Aftësia e lidershipit që AI nuk mund ta zëvendësojë! - Business Magazine Albania

Aftësia e lidershipit që AI nuk mund ta zëvendësojë!

Aftësia e lidershipit që AI nuk mund ta zëvendësojë
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Teksa inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më e avancuar, po kuptohet gjithnjë e më qartë se liderët që përfitojnë më shumë prej saj nuk janë ata që dinë të shkruajnë “prompt”-et perfekte, por ata që mendojnë në mënyrë kritike dhe dinë të bëjnë pyetje më të mira.

Imagjinoni një gazetare që duhet të përgatisë një intervistë për një politikane të rëndësishme në një kohë shumë të shkurtër. Ajo përdor ChatGPT për të gjeneruar një listë me pyetje dhe brenda pak minutash merr një listë të plotë. Por kur ia dërgon editorit, ky i fundit i rishkruan pothuajse të gjitha. Pyetjet mungonin në thelb, sepse nuk prekeshin elementë të rëndësishëm si përvoja e hershme e jetës, vendimet kyçe apo momentet që kanë ndikuar në rrugëtimin e saj. Këto janë gjëra që kërkojnë kontekst dhe gjykim njerëzor, diçka që AI ende nuk e zëvendëson dot.

Sot, mjetet e inteligjencës artificiale përdoren nga qindra miliona njerëz çdo javë, por bashkë me përhapjen e tyre po bëhen më të dukshme edhe kufizimet. Studiuesit flasin për një lloj “muri të AI”, që tregon se këto mjete nuk janë gjithmonë efektive kur përdoren jashtë fushës së ekspertizës së një personi. Kjo e bën edhe më të rëndësishme zhvillimin e aftësive njerëzore si gjykimi, kurioziteti dhe mënyra e të menduarit.

Lexo edhe: Përtej mureve dhe paragjykimeve – Si besimi dhe humanizmi po shërojnë plagët e shoqërisë sonë?

Një nga aftësitë kryesore që dallon liderët e mirë është aftësia për të kuptuar panoramën e madhe. Nuk mjafton të realizosh një detyrë, por duhet të kuptosh pse po bëhet ajo dhe si lidhet me qëllimet më të gjera të organizatës. Kur përdoret AI pa këtë kontekst, ekziston rreziku që të prodhohen rezultate sipërfaqësore, pa vlerë reale. Liderët më efektivë ndalen për të reflektuar se sa e rëndësishme është një detyrë dhe si duhet trajtuar, jo vetëm sa shpejt mund të përfundohet.

Një tjetër mënyrë e zgjuar për të përdorur AI është të mos e konsiderosh përgjigjen si përfundimtare. Me zhvillimin e teknologjisë, përdorimi i saj është bërë më shumë si një bisedë e vazhdueshme, ku çdo përgjigje të ndihmon të bësh pyetje më të mira. Në vend që të kërkosh një përgjigje perfekte që në fillim, procesi duhet të jetë gradual, duke ndërtuar mbi çdo hap dhe duke përmirësuar vazhdimisht drejtimin. Liderët më të mirë e shohin AI si një pikë nisjeje për ide, jo si përgjigjen finale.

Megjithëse AI ka potencial të madh, ajo nuk i bën automatikisht njerëzit më kreativë apo më të mirë në punën e tyre. Studimet tregojnë se vetëm një pjesë e vogël e përdoruesve ndjejnë rritje në kreativitet. Diferenca qëndron te mënyra si përdoret teknologjia. Ata që përfitojnë më shumë janë individët që dinë të analizojnë, të vlerësojnë dhe të përmirësojnë mënyrën e të menduarit të tyre gjatë procesit të punës.

Në praktikë, kjo do të thotë të mendosh për mënyrën si mendon. Të kuptosh çfarë nuk di, të lidhësh informacionin e ri me atë që tashmë di dhe të ndryshosh qasjen kur është e nevojshme. Është diferenca mes leximit sipërfaqësor dhe kuptimit të thellë. Liderët që arrijnë ta bëjnë këtë, jo vetëm që përfitojnë më shumë nga AI, por ndihmojnë edhe ekipet e tyre të zhvillojnë aftësi më të forta mendimi dhe vendimmarrjeje.

Në fund, mesazhi është i qartë. Inteligjenca artificiale është një mjet shumë i fuqishëm, por nuk zëvendëson aftësinë për të menduar në mënyrë kritike. Liderët që sfidojnë idetë, bëjnë pyetje më të thella dhe kërkojnë gjithmonë më shumë sesa një përgjigje “të mjaftueshme”, janë ata që do të dinë ta përdorin AI në mënyrën më të zgjuar dhe më efektive.

FC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0