Amazon fajëson punonjësit për gabimin e një agjenti AI në kodim - Business Magazine Albania

Amazon fajëson punonjësit për gabimin e një agjenti AI në kodim

Shërbimi gjigant i cloud computing të Amazon, Amazon Web Services (AWS), ka pësuar të paktën dy ndërprerje funksionimi gjatë vitit të kaluar, të cilat raportohet se janë shkaktuar nga përdorimi i mjeteve të Inteligjencës Artificiale. Këto raste kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si Amazon po e përqafon AI-n, në një kohë kur kompania po redukton numrin e punonjësve.

Sipas Financial Times, një ndërprerje 13-orëshe e shërbimeve të AWS në muajin dhjetor u shkaktua nga një agjent AI i quajtur Kiro, i cili në mënyrë autonome vendosi të “fshijë dhe më pas të rikrijojë” një pjesë të ambientit të sistemit. AWS, që ofron infrastrukturën teknologjike për një pjesë të madhe të internetit global, ka pasur disa ndërprerje shërbimi gjatë vitit të kaluar. Një incident tjetër, në muajin tetor, nxori jashtë funksionit dhjetëra faqe interneti për disa orë dhe riktheu debatin mbi përqendrimin e shërbimeve online në infrastrukturën e disa kompanive shumë të mëdha. AWS ka fituar 189 kontrata me qeverinë britanike që prej vitit 2016, me një vlerë totale rreth 1.7 miliardë paund, sipas Guardian. Ndërprerjet e lidhura me përdorimin e AI-së ishin ngjarje më të vogla, sipas kompanisë, dhe vetëm njëra prej tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në shërbimet për klientët.

Amazon ka konfirmuar në janar planet për të shkurtuar rreth 16 mijë vende pune, pas një vale tjetër shkarkimesh prej 14 mijë punonjësish në tetor. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Andy Jassy, është shprehur se këto shkurtime lidhen me kulturën e kompanisë dhe jo drejtpërdrejt me zëvendësimin e njerëzve nga AI. Megjithatë, ai ka pranuar më herët se përfitimet në eficiencë nga inteligjenca artificiale do ta ulin numrin e punonjësve në vitet në vijim, duke i lejuar ekipet të fokusohen më pak te punët rutinë dhe më shumë te përmirësimi strategjik i përvojës së klientit.

Në një deklaratë për Financial Times, Amazon tha se ishte rastësi që mjetet e AI-së ishin të përfshira në këto ndërprerje dhe se nuk ka prova që teknologjia të ketë shkaktuar më shumë gabime sesa inxhinierët njerëzorë. “Në të dyja rastet, bëhet fjalë për gabim njerëzor, jo gabim të AI-së,” thuhet në reagimin e kompanisë.

Lexo edhe: Në 2026 nuk fiton ai që poston më shumë, por ai që mendon më mirë!

Amazon i tha Guardian se vetëm një incident kishte ndikuar realisht në AWS dhe jo dy, siç ishte raportuar fillimisht. Megjithatë, disa ekspertë të sigurisë kibernetike janë skeptikë ndaj këtij interpretimi. Studiuesi i sigurisë Jamieson O’Reilly shpjegon se, ndonëse gabimet njerëzore në inxhinieri janë të zakonshme, dallimi qëndron te fakti se pa AI, një njeri duhet të shkruajë manualisht komandat dhe ka më shumë kohë për të reflektuar mbi pasojat e një veprimi të gabuar. Sipas tij, agjentët e AI-së veprojnë shpesh në ambiente të kufizuara dhe për detyra specifike, pa kuptuar kontekstin më të gjerë të pasojave që mund të ketë, për shembull, rindezja e një sistemi apo fshirja e një baze të dhënash. “Këto sisteme nuk e kuptojnë gjithmonë se çfarë ndikimi ka një veprim i tyre te klientët apo sa e kushtueshme mund të jetë një ndërprerje shërbimi në orën 2 të mëngjesit të së martës,” thotë ai. Një rast tjetër i vitit të kaluar, i raportuar gjerësisht, lidhej me një agjent AI të kompanisë Replit, i cili gjatë ndërtimit të një aplikacioni fshiu të gjithë bazën e të dhënave të një kompanie, shpiku raporte dhe më pas gënjeu për veprimet e kryera.

Eksperti i sigurisë kibernetike Michał Woźniak thekson se është pothuajse e pamundur që kompani si Amazon të parandalojnë plotësisht gabimet e agjentëve të brendshëm të AI-së në të ardhmen, pasi këto sisteme janë shumë komplekse dhe marrin vendime të paparashikueshme. Sipas tij, kompanitë shpesh e përdorin AI-në si justifikim kur u leverdis, për shembull për të arsyetuar shkurtime masive nga puna, por kur ndodhin incidente, përgjegjësia relativizohet.

Nga ana e saj, Amazon deklaroi se incidenti ishte rezultat i një gabimi në konfigurimin e aksesit nga përdoruesit dhe jo i vetë AI-së. Kompania tha se ndërprerja kishte qenë shumë e kufizuar dhe kishte prekur vetëm një mjet vizualizimi të kostove për klientët në disa pjesë të Kinës, pa ndikuar shërbimet kryesore si compute, storage, databaza apo shërbimet e AI-së.

Pas këtyre ngjarjeve, Amazon njoftoi se ka vendosur masa shtesë sigurie, përfshirë rishikimin e detyrueshëm nga kolegë për aksesin në mjediset e prodhimit. Sipas kompanisë, mjeti Kiro i lë zhvilluesit në kontroll: përdoruesit duhet të përcaktojnë se çfarë veprimesh mund të kryejë AI dhe, si parazgjedhje, sistemi kërkon autorizim përpara çdo veprimi kritik.

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0