BB: Përshpejtimi i rritjes gjithëpërfshirëse e të barabartë në Shqipëri kërkon zbatimin efektiv të reformave

BB: Përshpejtimi i rritjes gjithëpërfshirëse e të barabartë në Shqipëri kërkon zbatimin efektiv të reformave


Duhet një strategji ekonomike për rezultate të qëndrueshme në uljen e varfërisë dhe arritjen e një mirëqenie të përbashkët në Shqipëri, e cila të gjenerojë përfitime ekonomike dhe punësim. Stabiliteti makroekonomik dhe reformat e gjithanshme strukturore dhe institucionale janë përbërësit e nevojshëm për suksesin e saj. Këto ishin mesazhet kryesore të një seminari të organizuar sot nga Banka Botërore në Tiranë mbi mundësitë dhe sfidat e përshpejtimit të rritjes së barabartë dhe gjithëpërfshirëse për popullin shqiptar.

Aktiviteti u drejtua nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe folësit kryesorë nga Banka Botërore ishin Ellen Goldstein, Drejtoreshë Rajonale për Europën Juglindore dhe Ana Revenga, Drejtoreshë e Përgjithshme për Varfërinë dhe Barazinë.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të agjencive qeveritare, partnerëve për zhvillim, INSTAT-it, universiteteve, shoqërisë civile dhe medias. Aktiviteti iu dedikua Gjergji Filipit, Drejtorit të INSTAT-it të ndarë nga jeta pak kohë më parë.

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në fjalën e tij theksoi se, “ne flasim për reforma strukturore dhe unë parapëlqej ta quaj strukturore edhe përmirësimin e imazhit të vendit. Shumë gjëra janë bërë, por shumë gjëra nuk dihen. Shumëkush prej jush e dini më mirë se unë që në ekonomi asnjë nuk shpenzon ato që fiton sot; shpenzohen sot ato që shpreson se do fitojë nesër. Dhe në thelb të këtij raporti, që ky raport të jetë pozitiv dhë në funksion të rritjes së konsumit, do të jetë pozitiviteti në ekonomi. 2.7% e rritjes ekonomike nuk është fantastike, por shume herë më mirë se 1%. Po ju sjell një shembull nga Italia. Italia është rritur 1.4% dhe para katër ditësh kishte eufori në median italiane për këtë rritje. Besoj këtë vit do të jetë pak më shumë se 2.7% dhe akoma në media thuhet, rritje mediokër, është më pak se parashikimi prej 3%. Ekonomia u rrit nga 2.1 % në 2014 në 2.7% në 2015 dhe i ka të gjitha gjasat që nëse ne bëjmë gjënë e duhur duke vazhduar reformat që kemi nisur dhe premtuar qyetarëve, të shkojë 3.5% në mënyrë që të përshpejtojmë uljen e asaj konvergjence me Bashkimin Europian që ne kemi për detyrë ndaj qytetarëve tanë”.

IMG_20160120_145943“Shqipëria ka nevojë të rigjenerojë dhe ribalancojë rritjen ekonomike, për të kaluar nga modeli i vjetër i rritjes së udhëhequr nga konsumi, drejt atij të prirë nga investimet dhe eksportet. Reformat në këtë drejtim kanë filluar të japin përfitimet e para”, tha Ellen Goldstein, Drejtoreshë Rajonale për Europën Juglindore.

Pas goditjes nga kriza globale financiare e 2008, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.5 përqind për vitet 2016-17. Reformat kryesore në fushat e energjisë, pensioneve dhe shlyerja e detyrimeve publike të prapambetura kanë dhënë rezultatet e para. Deficiti fiskal po ngushtohet dhe borxhi publik ka marrë rrugën e stabilizimit. Ulja e humbjeve dhe përmirësimet në mbledhjen e pagesave të energjisë, si dhe reforma e pensioneve po përmirësojnë stabilitietin fiskal dhe atë social të Shqipërisë.

“Krahas përpjekjeve për rritje të qëndrueshme, reformat duhet gjithashtu të marrin parasysh gjithëpërfshirjen dhe ndikimin që ato mund të kenë në uljen e varfërisë”, tha Ana Revenga, Drejtoreshë e Përgjithshme për Varfërinë dhe Barazinë. Kjo kërkon përmirësimin e cilësisë dhe përfshirjes në tregun e punës me qëllim eliminimin e barrierave për tregun formal të punës, si dhe shërbime publike më eficiente. Vijimi i zbatimit të politikave të shëndosha fiskale, që mbajnë parasysh ndikimin mbi varfërinë dhe pabarazinë, do të siguronte përfitime afatgjata në rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë.

Në të ardhmen, Shqipëria duhet vijojë zbatimin e reformave që synojnë rimëkëmbjen e stabilitetit makro-fiskal, për të siguruar përfitime për të gjithë nga rritja ekonomike, për të nxitur përfshirjen dhe rritjen e sektorit privat. Shfrytëzimi i potencialeve të sektorit privat dhe kontributi i tij në krijimin e vendeve të punës dhe rritjes ekonomike, ka nevojë për një mjedis institucional dhe biznesi sa më të mirë, transparencë dhe mirëqeverisje.

Aktualisht, Banka Botërorë mbështet 9 projekte në Shqipëri me një shumë totale prej 544 milionë dollarë.

/ATSH/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0