Ardian Radovicka, inxhinieri shqiptar në Kanada dhe pasioni i tij për pikturën

Ardian Radovicka, inxhinieri shqiptar në Kanada dhe pasioni i tij për pikturën



Edhe pse vendlindja i dha shumë mundësi për zhvillim, ai sërish kërkoi më shumë nga vetja. Ardian Radovicka prej 13 vitesh jeton në Kanada. Ai është inxhinier në sektorin e ujësjellësit.

I diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në degën Hidroteknikë, në vitin 2000 bashkë me një koleg të tij themeloi Shoqatën e Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë. Nëpërmjet kësaj shoqate pati rastin të fitonte një bursë nga Qeveria Italiane, për të kryer studimet Master në “Mekanikën e Lëngjeve, Planifikimi dhe Menaxhimi i Burimeve Ujore” në Universitetin e njohur La Sapienza, Romë.

Pjesë e pandashme e formimit të tij profesional kanë qenë edhe trajnimet e ndryshme të fushës, në Shqipëri, Europë dhe Kanada.

Për BusinessMag.al Ardiani thotë se gjithmonë e ka dashur profesionin e tij dhe se fakti që ka punuar në një sektor jetik siç është ai i ujësjellësit, i ka dhënë një kënaqësi të veçantë. Zhvendosja në Kanada nuk ishte e vështirë, pasi përvoja e mëparshme në këtë sektor, ia ka bërë më të lehtë përshtatjen.

“Bëra shumë aplikime për punë dhe telefonova mjaft punëmarrës. Pas një viti këmbëngulje, ndjeva se kishte ardhur momenti i shumëpritur. Në anën tjetër të telefonit ishte Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellësit të qytetit të Hamiltonit, i cili pasi dëgjoi me kujdes rrugëtimin tim, më tregoi rrugën që duhet të ndiqja si inxhinier i huaj në trajnim. Kjo ishte dhe gjërat rrodhën vetë, ashtu siç kisha ëndërruar”.

Ai shprehet se në ndryshim nga Europa, Kanadaja të jep mundësi punësimi në profesion pasi të liçensohesh, apo çertifikohesh nga institucionet përkatëse.

Për gjashtë vite ai ushtroi profesionin e inxhinierit në Ujësjellësin e Hamiltonit, e më tej u transferua në Bashkinë e Torontos në detyrën e inxhinierit profesionist. Arritje për të është fakti që ka drejtuar edhe shumë projekte studimore në këto dy qytete.

Gjatë periudhës kohore kur ishte në Shqipëri, ka ushtruar disa pozicione të ndryshme si: inxhinier, përgjigjëgjes sektori dhe Drejtor në Ujësjellësin e Durrësit. Ka gjithashtu përvojë edhe në mësimdhënie pasi ka qenë pedagog i jashtëm në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Departamentin e Hidroteknikës dhe Hidraulikës. Një tjetër post i rëndësishëm ka qenë edhe ai i liderit në Institutin e Kërkimit Urban.

Një eksperiencë unike për të është edhe bashkëpunimi me mjaft kompani mjaft të njohura Europiane, në kuadrin e projekteve të Bankës Botërore në kohën kur drejtonte Ujësjellësin e Durrësit. “Kjo punë më dha mundësi të vizitoj reth 20 kompani ujësjellësi në Itali, Austri, Francë, Danimarkë, Hungari dhe Çeki”.

Lexo: Arben Cenko, inxhinieri i suksesshëm në Amerikë falë studimeve në Tiranë

Për BusinessMag.al ai shprehet se njeru nga natyra kërkon atë që i mungon, duke nënkuptuar se malli për Shqipërinë është i pashtershëm. Nga Shqipëria ai mbart kujtime të bukura, miqtë e zemrës.

Edhe pse me një profesion serioz siç është ai i inxhinierit, Ardian Radovicka është i apasionuar edhe pas pikturës. Që në moshë të vogël në fakt e ka ushtruar këtë pasion, duke çelur disa ekspozita vetjake dhe duke marrë pjesë në ekspozita profesionistësh. E për këtë u ndikua edhe nga fryma letrare e prindërve të tij arsimatarë.

“Para dy muajsh jam kthyer nga një udhëtim tepër i veçantë dhe i mbushur plot mbresa.  Atje u frymëzova dhe pikturova disa pejsazhe në Krujë, Berat, Gjirokastër dhe Sarandë, të cilat mendoj t’i paraqes në ekspozitën që do të hapim me piktorë të tjerë Shqiptaro-Kanadezë këtu në Toronto”.

Ajo që e shqetëson më së tepërmi Ardianin për vendin e tij, është mënyra e funksionimit të shtetit, pasi për të kjo lë për të dëshiruar.
Para disa muajsh komuniteti Shqiptaro-Kanadez dhe Qeveria Shqiptare e kanë zgjedhur të jetë përfaqsues i Kanadasë në Këshillin Koordinues të Diasporës. “Do të kontribuoj gjithmonë me dëshirë për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Diasporës”.

Ai mendon se suksesi është pasojë e disa ndyshimeve që ndodhin brenda secilit prej nesh.

“Shqipëria do të bëhet kur të gjithë shqipëtarët në Shqipëri dhe jashtë kufinjve, do të bëjnë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, – e mbyll rrëfimin e tij për BusinessMag.al.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0