BB financon 80 milionë dollarë për rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare - Business Magazine Albania

BB financon 80 milionë dollarë për rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare

rimëkëmbje e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare

Banka Botërore do të ndihmojë Shqipërinë që të forcojë transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave të veta, të zgjerojë burimet për rimëkëmbje e rritje dhe të mbështesë sektorë kyc që ofrojnë mundësi për rritje të qëndrueshme në të ardhmen. Projekti i miratuar për Financimin e Politikave Zhvillimore (DPF) për Qëndrueshmëri Fiskale dhe Rritje Ekonomike, me vlerë 80 milionë dollarë, synon mbështetjen e reformave ristrukturuese dhe rimëkëmbje të qëndrueshme të Shqipërisë.

Ky financim është pjesë e një programi më të gjerë të ofruar nga Grupi i Bankës Botërore dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të ndihmuar Shqipërinë në menaxhimin e sfidave të krijuara pas tërmetit të fundit dhe krizës aktuale të COVID-19. Ndërsa godita e dyfishtë nga tërmeti dhe COVID-19 e ka zhvendosur vëmendjen drejt masave emergjente afatshkurtra, qëllimi i këtij financimi është të mbështesë Shqipërinë në ruajtjen e fokusit tek reformat afatgjata që synojnë rritjen e qëndrueshme të bizneseve dhe krijimin e vendeve të punës përmes forcimit të politikave, institucioneve dhe investimeve.

“Konsolidimi i politikave dhe institucioneve për qëndrueshmëri fiskale dhe zhvillim ekonomik është element kyç për të siguruar rimëkëmbjen e fuqishme të ekonomisë dhe rindërtim më të mirë menjëherë pasi të hiqen gradualisht kufizimet në jetën ekonomike që kanë si qëllim ruajtjen e shëndetit publik,” tha Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Projekti i sapoaprovuar ka mbështetur miratimin e reformave kyçe në Shqipëri për forcimin e transparencës dhe qëndrueshmërisë së financave publike. Publikimi i rregullt i raporteve për shpenzimet tatimore dhe reformat që lidhen me administratën tatimore mbështesin mobilizimin efektiv të të ardhurave. Forcimi i procesit të përzgjedhjes dhe monitorimit të Partneriteteve Publike Private (PPP-ve) do të çojë në rritjen e përfitimeve nga këto projekte.

Lexo: BE u kërkon kompanive BIG të teknologjisë të marrin përgjegjësi për kontrollin e internetit ose të përballen me gjoba marramendëse

Projekti gjithashtu ka ofruar mbështetje ndaj reformave thelbësore në sektorin financiar. Miratimi i kuadrit për zgjidhje jashtë gjyqësore të kredive problemore mundëson ristrukturimin e firmave dhe zgjidhjen e kredive me probleme. Ligji modern për shërbimet e pagesave lehtëson transaksionet dhe nxit shqiptarët të marrin pjesë në sistemin formal financiar. Kuadri i ri ligjor për tregun e kapitaleve dhe fondet e investimeve mund të çojë në katalizimin e një sistemi financiar më të gjallë dhe të larmishëm, duke ofruar më shumë mundësi për investime në ekonominë shqiptare.

Së fundi, projekti mbështet mundësitë kryesore sektoriale për rritje të qëndrueshme. Zgjerimi i aksesit në internet me shpejtësi të lartë në zonat rurale do të bëjë që më shumë shqiptarë të kenë mundësi të marrin pjesë në ekonominë dixhitale. Përmes forcimit në administrimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore të Shqipërisë, projekti ofron gjithashtu mbështetje në mbrojtjen e pasurive natyrore, të cilat janë jetike për sektorët kryesorë ekonomikë, përfshirë turizmin dhe bujqësinë.

Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Botërore, kanë zhvilluar konsultime me grupet e interesit në lidhje me masat specifike që mbështeten nga kjo hua, përfshirë përfaqësues të sektorit financiar, sektorit privat, rregullatorë, njësi të qeverisjes lokale, shoqata të biznesit, agjenci të mbrojtjes së mjedisit, universitete, OJQ, shoqata të përdoruesve të pyjeve, deputetë dhe partnerë të zhvillimit. Projekti për Financimin e Politikave Zhvillimore për Qëndrueshmërinë Fiskale dhe Rritjen Ekonomike është një hua e BNRZH-së me spread fiks, me një periudhë faljeje 3.5-vjet dhe afat shlyerjeje deri në 12 vjet.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0