Gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri si Zëvendës Presidente e Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, Antonella Bassani po takon liderët e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë të mbledhur në Tiranë në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit për të diskutuar mbi veprimet për forcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Integrimi ekonomik është një nga nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike, krijimit të vendeve të punës dhe prosperitetit. Ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të materializojnë këtë shans nëse do të arrijnë të adresojnë çështjet që lidhen me barrierat në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve dhe modernizimin e sistemeve të pagesave, theksoi Antonella Bassani në Samit.
“Ballkani Perëndimor ka përpara një mundësi të jashtëzakonshme për të shfrytëzuar një treg prej 450 milionë banorësh në Bashkimin Evropian. Përvoja në mbarë botën, përfshirë Ballkanin Perëndimor, ka treguar se në mënyrë që firmat të rriten dhe arrijnë të përdorin ekonomitë e shkallës, është thelbësore që ato të hyjnë në tregjet ndërkombëtare”, tha Antonella Bassani, Zëvendës Presidente e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore. “Integrimi ekonomik ofron një rrugë të shpejtë për adoptimin e teknologjive të reja, në rrjedhën e ideve të reja dhe inovacioneve si dhe për kalimin drejt produktivitetit më të lartë që përbën themelin e rritjes ekonomike në ekonomitë me të ardhura të mesme”.
Aktualisht, shoferët e kamionëve humbasin çdo vit rreth 26 milionë orë – gati 3000 vite –gjatë kalimit në pikat kufitare në Ballkanin Perëndimor.
Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore të diskutuar gjatë takimeve të Procesit të Berlinit, reduktimi i kohës mesatare të pritjes në kufi me tre orë – që përbën diferencën midis kohës mesatare të pritjes në Ballkanin Perëndimor dhe vendeve të OECD-së – mund të rrisë deri në tre përqind produktin e brendshëm bruto (PBB) në secilën prej gjashtë ekonomive të rajonit në periudhë afatmesme.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian do të sillte një rritje shtesë me gjashtë për qind të përfitimeve. Për më tepër, vendet fqinje të Bashkimit Europian si Rumania, Hungaria dhe Bullgaria mund të përjetojnë rritje me rreth 0.2 për qind të përfitimeve si rezultat i rritjes së aktivitetit tregtar me Ballkanin Perëndimor.
Banka Botërore ka filluar të punojë tashmë me partnerët për të lehtësuar tregtinë dhe transportin në rajon përmes investimeve dhe reformave, Ajo po mbështet gjithashtu ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në procesin e përafrimit të sistemeve të tyre të pagesave me standardet e Bashkimit Europian dhe përmbushjes së kushteve për integrimin në Zonën e vetme të Pagesave në Euro (SEPA), gjë e cila do të lehtësonte dhe reduktonte kostot e remitancave.
Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Antonella Bassani do të takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.