Bashkim Ziberi, shkencëtari pjesë e ekipit që po evoluon luftën ndaj kancerit
Përditësuar së fundmi: 21/08/2019

Bashkim Ziberi, shkencëtari pjesë e ekipit që po evoluon luftën ndaj kancerit

Share
nga Ornela Trupja
Gus 21, 2019

Lufta ndaj kancerit pritet të marrë një zhvillim të ri këtë vjeshtë, përmes nisjes së aplikimit të një teknike më efektive.

Ky është rezultat i kërkimeve të zhvilluara nga një ekip shkencëtarësh në fushën e mjekësisë pranë universitetit Harvard dhe instituteve të kërkimit në mjekësi. Mes tyre është edhe shkencëtari shqiptar prof.Bashkim Ziberi. Ai punon në departamentin e Onkologjisë së rrezatimit në grupin e Dr. Wilfred Ngwa në spitalin e Brigham & Women’s në Fakultetin e Mjekësisë së Harvardit. Grupi i tij po merret me trajtimin përmes metodave inovative të llojeve të ndryshme të kancerit: si i prostatës, pankreasit, gjirit dhe qafës së mitrës. Në terapinë e rrezatimit përdoren biomaterialet e mençura.

Në një intervistë për BusinessMag, Ziberi shpjegon se, “përdorim nanogrimca të arit dhe të gadoliniumit, të cilët drejtpërdrejt apo të vendosur në polimerë biodegradues injektohen në zonën tumorale të prostatës dhe pankreasit. Me anë të terapisë së rrezatimit aktivizojmë nanogrimcat duke shfrytëzuar vetitë fizike të fotoefektit dhe elektroneve Ozhe (Auge) dhe kështu mundësojmë krijimin e një rrezatimi intensiv lokal në zonën kancerogjene që shkatërron qelizat përkatëse”.

Sipas tij, një dozë e lartë rrezatimi në zonën tumorale e thyen imunitetin e qelizave kancerogjene, ndikon në çlirimin e antigjeneve dhe aktivizimin e T-qelizave, të cilat në kombinim me imunoterapeutikët nëpërmjet sistemit limfatik, sulmojnë qelizat kancerogjene jo vetëm në zonën tumorale, por edhe metastazat. I pyetur për vërtetimin e një efekti më të mirë në kurim, ai tregon se, “Biopolimerët mundësojnë dërgimin e një sasie të madhe të nanogrimcave drejt e në zonën tumorale, ndalojnë shpërhapjen e tyre dhe bëjnë lëshimin e kontrolluar në kohë të tyre. Kur këto materiale të mençura me nanogrimca i shoqërojmë me substanca selektive që preferojnë bashkëveprimin me qelizat kancerogjene, materialet shkojnë drejt e në zonën kancerogjene”. Vetitë fiziko-kimike të nanogrimcave mundësojnë shfrytëzimin e tyre në imazheri duke mundësuar identifikimin e zonës tumorale dhe kështu edhe trajtimin më efikas. Shfrytëzimi i njëkohshëm i nanogrimcave në terapi dhe imazheri njihet ndryshe si Teranostikë.

Artikulli u publikua më parë në faqen 6  të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu  nr. 21 të saj.

Pra, teknika e materieleve të mençura rrit efektivitetin e trajtimit deri në asgjesim të llojeve të ndryshme të kancerit me gjithë metastaza, duke minimizuar efektet anësore në formën: vepro lokalisht-ndiko globalisht.

Bashkim Ziberi nga Radiovcë e Tetovës, vjen nga një familje që investoi shumë në edukimin e fëmijëve. Më 1998 ai përfundoi Studimet Universitare në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Universitetin e Tiranës, në degën e Fizikës 5 vjeçare. Më tej, ai studioi master në Fakultetin e Fizikës në Leipzig, Gjermani. Aty mbaroi edhe Doktoraturën në Fizikë, më konkretisht në Nanoteknologji, në krijimin e nanostrukturave në materialet e Siliciumit dhe Germaniumit.

Ai është pjesë e Harvard Global Health Catalyst dhe anëtar i këshillit organizativ në samitin që u mbajt në fund të majit në Harvard me pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, ku për herë të parë janë ftuar të marrin pjesë edhe studiues nga vendet tona. Qëllimi kryesor i samitit ishte krijimi i një qasje më të mirë të njerëzve me sëmundjet e kancerit në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

“Rrezultatet paraklinike tek minjtë janë aq premtuese saqë në Shtator do të fillojmë me studime klinike në një grup të caktuar pacientësh me kancer të prostatës. E mira e kësaj metode është se mund të përfshihet plotësisht në planet aktuale të trajtimit të pacientëve, por që do të ndikojë në zvogëlimin e dozave të rrezatimit dhe efekteve të tjera anësore”.

Që me largimin e tij nga vendlindja Ziberi ka synuar vazhdimisht të japë kontribut për vendin e tij, ndërsa kërkimet po i mundësojnë të japë një kontribut për njerëzimin. Gati dhjetë vite më parë, ai rikthehet si profesor në Universitetin e Tetovës, ku vijon të kontribuojë edhe sot. Për shumë vite ishte përgjegjës i departamentit të Fizikës dhe përgjegjës i zyrës për hulumtime shkencore dhe inovacione në Universitet. Ai është vlerësues i projekteve CEEPUS të Bashkimit Europian, anëtar i grupit për përcaktimin e programit për nanoteknologji, materiale dhe bioteknologji (RTD-NMP) të HORIZON2020 si dhe anëtar i bordit të akreditimit të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Përgatitja e brezave të rinj është një mision për të, ndaj u jep këshilla, sugjerime, ndihmë për kontakte dhe aplikime në rrugëtimin e tyre profesional. “Edhe pse kam mundësi të qëndroj këtu, qëllimi im është të shfrytëzoj përvojën dhe kontaktet në krijimin e urave të reja me institucionet arsimore shkencore tek ne duke nxitur projekte dhe bashkëpunime që do të ndikojnë në rritjen e cilësisë, me theks të veçantë në fushën e shëndetit global dhe sëmundjeve kancerogjene”.

Lidhur me metodën e trajtimit të kancerit, Ziberi thotë se, “në studimet paraklinike kjo metodë  tregon, përveç përparësive të tjera, efektivitet mbi 50% më të lartë në shërimin e kancerit krahasuar me metodat si Kemoterapia dhe terapia e Rrezatimit. Rrezultatet klinike që do të fillojnë së shpejti do të tregojnë sa e efektshme është metoda edhe tek njerëzit. Ndërsa i mbetet të ardhmes për të parë nëse do të kemi një vaksinë për shërimin e llojeve të ndryshme të kancerit”.

Për 8 vite deri në 2010 ai ishte punonjës dhe udhëheqës shkencor në projekte dhe studime të ndryshme në fushën e inxhinierisë të sipërfaqeve të materialeve të ndryshme me anë të rrezatimit jonik dhe shfrytëzimit të teknikave bottom-up (nga copëzat në mozaik) dhe top-down (nga mozaiku në copëza), në institutin e Leibniz. Në një intervistë për BusinessMag ai tregon se, “Puna kërkimore, botimet në revista shkencore, pjesëmarrjet në konferenca të ndryshme shkencore, kontaktet me kolegë, kompani industriale dhe të teknologjisë së lartë, të krijojnë një përvojë të jashtëzakonshme në shkathtësi dhe njohuri profesionale, në aplikim dhe menaxhim me projekte. Të përgatisin për një qasje multidimensionale në karrierë”.

Si arriti të bëhet shkencëtar në Harvard?

Në Fakultetin e Mjekësisë së Harvardit në Institutin e Kancerit Dana-Farber dhe në Spitalin Brigham & Women’s ai shkoi me bursë Fulbright me qëndrim njëvjeçar. Kontaktet me kolegët i kishte që nga viti 2004 dhe ishte në komunikim të vazhdueshëm me ta.

Ndërsa një nga recensuesit e temës së doktoratës ishte profesor për shkencat e aplikuara në Harvard.

“Sot ka shumë mundësi për zhvillim dhe aftësim profesional. Vështirësia më e madhe është ta bindësh veten se nuk ka barriera që të pengojnë të jesh në linjat e para të frontit të shkencës. Mjafton vullneti, përkushtimi dhe puna e vazhdueshme”, thotë ai.

Artikulli u publikua më parë në faqen 6  të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu  nr. 21 të saj.

Arritja  e tij e parë ishte pranimi në Fizikën 5 vjeçare në Tiranë. Ajo e nxiti të besojë më shumë në profesionin e tij, duke vazhduar me projektin e parë të financuar nga Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA). Gjatë vizitës në qendrën ESOC në Darmstadt dhe ESTEC në Noordwijk bëri disa prezantime, si pjesë e temës së masterit. Me punën kërkimore në krijimin e nanostrukturave, Ziberi ka fituar tre çmime ndërkombëtare.