A shkaktojnë celularët kancer në tru? Studimi i ri jep përgjigje përfundimtare - Business Magazine Albania

A shkaktojnë celularët kancer në tru? Studimi i ri jep përgjigje përfundimtare

A shkaktojnë celularët kancer në tru? Studimi i ri jep përgjigje përfundimtare

Lidhja mes përdorimit të celularëve dhe rrezikut të shtuar për kancer në tru është një debat që ka ekzistuar pothuajse po aq gjatë sa vetë celularët. Një studim i madh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që sapo është publikuar duhet ta zgjidhë këtë pyetje njëherë e mirë.

Në vitin 1993, një burrë nga Florida me emrin David Reynard pretendoi se rrezatimi nga përdorimi i celularit kishte kontribuar në vdekjen e gruas së tij nga kanceri në tru. Reynard paditi kompaninë NEC America, e cila prodhoi celularin e gruas së tij, duke pohuar se pajisja celulare “ishte e pajisur me një antenë të pozicionuar në mënyrë të tillë që të shkaktonte ekspozim ndaj rrezatimit mikrovalësh në një sasi të tepruar dhe të pasigurt, pikërisht në atë pjesë të trurit ku u gjet tumori.”

Edhe pse ajo padi u hodh poshtë në vitin 1995, rasti që mori shumë vëmendje në media ishte i mjaftueshëm për të ‘mbjellë’ idenë se celularët mund të shkaktonin kancer në mendjet e njerëzve për dekada me radhë.

Duke iu referuar kësaj ideje, në vitin 2011 Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC), e klasifikoi rrezatimin nga celularët si një kancerogjen të mundshëm për njerëzit. Më pas, një studim me brejtës në vitin 2016 konkludoi se rrezatimi i emetuar nga këto pajisje shkaktonte kancer në tru dhe në gjëndrat adrenale të minjve dhe kërpudhave laboratorikë.

Megjithatë, ndër vite, lidhja mes rrezatimit të celularëve dhe kancerit ka qenë gjithmonë e dyshimtë. Tani OBSH ka publikuar një studim të madh që me shumë gjasa do ta mbyll këtë çështje. Studimi, i udhëhequr nga studiues të Agjencisë Australiane për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Sigurinë Bërthamore (ARPANSA), analizoi mbi 5,000 studime të tjera dhe përfshiu 63 studime të publikuara midis viteve 1994 dhe 2022 në analizën përfundimtare.

Ata arritën në përfundimin se, edhe pse përdorimi i celularëve është rritur shumë gjatë 20 viteve të fundit, nuk ka pasur një rritje konkrete në rastet e kancerit në tru apo ndonjë kancer tjetër të kokës dhe qafës – madje as te ata që përdorin celularët më shumë dhe për periudha më të gjata se 10 vjet. Studimi gjithashtu analizoi ekspozimin ndaj valëve radio nga kullat e celularëve dhe në profesione ku njerëzit janë të ekspozuar më shumë ndaj rrezatimeve të radiofrekuencave në punë, dhe përsëri nuk gjeti asnjë lidhje me kancerin.

“Ky është një rishikim dhe analizë e kombinuar e studimeve që vlerësojnë nëse frekuencat e radios rrisin rrezikun e kancerit te njerëzit,” tha Mark Elwood, Profesor Nderi i Epidemiologjisë së Kancerit në Universitetin e Auckland-it dhe një nga autorët e studimit. “Frekuencat e radios (RF) i referohen energjisë elektromagnetike në gjatësi valësh nga 300 Hz në 300 GHz, që është një frekuencë dhe energji më e ulët se drita e dukshme. RF përdoret për celularët, radion dhe TV. Gjithashtu përdoret në monitorët e foshnjave, lidhjet Wi-Fi, radarët, dhe shumë përdorime industriale e mjekësore.”

Lexo edhe: Shiriti i parë në botë që trajton simptomat e ADHD në vetëm 20 minuta në ditë

Gjetjet janë logjike, duke marrë parasysh që disa studime vlerësojnë se vetëm në Amerikë, përdorimi i celularëve është mesatarisht katër orë e 37 minuta në ditë, dhe të dhëna të tjera tregojnë se rreth tre të katërtat e popullsisë botërore tani i përdorin këto pajisje. Me atë nivel masiv të përdorimit, do të pritej të shiheshin raste të shumta të kancerit në tru nëse rrezatimi do të ishte kancerogjen, por kjo nuk ndodh. Në fakt, studiuesit thonë se nivelet e kancerit në tru kanë mbetur pothuajse të pandryshuara që nga viti 1982.

“Kur Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC) e klasifikoi ekspozimin ndaj valëve radio si një kancerogjen të mundshëm për njerëzit në vitin 2011, kjo bazohej kryesisht në prova të kufizuara nga studime vëzhguese te njerëzit,” tha Ken Karipidis nga ARPANSA. “Ky rishikim sistematik i studimeve vëzhguese njerëzore bazohet në një bazë të dhënash shumë më të madhe krahasuar me atë të shqyrtuar nga IARC, që gjithashtu përfshin studime më të fundit dhe më të plota, kështu që tani mund të jemi më të sigurt në përfundimin se ekspozimi ndaj valëve radio nga teknologjia pa tel nuk përbën një rrezik për shëndetin e njerëzve.”

 

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0