Banka Qendrore Europiane pritet gjerësisht të ulë normën bazë të interesit me 25 pikë bazë këtë të enjte, duke e çuar në 2.25%, niveli më i ulët që nga janari 2023. Ky do të jetë ulja e gjashtë rradhazi, në një përpjekje për të mbrojtur ekonominë e eurozonës nga pasojat e inflacionit në rënie dhe tensioneve tregtare në rritje, të shkaktuara kryesisht nga politikat e reja të SHBA-së.
Inflacioni bie, duke i dhënë frymëmarrje BQE-së
Të dhënat përfundimtare të publikuara nga Eurostat të mërkurën tregojnë se inflacioni total në eurozonë ra në 2.2% në mars, nga 2.6% një muaj më parë. Ndërkohë, inflacioni bazë, që përjashton energjinë dhe ushqimet, ra në 2.4%, niveli më i ulët që nga janari 2022.
“Presim që BQE të ulë normat me 25 pikë bazë, me një komunikim të kujdesshëm që lë derën hapur për norma nën nivelin neutral,” deklaroi Ruben Segura Cayuela, ekonomist në Bank of America. “Megjithatë, mund të zhduket referenca për një qasje më pak kufizuese, dhe mund të dëgjojmë se u diskutua edhe një pauzë.”
Sven Jari Stehn nga Goldman Sachs dha një vlerësim të ngjashëm: “Presim që Presidentja Lagarde të sinjalizojë më shumë shqetësim për rritjen ekonomike për shkak të tensioneve tregtare, por pa dhënë premtime të qarta për hapat e ardhshëm.”
Ai shtoi se rritja e euros me gati 10% kundrejt dollarit amerikan që nga marsi, niveli më i fortë dy-mujor që nga viti 2010, mund të ndihmojë në zbutjen e presioneve inflacionare të shkaktuara nga tarifat e SHBA-së.
Kursi i normave mund të vazhdojë në rënie
ABN Amro parashikon që BQE do të vijojë uljen e normave deri në 1.5% deri në shtator, duke theksuar se tarifat po dëmtojnë si rritjen ekonomike, ashtu edhe inflacionin. Analistët e Deutsche Bank ndajnë të njëjtin mendim: “Edhe pse SHBA ka pezulluar përkohësisht tarifat, argumentet tani mbështesin qartë një tjetër ulje. Goditja ndaj rritjes nga tarifat reciproke, pasiguria dhe kushtet financiare është më e madhe se sa pritej nga BQE.”
Lexo edhe: Lufta tregtare e Trump/ Çmimin e paguajnë vendet në zhvillim
Tensionet tregtare lënë në hije perspektivën e eurozonës
Më 2 prill, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi një tarifë “reciproke” prej 20% mbi importet nga BE-ja, masë që u pezullua një javë më vonë për 90 ditë me shpresën e një marrëveshjeje dypalëshe. Megjithatë, një tarifë e përgjithshme prej 10% ndaj të gjitha importeve jo-kineze mbetet në fuqi, duke prekur rreth 380 miliardë euro mallra europiane.
BE-ja kishte propozuar heqjen e të gjitha tarifave industriale, përfshirë ato për makinat, por Uashingtoni e refuzoi ofertën.
Në këtë klimë të paqartë tregtare, ndjenjat e biznesit në eurozonë janë përkeqësuar ndjeshëm. Indeksi i ndjeshmërisë ekonomike të Gjermanisë (ZEW) ra në nivelin më të ulët në gati dy vjet, ndërsa treguesi i përgjithshëm i eurozonës zbriti në nivelet e fundvitit 2022.
“Ndryshimet e paparashikueshme në politikën tregtare të SHBA-së po rëndojnë ndjeshëm mbi pritshmëritë në Gjermani, të cilat janë shumë të ulta,” tha presidenti i ZEW, Achim Wambach. “Nuk është vetëm ndikimi i tarifave reciproke, por edhe dinamika e ndryshimeve të tyre, që ka rritur ndjeshëm pasigurinë globale.”
Edhe në frontin politik situata mbetet e tensionuar. Të martën, Komisioneri Europian për Tregti, Maros Sefcovic, raportoi mungesë progresi në bisedimet me zyrtarët amerikanë. Ministri i Financave i Spanjës, Carlos Cuerpo, deklaroi se Sekretarja e Thesarit të SHBA-së, Bessent, ishte e interesuar për një marrëveshje.
Ndërkohë, Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, po zhvillon sot takime me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku temat kryesore do të jenë tregtia dhe mbrojtja.
Burimi: Euronews.com/ Përshtati: Businessmag.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.