhe gratë që ëndërrojnë të nisin një rrugëtim të ngjashëm.
Këto vite më kanë pajisur jo vetëm me njohuri teknike, por edhe me aftësinë për të ndërtuar strategji afatgjata, marrëdhënie të qëndrueshme dhe një frymë sipërmarrjeje me mendësi pa kufij. Kur krijova MeZemër.com, e dija se pasioni për vendin nuk mjafton nevojitet profesionalizëm, strukturë dhe një qasje që respekton klientin global.
Për këtë arsye, në Me Zemër kemi ngritur standarde të larta: nga porositë të menaxhuara në mënyrë digjitale, deri te shërbimi mbështetës 24/7 në disa gjuhë, dërgesat e sigurta e të shpejta dhe transparenca në çdo hap të udhëtimit të produktit. Sot, Me Zemër shpërndan produkte shqiptare në mbarë botën.
Mbështetja e investitorëve ndërkombëtarë ka qenë thelbësore, jo vetëm për rritjen financiare, por edhe për vizionin dhe strategjinë që sjellin nga nivele të larta të biznesit global. Kjo më ka ndihmuar të ndërtoj ura me partnerë të huaj dhe të krijoj një besueshmëri që tregon se edhe nga një vend i vogël si Shqipëria, mund të lindë një markë që fiton respektin e tregut ndërkombëtar – kur mbrapa saj qëndron një histori reale dhe një punë e bërë me perkushtim.
Lexo edhe: Kozeta Miliku vlerësohet si një ndër 5 shkencëtaret më të mira në Kanada
Në çfarë mënyre bashkëpunimi me profesionistë të certifikuar si AIS Club Albania përmirëson cilësinë dhe besueshmërinë e produkteve që ofroni?
Për ne te Me Zemër, cilësia nuk është vetëm një kërkesë tregu, por është themeli mbi të cilin ndërtojmë besimin ndaj markës sonë dhe produkteve shqiptare që promovojmë. Prandaj, bashkëpunimi me profesionistë të certifikuar është një nga shtyllat më të forta të projektit tonë.
Përmes këtij bashkëpunimi me një rrjet të gjerë ekspertësh në fushën e verës dhe produkteve agro-ushqimore, vlerësojmë me kujdes aspektet sensoriale dhe teknike të produkteve dhe ofrojmë konsulencë të thelluar e të personalizuar për çdo prodhues me të cilin punojmë. Ndihmojmë prodhuesit lokalë të identifikojnë pikat e forta të produktit të tyre dhe t’i përshtatin ato me kërkesat e tregut ndërkombëtar, nga përmirësimi i përmbajtjes dhe etiketave sipas standardeve të BE-së, deri te dokumentacioni për eksport dhe këshillimi strategjik.
Ky proces nuk ndalet vetëm te përzgjedhja: produktet e miratuara trajtohen me të njëjtin kujdes edhe më pas, nga magazinimi në kushte optimale, deri te dërgesa në çdo cep të botës me paketim të sigurt dhe transport të monitoruar në çdo fazë.
Për konsumatorin final, kjo përkthehet në një garanci: çdo produkt në Me Zemër është një histori që ka kaluar nëpër duart e profesionistëve, një shije autentike që mbërrin me standarde ndërkombëtare, por edhe një nxitje për prodhuesit lokalë të përmirësojnë standardet dhe të shohin veten si pjesë të një tregu global.
Çfarë kanë reaguar klientët e parë jashtë Shqipërisë kur përballen për herë të parë me produkte tradicionale shqiptare? A ka ndonjë histori që ju ka mbetur në mendje?
Klientët tanë jashtë Shqipërisë kanë pasur reagime jashtëzakonisht pozitive që nga momenti i parë që u bëmë online. Shpesh na ndajnë emocionet dhe kujtimet që produktet tona u rikthejnë, siç ndodhi me një klient në SHBA, i cili përjetoi “aromën e shtëpisë me rakinë tonë” dhe u ndje krenar t’i prezantonte këto shije shqiptare edhe miqve të tij ndërkombëtarë.
Përveç këtyre lidhjeve emocionale, marrim vazhdimisht kërkesa për produkte të reja dhe komente shumë pozitive për cilësinë e produkteve, si dhe për shërbimin tonë si distributor dhe platformë online. Klientët vlerësojnë veçanërisht mënyrën se si i udhëheqim nga zgjedhja e produktit deri te ndjekja e porosisë dhe asistenca pas shitjes.
Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kemi pasur asnjë rast ku klientët kanë kthyer produktet, duke arritur kështu një shkallë 100% të kënaqësisë. Në kulturën tonë të punës, nuk lejojmë që një klient të largohet i pakënaqur çfarëdo qoftë kërkesa apo problemi, ne gjithmonë kërkojmë zgjidhje që e bëjnë përvojën e tyre pozitive dhe të besueshme.
Shqipëria përballet ende me sfida në logjistikë dhe certifikim ushqimor. Si i përballoni këto pengesa për të garantuar cilësinë dhe shpërndarjen e shpejtë në Europë?
Shqipëria përballet me sfida të mëdha në fushën e logjistikës dhe certifikimeve ushqimore, por në MeZemër i shohim këto si mundësi për të bërë diçka unike dhe për të ngritur standardet në tregun shqiptar. Për të garantuar cilësinë dhe shpërndarjen e shpejtë në Europë dhe mbarë botën, kemi ndërtuar një rrjet të fortë partnerësh strategjikë nga transportues me përvojë deri te ekspertët për certifikimet dhe rregulloret europiane.
Për të siguruar një shpërndarje efikase dhe të shpejtë, kemi krijuar një strukturë logjistike të decentralizuar dhe bashkëpunojmë me kompani lider në treg. Investimet tona në teknologji dhe procese automatike na mundësojnë të monitorojmë çdo hap të zinxhirit të furnizimit nga magazinimi në ambiente me temperatura të kontrolluara deri te dërgesat përfundimtare me shërbim të sigurt dhe të shpejtë.
Kjo qasje na lejon të ruajmë cilësinë e lartë të produkteve dhe të sigurojmë që ato të mbërrijnë në duart e klientëve në kohë rekord, duke forcuar besimin dhe reputacionin e Me Zemër si një markë serioze dhe me vizion global.
Cili është produkti shqiptar më i shitur, më i pëlqyer? Po vendi që ‘blen më shumë shqip’?
Produktet më të pëlqyera dhe më të shitura në MeZemër janë ato që përfaqësojnë shpirtin e traditës shqiptare dhe sjellin me vete kujtime e histori. Pa dyshim, rakia tradicionale është një nga më të kërkuarat një simbol i mikpritjes dhe rrënjëve shqiptare, që për diasporën përfaqëson jo vetëm një pije, por një ndjesi të thellë familjare.
Një tjetër produkt i jashtëzakonshëm është vaji i ullirit organik ekstra i virgjër, i vlerësuar për shijen autentike, cilësinë dhe origjinën e pastër. Po ashtu, verat shqiptare veçanërisht varietete autoktone si Shesh i Bardhë dhe Kallmet kanë zgjuar kureshtje të madhe tek koleksionistët dhe dashamirësit e verës nëpër botë, që i shohin si pervoje unike.
Sa i përket tregjeve, SHBA-ja është vendi ku kemi më shumë klientë aktivë, falë një diaspora të fortë që na ka mbështetur që nga dita e parë. Por ajo që na emocionon më shumë është numri gjithnjë në rritje i konsumatorëve jo-shqiptarë, që tërhiqen nga historitë pas çdo produkti, e më pas rikthehen për të porositur përsëri. Për ne, kjo është arritja më e bukur: të popullojmë tryezat e botës me produkte që flasin tradite..
Nëse do të duhej të përshkruanit misionin e Mezemër në vetëm një fjali, cila do të ishte ajo?
MeZemër është ura që lidh botën me Shqipërinë përmes produkteve që mbajnë aromën e shtëpisë dhe shpirtin e mikpritjes.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.