Një dado, apo pastruese është bërë tendencë tashmë të punësohet në shtëpi, veçanërisht nëse gruaja e shtëpisë është duke bërë karrierë. Një tjetër rast është kur fëmijet janë emigrantë dhe u duhet të punësojnë një infermier, apo kujdestar për t’u shërbyer prindërve.
Kërkesa e shtuar ka nxitur ngritjen e një sipërmarrje shqiptaro-italiane në këtë drejtim.
Asistenca Familjare, është biznesi më i ri në këtë fushë, i cili synon të ofrojë shërbime profesionale në përkujdesjen e fëmijëvë dhe të moshuarve, duke shfrytëzuar të gjitha njohuritë dhe përvojën e sipërmarrësve në tregun italian.
Intervistë me Migena Stafa, një prej themeluesve të “Asistenca Familjare”
BM: Çfarë është Asistenca Familjare? Si lindi kjo ide biznesi?
“Asistenca familjare“ lindi si një dëshirë për të sjellë në Shqipëri shërbimin e kujdesit për të moshuar dhe fëmijë në shtëpitë e tyre. Si rezultat i kushteve të punës e të jetesës, është e pranishme nevoja për mbështetje të jashtme në detyrimet e shtëpisë. Në Shqipëri ekziston kjo formë shërbimi, qoftë nëpërmjet agjencish punësimi, qoftë nëpërmjet gjetjes individuale të një kujdestari, por mungon oferta e një shërbimi të kualifikuar e profesional të kujdesit. Çdo individ është ndryshe nga tjetri, siç është dhe çdo kujdestar ndryshe nga tjetri. Në rastin tonë, është metoda e standardizuar e punës dhe sjelljes që e bën diferencën. Kjo sipërmarrje bazohet në ndërthurjen e përvojës italo-shqiptare në fushën e kujdesit familjar. Pjesa italiane e skuadrës ka përvojë shumëvjeçare në veriun e Italisë në bashkëpunim me kompani lider të industrisë së kujdesit familjar, duke rafinuar një metodologji unike në llojin e vet të përgatitjes së hollësishme të kujdestarëve, duke u bazuar gjithsesi në përvojën e klientëve dhe profesionistëve. Pjesa shqiptare e skuadrës sonë kontribuon me njohjen e popullsisë, kulturës dhe ndryshimet demografike, nëpërmjet studimesh disavjeçare në fushën e psikologjisë së zhvillimit, me fokus të veçantë në efektin pozitiv të shoqërizimit dhe kujdesit familjar për të moshuarit.
BM: Cilat janë shërbimet tuaja dhe a mendoni se është i përgatitur tregu për t’ju mirëpritur? E thënë ndryshe, ekziston kërkesa në treg, apo do ta edukoni ju tregun shqiptar?
Ne ofrojmë shërbim për të moshuar në nevojë, në ambjentin e tyre familjar. Gjithashtu ofrojmë shërbim për kujdesin e fëmijëve, po në familje. Kujdestarët e babysitter-at tona kalojnë nëpërmjet një proçesi të hollësishëm selektimi, ku verifikohen të dhënat familjare e personale, vlerësohen nëpërmjet testesh personaliteti dhe empatie, trajnohen ne ambjentet tona me metodën tonë dhe më pas punësohen.
Sipas studimeve tona, familjet shqiptare kanë nevojë për ndihmë me fëmijët e të moshuarit. Kjo ka ardhur si rezultat i kushteve të reja të punës, emigracionit, ndryshimeve demografike, rritjes së jetëgjatësisë, etj. Ekzistojnë shumë forma të gjetjes së shërbimit nëpërmjet rekomandimesh shoqërore, agjencish punësimi e shërbimi, etj.
Ndihet nevoja e një shërbimi të kualifikuar përsa i përket kujdesit për fëmijë e të moshuar. Janë dy shtresa me veçori specifike të shëndetit, sjelljes e zhvillimit, të cilat ne ua mësojmë kujdestareve tona. Sidomos në rastin e fëmijëve, është shumë e rëndësishme që babysitter të njohë disa koncepte shëndetësore dhe psikologjike të zhvillimit të fëmijës, pasi në mënyrë indirekte shërben edhe si edukues i tij.
Ne synojmë të orientojmë tregun drejt shërbimit të sigurtë e profesional për familjarët tanë dhe ne ofrojmë gjithashtu mbështetje të vazhdueshme për familjarët nëpërmjet partnerëve tanë në fushën e shëndetit e shërbimeve.
BM: Çfarë modeli keni ndjekur për këtë lloj biznesi? Po merrni shembuj nga jashtë apo keni krijuar një model tuajin?
Ne do të ndjekim modelin europian të ofrimit të shërbimit familjar.
Ne përzgjedhim kujdestarë dhe babysitter, i trajnojmë ato dhe i ofrojmë punësim pranë familjeve që kanë nevojë për shërbim të kualifikuar. Sigurisht që në tregun shqiptar i përshtatemi kërkesës së tregut tonë, megjithatë ndjekim modelin europian përsa i përket metodës së trajnimit e kualifikimit të personelit.
BM: Si do të funksionojë dhe ku do t’i ofroni shërbimet tuaja?
Asistenca në shtëpi konsiston në kujdesin për fëmijët e të moshuarit në kujdesin e tyre familjar, duke u bazuar në principin e përshtatjes së njeriut me familjen dhe ambjentin shtëpiak. Siç përmenda më sipër, të gjithë punonjësit tanë, i nënshtrohen një procesi të kujdesshëm përzgjedhjeje, trajnimi të vazhdueshëm kualifikues dhe supervizimi të herëpashershëm, në mënyrë që të ofrohet shërbimi të cilin të gjithë e dëshirojmë për fëmijët, prindërit, familjarët e të dashurit tanë në momentet që ata kanë nevojë.
Jemi të vetëdijshëm që përfshirja e një personi të panjohur në ambjentet e shtëpisë është e vështirë dhe për këtë, përveç besueshmërisë, një nga kriteret bazë që kërkojmë tek punonjësit tanë gjatë selektimit është cilësia e empatisë (ndjesia e natyrshme e njeriut për të qenë i ndjeshëm ndaj të tjerëve).
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.