Jack Dorsey, bashkëthemeluesi i Twitter/X, ka lançuar një aplikacion të ri mesazhesh me emrin Bitchat, i cili po tërheq vëmendjen për qasjen e tij unike: funksionon plotësisht offline, përmes teknologjisë Bluetooth Low Energy (BLE). Pa nevojë për Wi-Fi, internet mobil apo regjistrim, Bitchat krijon një rrjet komunikimi peer-to-peer me enkriptim fundor, duke e bërë atë ideal për situata emergjente, ambiente të mbipopulluara apo zona të largëta pa mbulim rrjeti.
Si funksionon Bitchat?
Bitchat përdor teknologjinë Bluetooth mesh networking, që lejon mesazhet të kalojnë nga një pajisje në tjetrën brenda një distance deri në 30 metra dhe deri në 300 metra nëpërmjet lidhjeve me ndërmjetës. Nëse telefoni juaj lidhet me një pajisje tjetër që përdor Bitchat, dhe ajo lidhet me një tjetër, mesazhi juaj vijon rrugën pa pasur nevojë për serverë apo lidhje interneti. Është si një walkie-talkie digjital, por me nivel të lartë sigurie dhe privatësie.
Qasja që ndjek Bitchat u jep përdoruesve kontroll të plotë mbi të dhënat e tyre personale. Meqenëse mesazhet nuk kalojnë asnjëherë nëpër serverë qendrorë dhe fshihen automatikisht, rreziku për përgjime apo grumbullim masiv të të dhënave reduktohet ndjeshëm. Jack Dorsey, i cili aktualisht drejton kompaninë Block dhe është një nga promovuesit më të zëshëm të teknologjive të decentralizuara si Bluesky dhe Damus, e përshkruan Bitchat si një eksperiment në rrjete mesh përmes Bluetooth-it, relays (ndërmjetësues komunikimi), modele “store-and-forward” dhe enkriptim mesazhesh. Ai ka ndarë publikisht edhe dokumentin teknik të aplikacionit (whitepaper) dhe ftesën për versionin beta, duke gjeneruar interes të madh në komunitetet që i kushtojnë rëndësi privatësisë.
Lexo edhe:“Avenirs” – Kur teknologjia bëhet busull për zgjedhjet jetësore të të rinjve
Beta e mbushur me shpejtësi, interesi në rritje
Aktualisht, versioni beta është i fokusuar te përdoruesit e iPhone, por ekzistojnë plane për të zgjeruar mbështetjen edhe për platforma të tjera. Në të ardhmen parashikohet edhe integrimi i teknologjisë Wi-Fi Direct, e cila do të mundësojë komunikim në distanca më të mëdha dhe me gjerësi bande më të lartë, duke hapur rrugë për ndarje të përmbajtjes më të pasur, si foto dhe video. Interesi për aplikacionin është dëshmuar që në fazën fillestare – beta u plotësua shpejt, duke treguar një kërkesë në rritje për mjete komunikimi që garantojnë privatësi dhe funksionojnë offline.
Megjithëse mbetet për t’u parë nëse Bitchat do të arrijë përdorim masiv apo do të mbetet një zgjidhje për entuziastët e teknologjisë së decentralizuar, lansimi i tij shënon një hap të rëndësishëm drejt një mënyre të re komunikimi – të pavarur, të sigurt dhe të kontrolluar nga vetë përdoruesi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.