Bejo: Ai, një tjetër laps i mprehur i nevojshëm për sukses - Business Magazine Albania

Bejo: Ai, një tjetër laps i mprehur i nevojshëm për sukses

2 nëntori ishte një ditë e jashtëzakonshme, që nisi me një mot të egërsuar, por aspak stepës për teknofilët. Për të shtatin vit radhazi, AllWeb bëri bashkë profesionistë të Ballkanit dhe jo vetëm. Kjo konferencë ngjiti mbi podium sipërmarrës të industrive të ndryshme, të gjithë me diçka për të treguar dhe ndarë. Ndryshe nga çdo herë tjetër, vëmendja u drejtua për nga forca shtytëse e Inteligjencës Artificiale dhe shtrirja e saj e gjerë. Pati shembuj argëtues, emocionues, konkretë dhe mbi të gjitha mjaft informues për tendencat e fundit në AI – të pikasura thuajse në çdo fushë të jetës.

CEO dhe themeluesi i Vatrës, Gerton Bejo, u ndal gjatë mbi forcën e të menduarit, aty ku praktikisht fillon dhe mbaron gjithçka. Inteligjenca Artificiale, sipas tij, duhet parë në të vërtetë si një penel telajoje, laps i mprehur ose një mouse. Pasi, duket se ngërçi i parë dhe më i vështirë për të tejkaluar është pikërisht qasja ndaj saj. “Për të patur një të ardhme, agjensitë e marketingut dhe çdo biznes tjetër duhet të përqafojnë, mësojnë dhe përvetësojnë AI, mënyrën se si të dhënat përkthehen në mesazhe vizuale dhe komunikuese”, – tha Z.Bejo.

Ai preku një tjetër kënd, atë të të menduarit shkurt, pa marrë parasysh pasojat. Kapitali njerëzor me atë çka ofron – përfshirë kreativitetin, njohuritë apo aftësitë – është një nga komponentët më të vlefshëm në industrinë krijuese dhe më gjerë, nga e cila nuk mund të hiqet dorë lehtësisht, vetëm e vetëm sepse Inteligjenca Artificiale premton mbulim të thjeshtë dhe të shpejtë pune. Ulja e çmimit tek produkti i ofruar, sipas Z.Bejo, përkthehet në të kundërt fatkeqësisht. Kështu, sipërmarrësi jo vetëm që heq dorë nga vlerësimi i skuadrës së punës, por ul fitimin e kompanisë së tij dhe rrjedhimisht krijohet një efekt zinxhir që s’premton veçse klimë të zymtë.

Drejtuesit duhet të shfrytëzojnë në formë të mençur përfitimet që AI i ofron industrive të ndryshme në raportin kosto-shpenzim. Ata nuk duhet ta shohin si një alternativë fantastike për të kursyer, por si një mundësi që litari i çdo sipërmarrjeje të forcohet dhe të jetë i lidhur me një spirancë. Ndryshe nga dikur, kur tërhiqej detyrimisht nga një grusht njerëzish”, – u shpreh CEO dhe themeluesi i Vatrës, duke shtuar se Inteligjenca Artificiale thjesht po përballet me litarin, jo me nevojën e personave për ta mbajtur.

Agjencitë e së ardhmes, vijoi Z.Bejo, kanë filluar tashmë ta ndiejnë luftën e KPI. “Pritshmëritë rriten dita ditës dhe kjo nuk është vetëm një përballje me vetveten. Është edhe më të tjerë, të ngjashëm me ty, por edhe me vetë klientin. Kësisoj, ndihet nevoja për aftësi, njohuri dhe arritje të reja…Me fjalë të tjera, për t’u bërë shtëpi gjithëpërfshirëse – me produkte dhe shërbime nga më të larmishmet.”

Kjo panoramikë, sipas tij, po i shtyn agjencitë largpamëse drejt AI pa e menduar dy herë. “Agjencitë që mund t’i përshtaten ndryshimeve të kohës, ndërsa s’reshtin së ofruari për klientët shërbime cilësore dhe efektive marketingu, e kanë padyshim të garantuar suksesin”, – kështu e përfundoi fjalën e tij Z.Bejo.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0